1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE e zhgënjyer me mospërparimin e dialogut Kosovë-Serbi

19 Shtator 2023

Ministrat e Jashtëm të BE kanë shprehur shqetësimin për ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe mospërmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve.

https://p.dw.com/p/4WV0M
I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell duke folur para mikrofonëve
I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell Fotografi: Sierakowski/EUC/ROPI/picture alliance

Ministrat e jashtëm të BE-së i kanë drejtuar thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa, u shprehën të shqetësuar me mungesën e përparimit në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, informoi  ministrat e Jashtëm të BE-së për takimin e 14 shtatorit, ku tha se "Kosova dhe Serbia dështuan të tejkalojnë dallimet rreth normalizimit të marrëdhënieve”.

Borrell: Të dyja palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëhershme

"Ministrat shprehën shqetësimin me mospërmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Dyja palët janë pajtuar në këtë rrugë të normalizimit më herët këtë vit. Është një detyrim dhe Këshilli i Ministrave po u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe frymë të mirë për zbatimin e saj. Ajo që ne duam, ajo që kërkojmë është që të fillojë zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme. Dhe kjo përfshin detyrimin që të dyja palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëhershme”, tha Josep Borrell.

Vetëm një ditë më parë një konferencë me gazetarët, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte akuzuar ashpër  të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për  "anshmëri”, në proces. Kurti tha se Lajçak pati "një pozicionim të qartë kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti”. Kurti kërkoi qartë: "Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë", tha Kurti.

Josep Borrell dhe Albin Kurti shtrëngojnë duart
Josep Borrell dhe Albin Kurti Fotografi: EU-Kommission

DASH mbron Lajçak

Por Departamenti Amerikan i Shtetit, doli në mbrojtje të zotit Lajçak dhe angazhimin e tij e quajti "përpjekje të palodhur të Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi. "Ne mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, citojnë mediet ne Prishtinë një zëdhënës të DASH-it. "Ne presim që të dy vendet t'i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha një zëdhënës i DASH-it, duke shtuar se "Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet partnere të QUINT-tit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut”.

Presidentja Vjosa Osmani dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar shtrëngojnë duart
Presidentja Vjosa Osmani dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel EscobarFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Presidentja Osmani takon Chollet

Gjatë qëndrimit në New York, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, diskutoi për procesin e dialogut me Serbinë edhe me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit,  Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar . "Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-ve, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në një komunikatë nga zyra e presidentes Osmani, pas takimit me Chollet.

Në muajin shkurt dhe mars të këtij viti Kosova dhe Serbia u pajtuan me një plan të BE-së  për normalizimin. Plani nuk e përfshin njohjen e ndërsjellë por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit të njëra tjetrës. Në plan po ashtu kërkohet që të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vjosa Osmani në bisedime me Derek Chollet
Vjosa Osmani në bisedime me Derek CholletFotografi: Office of the Kosovo Presidency