1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i Jashtëm gjerman në rajonin e Gjirit Persik

9 Janar 2010

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle ndodhet sot (9.1.) për vizitë në Arabinë Saudite. Westerwelle shoqërohet nga menaxherë të shumtë gjermanë. Ekonomia gjermane shpreson në kontrata fitimprurëse.

https://p.dw.com/p/LPQt
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.Fotografi: AP

Njëri nuk ka as tri muaj në post, tjetri është në detyrë prej 35 vjetësh. Në Arabinë Saudite ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle takohet me Princin Saud Al-Faisal Bin Abdulaziz al Saud, ministrin e jashtëm më të vjetër në detyrë në botë dhe me siguri me përvojën më të pasur. Në bagazh Westerwelle ka një sërë temash. Konflikti bërthamor me Iranin, procesi i paqes në Lindjen e Afërt dhe situata e tensionuar e sigurisë në Jemen. Pak para nisjes nga Turqia Westerwelle nuk pranoi të fliste për pritjet e mundshme: "Për këtë do të flas kur t'i vijë radha kësaj pjese të udhëtimit. Ky është edhe respekt ndaj vendit mikpritës."

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princ Saud Al-Faisal.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princ Saud Al-Faisal.Fotografi: picture-alliance/dpa


Marrëdhëniet dypalëshe janë të mira por jo të thella

Në kryeqytetin Riad në qendër të vizitës do të jenë me siguri edhe marrëdhëniet dypalëshe, thotë Guido Steinberg, ekspert për Lindjen e Afërt në fondacionin Shkencë dhe Politikë, i cili këshillon rregullisht qeverinë gjermane. Marrëdhëniet dypalëshe janë të mira por jo të thella. "Sauditët nuk i kemi parë kurrë si partnerë politikë në rajon, kurrë në konfliktin izraelito-palestinez, as në rastin e Iranit dhe as në rastin e Jemenit. Ky qëndrim ka ndryshuar vetëm vitet e fundit, me ngadalë. Sauditët në thelb ne gjermanët edhe sot nuk na marrin seriozisht si aktor në politikën e sigurisë. Kjo vlen si për BE-në ashtu edhe për vetë Gjermaninë. Detyrë e politikës gjermane prej disa vitesh është forcimi hap pas hap i këtyre marrëdhënieve", shpjegon Steinberg.

Temat kryesore: Irani, Lindja e Afërt, Jemeni

Nga qarqet e Ministrisë së Jashtme gjermane u mësua se Westerwelle do të përpiqet të kuptojë para së gjithash se si mund të vihet sërish në lëvizje procesi i paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, si pozicionohen vendet e Gjirit Persik në çështjen e Iranit dhe si e vlerëson qeveria saudite në Riad, situatën e tensionuar të sigurisë në Jemen. Para fillimit të udhëtimit, ministri i Jashtëm gjerman kishte njoftuar se do të diskutohej edhe për koordinimin e ndihmës së mundshme për Jemenin. Sipas mendimit të ekspertëve vendi rrezikon të rrënohet, është i përçarë nga një luftë civile në veri, përpjekje separatiste në jug dhe një skenë tejet aktive terrorizmi, e dominuar nga El Kaida. Arabia Saudite është fqinji më i rëndësishëm, ka influencë të madhe mbi qeverinë jemenase si dhe mbi grupimet e tjera në vend.

Kontratë miliardëshe - Deutsche Bahn do të ndërtojë me partnerë arabë ndër të tjera një sistem modern në Doha, Katar.
Kontratë miliardëshe - Deutsche Bahn do të ndërtojë me partnerë arabë ndër të tjera një sistem modern në Doha, Katar.Fotografi: dpa

Jemeni do të luajë rol edhe në bisedimet në Katar, stacioni i ardhshëm i Westerwelle-s. Eksperti për Lindjen e Afërt, Steinberg, shpjegon: "Katari është nga njëra anë tejet proamerikan. Nga ana tjetër, vitet e fundit Katari vazhdimisht është përpjekur të kujdeset për marrëdhëniet e tij me Iranin, por edhe ato me Sirinë, Hamasin, pra me të gjitha forcat antiamerikane dhe antiperëndimore. Në thelb, nëse në rajon synohen zgjidhje politike, Katari nuk mund të injorohet ."


Interes ekonomik - ekonomia gjermane shpreson në kontrata fitimprurëse


Në të gjitha vizitat e tij në rajonin e Gjirit Persik, vlen megjithatë ajo çka Westerwelle tha për Turqinë para nisjes nga Stambolli: "Interesi nuk është vetëm politik. Natyrisht që kemi edhe interes ekonomik."

Ministrat e jashtëm gjermanë në vizitat jashtë vendit e kanë parë veten gjithnjë si faktor që hap dyert për ekonominë. Për këtë arsye Westerwelle shoqërohet nga menaxherë të shumtë gjermanë të cilët shpresojnë për kontrata fitimprurëse në rajonin e Gjirit Persik. Kështu edhe shefi i hekurudhës gjermane (Deutsche Bahn), Grube, i cili vetëm pak kohë më parë arriti të siguronte një kontratë miliardëshe për kompaninë e tij dhe tani shpreson edhe për biznese të tjera të mira në rajon.

Autor: Christoph Grabenheinrich / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj