1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300811 Libyen Algerien Gaddafi-Clan

30 Gusht 2011

Largimi i një pjese të klanit të Gadafit në Algjeri indinjon rebelët në Libi. Disa i shohin të konfirmuara dyshimet e tyre më të keqija: se Algjeria mbështet Gaddafin.

https://p.dw.com/p/12Pp0
Hannibal Gaddafi, njëri prej djemve të Muamar Gaddafit.
Hannibal Gaddafi, njëri prej djemve të Muamar Gaddafit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Qendrimi i Algjerisë ishte "një akt agresioni", deklaroi zëdhënësi i rebelëve, Mahmud Shammam duke shtuar: "Ne paralajmërojmë të gjithë ata, që strehojnë Gadafin dhe djemtë e tij. Ne do t'i kërkojmë, do t'i gjejmë dhe do t'i arrestojmë." Këshilli KombëtarTranzitor i ka bërë thirrje Algjerisë, që të dorëzojë Gaddafin.

Marrëdhënie të rënduara mes dy vendeve

Aisha Kadhafi, vajza e ish liderit libian.
Aisha Kadhafi, vajza e ish liderit libian.Fotografi: picture-alliance/dpa

Rrethanat e ikjes së tyre janë ende të paqarta. E sigurtë është se ajo rëndon edhe më tej marrëdhëniet midis Algjerisë dhe Këshillit libian të Tranzicionit. Një zëdhënës i këshillit drejtoi të dielën (28.8.) fjalë të ashpra në drejtim të Algjerisë. Do të vijë një ditë, tha ai, kur vendet do të duhet të justifikohen para libianëve revolucionarë për qëndrimin e tyre. Një goditje kundër Algjerisë, e cila nuk e ka njohur deri tani këshillin tranzitor, si një prej shumë pak vendeve në botën arabe. Thumba të tillë e bëjnë të ziejë Aissa Kassan. Ai është anëtar i byrosë politike të partisë algjeriane në pushtet FLN. Në stacionin francez RFI, ai tha:

"Ne jemi të zemëruar nga komentet e disa anëtarëve të Këshillit Tranzitor. Ata duan, siç duket për arsye, që vetëm ata i dinë, të bëjnë përgjegjëse Algjerinë për problemet brenda Libisë. Ne jemi për sovranitetin e shteteve, për lirinë e popujve dhe për parimin e mosndërhyrjes në punët e tyre të brendshme."

Bashkëshortja e Gaddafit, Safia.
Bashkëshortja e Gaddafit, Safia.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo është pikërisht politika algjeriane ndaj Libisë në muajt e fundit: mospërzierja dhe neutraliteti pa marrë anën e askujt. Të paktën zyrtarisht. Disa rebelë libianë akuzojnë Algjerinë për mbështetjen e fshehtë të Gadafit. Me armë dhe mercenarë. Qeveria algjeriane e mohon me forcë këtë.

Të detyruar të bashkëpunojnë

Fakti është se Libinë e Muamar Al Gadafit dhe Algjerinë e Abdel Aziz Bouteflikës i lidh një histori e gjatë. Libia e ka mbështetur Algjerinë në luftën e saj për pavarësi, të dy vendet kanë ndjekur prej kohësh një kurs revolucionar, anti-perëndimor, anti-kolonial. Dhe dy vendet janë qeverisur nga udhëheqësit e tyre në mënyrë gjithnjë e më autoritare dhe që nga pranvera arabe presioni i popullit ndaj tyre është rritur.

Por ka më pak të ngjarë të jetë solidariteti nga kohët e vjetra, të përcaktojë tani raportin mes vendeve. Libia dhe Algjeria janë të destinuara, që të mos i prishin punët me njëri-tjetrin, sepse ato i lidh një kufi i gjatë prej 1000 kilometrash, që është vështirë të kontrollohet. Këtë e di edhe Bensasi Othman, një anëtar i Këshillit të tranzicionit në Libi:

"Algjeria është një vend, me të cilin ne kemi një histori të gjatë, të përbashkët. Për fat të keq, marrëdhëniet në këtë moment nuk janë të mira. Ne jemi në një situatë të vështirë, ky nuk është momenti për t'u grindur. Ne kemi nevojë për ndihmën e miqve tanë algjeriane. "

Dhe rebelët mund të marrin ndoshta ndihmën së shpejti: Të hënën, shefi i diplomacisë algjeriane, Mourad Medelci u takua për herë të parë me një lider të rebelëve për bisedime. Fundja edhe Algjeria e di përse bëhet fjalë dhe se regjimi i Gadafit së shpejti do të jetë përfundimisht histori. Dhe asgjëje Algjeria nuk i druhet më shumë se sa kaosit në vendin fqinj. Qeveria ka frikë se terroristët dhe armët nga Libia mund të hyjnë në Algjeri dhe që edhe Algjeria të përfshihet nga vorbulla e konfliktit të Libisë.

Një frikë, që nuk mund të jetë e pabazë. Organizata terroriste "Al Kaida në Magrebin islam" kreu të premten një sulm vetëvrasës në një akademi ushtarake algjeriane, duke e arsyetuar me faktin që Algjeria mbështet fshehurazi Gaddafin. Akademia Ushtarake është simbol për regjimin algjerian. Nga sulmi u vranë 18 vetë. Algjeria ka marrë tashmë masat dhe e ka mbyllur thuajse krejtësisht kufirin me Libinë.

Autor: Marc Dugge / A. Verbica

Redaktoi: E. Xhani