1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirënjohje dhe keqardhje për dorëheqjen e Margot Käßmann

25 Shkurt 2010

Margon Käßmann dështoi në zyrën e kryetares së Kishës Evangjeliste. Për shkak të problemeve me alkohol, u detyrua të tërhiqet nga posti i kryetares së kësaj Kishe, që ka shkaktuar reagime të shumta.

https://p.dw.com/p/MAKq
Margot Käßmann
Margot KäßmannFotografi: AP

Në Berlin të gjitha janë të një mendimi sa i përket dorëheqjes së Margot Käßmann. Politikanët e të gjitha partive kanë shprehur keqardhje për këtë vendim të kryetares së Kishës Evangjeliste në Gjermani, e cila vendosi që të tërhiqet nga postet e saja të larta. Käßmann ka dhënë dorëheqje për shkak se në fundjavën e kaluar është kapur nga policia duke ngarë një makinë në gjendje të pirë. Kisha Evangjeliste në Gjermani ka humbur një ipeshkves e cila me të drejtë ka gëzuar respekt edhe jashtë kësaj Kishe, deklaroi përfaqësuesja për fe e partive të Unionit CDU/CSU, Maria Flachsbarth. Ndërsa zëvendëskryetari i Parlamentit gjerman Wolfgang Thierse shpreh keqardhje për këtë ngjarje.

„Shpresoj shumë se vendimi nuk do të përcillet me përbuzje në opinionin gjerman. Të gjithë ata që kërkojnë masa radikale duhet ta dinë se edhe njerëzit më të ngritur mund të bëjnë gabime. Edhe këto gjëra dëshmojnë se të gjithë ne jemi njerëz të vërtetë."

Käßmann "zë i guximshëm"

Zëdhënësi për çështjet fetare i partisë E Majta, Bodo Ramelow kumtoi se Käßmann është një zë i guximshëm brenda Kishës Evangjeliste gjermane, e cila në të gjitha debatet shoqërore ka gjetur fjalë të qarta. Ai shpreson se debatet e filluara prej saj do të vazhdohen edhe prej pasardhësit.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel shpreh keqardhje për dorëheqjen e Margot Käßmann, sepse atë gjithmonë e ka parë si një përfaqësuese të sigurt për solidaritet dhe personalitete të fuqishme, e cila ka mësuar që të ndërlidhë teologjinë me përvojat e jetës. Käßmann ka treguar gjithmonë guxim për t'u futur në debate si brenda Kishës Evangjeliste ashtu edhe jashtë saj. Ai shpreson se Käßmann edhe më tej do të flas hapur për gjërat. Deputetja ekologjiste Katrin Göring-Eckart është kryetare e Sinodit.

„Sot jam shumë e pikëlluar për shkak të dorëheqjes së Margot Käsßmann. Margot Käßmann i ka sjellë Kishës Evangjeliste hare, linja të qarta dhe një zë për drejtësinë në çështjet më të rëndësishme sociale. Ajo do të na mungojë në këto gjëra. Qëndrimi i saj i drejtë dëshmohet edhe me këtë vendim që të tërhiqet nga posti, që ne e mbështesim dhe e respektojmë."

Keqardhje edhe nga Kisha Katolike

Mirënjohje për vendimin dhe keqardhje për largimin e saj ka shprehur edhe Kisha Katolike. Kryetari i Konferencës së Peshkopëve, Robert Zollitsch, në Frajburg deklaroi: „Personalisht më vjen keq për dorëheqjen e zonjës Dr. Käßmann. Unë e njoh zonjën Käßmann si një njeri që ishte e gatshme të marrë përgjegjësinë dhe që kurrë nuk ka ikur nga detyrat e vështira. Personalisht i kuptoj shkaqet e tërheqjes së saj dhe e respektoj këtë vendim. Në lutjet e mia do të mendojë për te dhe i uroj shumë forcë në këtë situatë aspak të lehtë."

Zollitsch tha se do të përpiqet që të kontaktojë sa më parë me Margot Käßmann dhe shpreson se edhe pasardhësi do të vazhdojë angazhimin për vlerat ekumene.

Autor: Bettina Marx/Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti