1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirëseardhje në vend të murit ndarës në firmat gjermane

Matilda Duda-Jordanova / Lindita Arapi28 Dhjetor 2012

Shumë firma kërkojnë punëtorë jashtë vendit. Emigrantët për vite të tëra liheshin mënjanë. Tani firmat ngrenë programe të posaçme mirëseardhjeje. Po si funksionojnë ato?

https://p.dw.com/p/17AE3
Fotografi: picture-alliance/dpa

Firma private "Teckentrup" në Verl të landit Renani Veriore-Vestfali është ndër prodhuesit më të mëdhenj të dyerve dhe dritareve në Europë, aktualisht në kërkim të fuqisë së kualifikuar punëtore. Tashmë përfaqësuesit e firmës Teckentrup kanë filluar të kërkojnë praktikantë dhe punonjës ndër emigrantë. Por dihet që kush do të bëjë punë të tjera veç ndihmësit të thjeshtë, duhet të ketë një nivel të caktuar gjuhësor. Pikërisht për këtë arsye, Teckentrup organizon njëherë në vit kurse të gjermanishtes - ku njohuritë që jepen lidhen edhe me terminologjinë e vendit të punës. Kai Teckentrup, drejtuesi i firmës pohon se se shumë pak vetë vijnë në kurs kur shohin lajmërimin, me gjasë nga droja se mos kuptohen që kanë njohuri të dobëta të gjermanishtes.

"Prandaj ne po përdorim lidhje të tjera me qëllim që t'i bindim punëtorët", thotë ai. Të gjitha grupet etnike kanë një ndërmjetësues jozyrtar që mbledh si të thuash dëshirat e tyre dhe mund t'ia transmentojë ato shefit. "Në një firmë me 850 punëtorë, ata njihen shpejt me njëri-tjetrin. Në rast se vihet njoftimi për një kurs gjermanishteje përmes ndërmjetësuesit, atëherë në kurs vijnë tre ose katër herë më shumë punëtorë.

Dosje informative dhe burokracira

Me urgjencë kërkohen akademikë apo forca të kualifikuara të nivelit të mesëm profesional në disa degë. Në të ardhmen kjo do të bëhet edhe më e vështirë për shkak të ndryshimeve demografike. "Në rast se nuk bëj asgjë sot, atëherë nuk kam punëtorë", shprehet drejtuesi Kai Teckentrup. Për këtë arsye ai organizon workshop-e ndërkulturore për kolektivin e punës. Të jesh i mirëseardhur do të thotë të mos e fshehësh identitetin tënd.

Njohja me metodat e punës tek Teckentrup
Njohja me metodat e punës tek TeckentrupFotografi: Teckentrup

Alexander Böhne, ekspert për politikën e personelit në Unionin Gjerman të Shoqatave të Punëdhënësve shpjegon se ku mund të ndihmojnë punëdhënësit. "Fillimi ka të bëjë me gjëra të së përditshmes. Kush vjen nga jashtë nuk e di si funksionojnë kopshtet apo shkollat këtu." Böhne vlerëson si shumë të rëndësishme dosjet me informacione apo adresat e nevojshme në mënyrë që të ardhurit të orientohen sa më mirë. Po ashtu e rëndësishme është edhe ndihma në kryerjen e procedurave zyrtare përmes shoqërimit të të sapoardhurit.

Kultura e mirëseardhjes nuk ka pse të jetë e kushtueshme

Shoqata ka përpiluar konceptin e kulturës së mirëseardhjes. Aty mund të gjesh gjithçka nga qarqet letrare, mbrëmje gatimi për të punësuarit e ardhur nga kultura të ndryshme deri tek respektimi i veçorive kulturore apo miratimi i pushimeve të zgjatura në vendlindje për punëtorët emigrantë. Böhne: "Ne kemi prezantuar qëllimisht edhe firma të vogla për të theksuar se krijimi i një kulture të mirëseardhjes nuk ka pse të jetë shumë i kushtueshëm." Nuk ka pse të tjetë edhe një çështje për të ngarkuarin për integrimin apo detyrë e një kolegu gjerman. "Në rastin më ideal edhe një koleg turk mund të mirëpresë kolegun spanjoll dhe mund ta ndihmojë atë për t'u integruar në Gjermani."

Punonjës të SAP-s në Gjermani
Punonjës të SAP-s në GjermaniFotografi: SAP

Ndihma më e rëndësishme vjen nga kolegët

Ndërsa në koncernin e njohur SAP, sektori i "Human Resources" ndihmon të sapoardhurit edhe në gjetjen e banesës, të regjistrimeve në zyrat e gjendjes civile apo të patentës, për kurse trajnimi të gjuhës etj. "Por idetë më të rëndësishme për shembull për mjekët e mirë, apo restorantet e mira vijnë gjithmonë nga vetë kolegët", thotë Jana Schupper , zëdhënësja e shtypit të SAP.