1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mission Impossible: Grekët kundër kursit të ashpër të kursimeve në Greqi

19 Tetor 2011

Qindëra mijëra demostrues protestuan të mërkurën në manifestimin më të madh të dekadave të fundit në qendër të Athinës. Përleshje të ashpra me policinë ishin epilogu i kësaj proteste masive.

https://p.dw.com/p/12vSX
Trazira gjatë protestës
Trazira gjatë protestësFotografi: picture-alliance/dpa

Sot, (19.10) në ditën e parë të grevës dyditëshe të përgjithshme të sektorit publik dhe privat, që paralizoi Greqinë, në qendër të Athinës u mbajt manifestimi më i madh i dekadave të fundit. Qindra mijëra demonstrues përfunduan para parlamentit duke manifestuar kundër kursit qeveritar të kursimeve të rrepta dhe troikës dhe duke kërkuar nga deputetët që t'i thonë “jo” multi-projektligjit. Në fund të manifestimit edhe një herë sheshi Sintagma u shndërrua në shesh beteje nga konfrontimet e autonomëve me policinë, shkatërrimet dhe zjarret, kurse lëndët kimike krijuan atmosferë mbytëse. Tension pati dhe në protestat në Vollos dhe Selanik.

Dita e parë e grevës së përgjithshme dyditëshe të sektorit publik dhe privat që shënon dhe kulmin e cunamit të grevave kundër multiprojekt-ligjit, që diskutohet dhe pritet të aprovohet nesër në parlament, shënoi dhe protestën më të madhe të punonjësve të dekadave të fundit në qendër të Athinës. Qindëra mijëra demostrues të mbledhur në dy manifestime të veçanta, që në orët e para të mëngjesit, në sheshin Areos të dy sindikatave më të mëdha të sektorit publik dhe privat GSEE dhe ADEDY dhe në Omonia të Partisë Komuniste, marshuan nëpër dy bulevardet kryesore të Athinës dhe përfunduan para parlamentit grek.

Sindikalistët kundërshtojnë kursin e kursimeve
Sindikalistët kundërshtojnë kursin e kursimeveFotografi: dapd

Sindikalistët: Qeveria dhe troika zbatojnë politikë antipopullore

Rreth 100.000 demostrues manifestuan kundër kursit qeveritar të kursimeve të rrepta dhe troikës dhe kërkuan nga deputetët që të votojnë kundër multi-projektligjit të shkurtimeve drastike dhe taksave deri në vitin 2015 që hap dritën jeshile dhe për lëvrimin e këstit të 6-të të ndihmës prej 8 miliardë eurosh. “Sot edhe nesër mbahet greva më e madhe, lëvizja më e madhe e popullit grek kundër masave të padrejta dhe antipopullore që qeveria në bashkëpunim me troikën zbatojnë në kurriz të popullit grek” deklaroi Janis Panagopullos, presidenti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë.

“Është çështje kohe përmbysja e kësaj politike që drejtohet kundër popullit, shoqërisë dhe njerëzve të mundit” deklaroi nga ana e tij Kostas Cikrikas, kryesindikalisti i punonjësve të sektorit publik që këto ditë mbajnë të zaptuara edhe ministritë kryesore për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj lirimeve nga puna përmes “rezervave të punës” dhe shkurtimit drastik dhe horizontal të pagave dhe pensioneve. “Jam punonjës i 1.240 eurove në këto momente, jam 46 vjeç dhe nuk mund të pranoj që me këtë projekt-ligj të vihet guri i fundit mbi varrin e rrogëtarëve” thotë Dë Kostas Kostandopullos, punonjës i transportit hekurudhor të Athinës dhe Pireut.

Sheshi Sintagma në flakë dhe në tym

Epilogu i këtij manifestimi qytetarësh paqësorë, që në të shumtën e rasteve ishin me gjithë familjet e tyre, e shndërroi sheshin Sintagma dhe rrugën në hyrje të parlamentit, në bulevardin Vasilisis Sofias, ku ishte vendosur gardhi i hekurt, në shesh beteje midis autonomëve dhe policëve që përdoren gjerësisht lëndë kimike për të zbrapsur demonstruesit. U bënë shkatërrime në fasada ndërtesash, automjete si edhe një bankë u përfshinë në flakë nga sulmet e autonomëve që policia me gjithë efektivat e saj prej 20.000 vetësh dhe një herë nuk mundi t'i parandalojë. Gjashtë qytetarë dhe katër policë u lënduan. Nga flakët nuk shpëtoi as truproja e ushtarit të panjohur.

Debat i ashpër dhe atmosferë e elektrizuar në parlament

Ndërkohë brenda në parlament zhvillohej një debat i ashpër mbi multi-projektiligjin midis pozitës dhe opozitës. Atmosfera u elektrizua edhe më tepër kur pozita shtroi edhe një herë dilemën “ose votojmë pro ose fundosemi”. “Në qoftë se ky projektligj nuk do të votohet, qeveria nuk do të mund të përfaqësojë vendin në samitin evropian, nuk do të mund të negociojë” ishin fjalët e ministrit të Financave Evangjellos Venizellos. Qeveria jeton me ankthin e votës së deputetëve të saj, që përballë presionit të madh të elektoratit të tyre dhe jehonës së grevave të papara mund të tërhiqen dhe të thonë “jo”. Vetë kryeministri Papandreu në tone dramatike i kërkoi grupit parlamentar të partisë së tij që të japë “votën e tij historike” për shpëtimin e vendit.

Opozita e djathtë refuzon ftesën e Papandreut për konsensus politik

Papandreu dështoi ndërkohë edhe një herë në përpjekjen e tij për të siguruar konsensusin e opozitës, pas takimit që pati me krerët e saj partiakë. Kreu i Demokracisë së Re Andonis Samaras iu përgjigj negativisht ftesës së kryeministrit për të shkuar së bashku në samitin evropian, duke fajësuar për këtë Papandreun. “Me një njeri që ndodhet në panik dhe shan çdo njeri nuk kam për të thënë asgjë” deklaroi Samaras pasi gjysëm ore më parë Papandreu kishte akuzuar partinë e tij se “siluron unitetin kombëtar dhe kultivon përçarjen” me qëndrimin e saj kategorik kundër politikës së ndjekur.

Brenda dhe jashtë parlamentit me debatet dhe protestat, që do të vazhdojnë dhe nesër, atmosfera mbetet tejet e tensionuar. Orët janë kritike dhe asnjë nuk mund të paragjykojë rezultatin e votimit nesër në mbrëmje. “Në këto momente përplasen dy Greqi: Greqia e nënshtrimit… dhe Greqia e krenarisë” ishin fjalët e kreut të së majtës Aleksis Cipras pas takimit me kryeministrin duke parashpallur fitoren e së dytës. Pavarësisht rezultatit të votimit të nesërm historia është ajo që do të gjykojë se kush ka të drejtë kryeministri dhe qeveria e tij apo opozita e majtë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi