110112 USA Präsidentschaftsvorwahl
11 Janar 2012Për Mitt Romneyn gara në New Hampshire ishte një lojë në fushën e vet. Në këtë shtet 64-vjeçari është i njohur, zotëron një shtëpi pushimesh dhe nga 2002 deri në 2006 ka qenë guvernator i Massachusettsit fqinj. Kësisoj pyetja ishte në fakt, se sa e thellë do të ishte fitorja e Romneyt. Me 39 për qind avantazhi ndaj të dytit, Ron Paul, i cili arriti 23 për qind, ishte shumë i kënaqshëm.
Me shanse të mira
Ndaj gjatë fjalës së tij të fitores në mbrëmje Mitt Romney ishte dukshëm i kënaqur: "Sot kemi shkruar histori", thirri ai në drejtim të përkrahësve brohoritës. Vërtet, prej 1976-s asnjë favorit republikan për kandidaturën e presidentit nuk ka fituar si Iowan ashtu edhe New Hampshirein. Fakti që fitorja e Romneyt në Iowa ishte gjithë-gjithë tetë vota, nuk luan më rol në këtë mes. Me këto dy fitore ai ka tani erë të konsiderueshme në shpinë për raundin eliminator në South Carolina. Dhe sikur të fitojë edhe atje, "atëherë e ka praktikisht në xhep emërimin," shpjegoi në një konferencë telefonike me gazetarë të huaj Andrew Smith, politolog i Universitetit New Hampshire.
Fjalim prej burri shteti i fituesit
Për këtë arsye Romney u paraqit krejt presidencial dhe në fjalimin e tij nuk u ndal te konkurrentët në kampin e vet. Ai sulmoi presidentin Obama: "Ky president frymëzohet nga kryeqytetet e Evropës, ne frymëzohemi nga qytetet e fshatrat në gjithë Amerikën", tha ai dhe vijoi: "Ky president beson te qeveria, ne besojmë te amerikanët." Romney përsëriti formulën magjike të konservatorëve, se do të zvogëlojë ndikimin e qeverisë në Uashington te amerikanët si dhe huat e shtetit. Romney ceku edhe politikën e jashtme: "Në rrafshin ndërkombëtar presidenti Obama ka futur një strategji të të marrit me të mirë, ai beson se roli i Amerikës si drejtues i botës i përket së kaluarës." Përkundrazi, tha Romney, unë kam pikëpamjen: "Amerika duhet dhe ka për ta drejtuar të ardhmen" dhe unë "do të këmbëngul për një ushtri që është aq e fuqishme, saqë askujt as të mos i shkojë ndër mend ta sfidojë."
I dyti në garë shpreson për ndikim
Mirëpo, gara ende nuk është vendosur, sfiduesit e Romneyt marrin edhe më tej pjesë. I dyti, Ron Paul, ishte gjithashtu i entuziazmuar prej rezultatit të tij të mirë. Kongresmeni nga Teksasi pati zënë në Iowa vendin e tretë, mirëpo hovi i tij mund të shuhet më e vona në zgjedhjet e radhës në South Carolina, kur makineria fushatbërëse të zhvendoset nga shtetet e vogla në ato të mëdha dhe ku në vend të përkrahësve entuziastë, te të cilët i var shpresat Paul, vlen paraja.
Pjesëmarrësi i tretë
Jon Huntsman u gëzua për vendin e tretë. Ai ka shërbyer së fundi si ambasador i presidentit Obama në Kinë. Në Iowa ai pak a shumë nuk ishte i pranishëm, po pati investuar tërësisht te New Hampshirei. Një strategji kjo që ia vlejti.
Autor: Christina Bergmann/Elert Ajazaj
Redaktoi: Lindita Arapi