1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mitt Romney - Politikan, menaxher, mormon

6 Mars 2012

Mitt Romney është favorit në garën për kandidaturën e republikanëve për president në SHBA. Por karriera e tij e suksesshme si menaxher dhe besimi mormon ia vështirësojnë atij luftën elektorale.

https://p.dw.com/p/14FOC
Mitt Romney - A do ta fitojë ai garën në super të martën paraleketorale?Fotografi: Reuters

"Ai i ka bindur njerëzit, sepse ka qenë kompetent."  Tony Kimball është ulur në kolltukun e veshur me stof në ngjyrë të kuqe të vjetër në sallën e përbashkët të kishës mormone në Belmont. Këtu, në lagjen në perëndim të Bostonit, Mitt Romney në vitet 80-të ka drejtuar vullnetarisht shkollën e së dielës, fillimisht për pesë vjet si peshkop i komunitetit të vogël. Aspiranti për president asokohe nuk ishte as 30 vjeç, kur në vitin 1986 u ngarkua me përgjegjësinë ndaj një duzine komunitetesh mormone përreth Bostonit, tregon Kimball, i cili ka bashkëpunuar me të për shumë vjet:  "Mitt ishte i ri kur e emëruan president të dioqezës, por askush nuk u ankua, sepse njerëzit e respektonin atë." Djaloshi i pashëm ndërkohë ndodhej në rrugën e karrierës së një biznesmeni të suksesshëm.

Romney u diplomua në Universitetin Harvard në Boston, në një degë të veçantë studimi, që i mundësoi atij njëkohësisht dy diploma: si ekonomist dhe si jurist. Vetëm afro dhjetë studentë pranoheshin çdo vit për këtë studim voluminoz, ai që donte të pranohej, duhej të ishte veçanërisht i zgjuar.

Angazhim i palodhur për firmën

Puna intensive dhe me këmbëngulje s'ka qenë asnjëherë problem për Romney. "Ka pasur një kohë", tregon Tony Kimball në kishën, që ndodhet në rrëzë të tempullit të madhtë mormonëve, "kur ne as që e shihnim atë si president të dioqezës, asokohe ai shpëtoi Bain & Co, dhe ata takoheshin 20 orë në ditë."  Në vitin 1978 Romney nisi të punojë tek Bain & Co, një ndërmarrje konsulence në Boston, në të cilën ai arriti të bëhet zëvendëspresident i firmës. Në 1984 ai u bë partner bashkëthemelues i Bain Capital, një shoqëri investimesh, e cila blinte firmat e rrezikuara nga falimentimi, i ristrukturonte ato dhe më pas i shiste me fitim. Kur firma amë ishte në vështirësi, Romney e morën sërish. Ai ia doli me një angazhim të madh që ta shpëtojë firmën.  Kjo ndodhi në vitet 1990 - 1992. "Ann, gruaja e tij, më vonë qe shprehur, se shumica e çifteve nuk i mbijetuan kësaj krize", sqaron Tony Kimball.



Ish-kolegu i Romney tek firma Bain, Geoffrey Rehnert, kujton: "Të punoje me Mitt ishte një sfidë, ai të raskapiste dhe ishte me shumë pretendime",  shkruan ai në një E-Mail, "por nga ana intelektuale ai ishte shumë tërheqës dhe asnjëherë i mërzitshëm." Romney gjithmonë i vinte "para sfidash punonjësit dhe kolegët e tij për të gjetur zgjidhje më të reja dhe më të mira." Të tjerë, që kanë punuar me të, tregojnë, se ai gjithmonë ua jep fjalën të dyja palëve. Ai është  analitik, që vendos mbi bazën e fakteve. Ndjenjat nuk luajnë rol. Si menaxher ky është një avantazh. Ndaj si luftëtar në garë elektorale ai të le përshtypjen si i distancuar dhe pa bindje të vërteta.

Fitim me çdo kusht

Mbi 100.000 vende pune ka krijuar tek Bain Capital, krenohet Romney. E megjithatë biznesmeni nxirrte edhe fitim, kur një firmë falimentonte, shitej dhe punonjësit pushoheshin nga puna.  Një variant i kapitalizmit, që i ka sjellë atij mjaft kritika nga radhët e partisë së vet në fushatën elektorale. Në radhë të parë Newt Gingrich, ish zëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, i është kundërvënë ashpër atij me kritika.  Në një sërë debatesh televizive ai e ka akuzuar atë, se po shkatërron vendet e punës.

Romney ende përfiton nga koha që ka qenë tek Bain në Boston, këtë e dëshmon deklarimi i fundit i tatimeve të tij. Në vitin 2010 të ardhurat e tij ishin 21,6 milionë dollarë. Pasuria e tij po i krijon telashe atij në fushatën elektorale, sepse fare hapur ai flet për dy Cadillac-ët e gruas së tij dhe të miqve të tij, të cilët posedojnë ekipe të garave me makina. Tek zgjedhësit, të cilëve u duhet të shtrëgojnë rripin, një gjë tillë nuk ngjall simpati.

Miliona dollarë për qëllime bamirësie

Romney mund të tërheqë vëmendjen, se vetëm në vitin 2010 ai ka dhënë gati tre milionë dollarë për qëllime bamirësie. Plot 1,5 milionë prej tyre i janë dhënë kishës Jezu Krishti i Të shënjtëve të Ditëve të Fundit. Ky donacion përbën një të dhjetën e të ardhurave të saj. Por  Romney nuk flet për këtë. Mormonët janë të tërhequr me deklarimet publike mbi besimin.

Mitt Romney nuk vjen nga familje e varfër. Babai i tij, menaxheri i automobilëve George Romney, ka qenë nga vitit 1963 deri në 1969 guvernator i Miçiganit.  Romney lindi atje, në qytetin e automobilëve Detroid,  më 12 mars 1947. Ai u rrit në një nga lagjet e mira në perfieri të Detrodit. Siç është zakon tek mormonët, ai dy vite i kaloi si misioner jashtë vendit, në Francë, ku mësoi edhe frëngjishten.

Ambicjet e para politike Romney i demonstroi në vitin 1994, kur në Masashuset në zgjedhjet për senatin hyri në garë kundër Ted Kennedy, ikonës ultra-liberale të demokratëve. Ai dështoi, sepse asokohe atij i mungonte instikti i luftëtarit, thekson Ron Scott, i cili ka ndjekur karrierën politike të babait të Romeny dhe ka shkruar një biografi për Mitt Romney: "Ai ishte një djalosh shumë i mirë, dhe kjo i kushtoi atëhere me humbjen." Tani kjo ka ndryshuar, thotë Scott.

Ndryshimi është mëse evident. Qysh në garën e tij të parë për kandidaturën presidenciale të republikanëve katër vjet më parë, tregojnë njerëzit në Masashuset, ai udhëtoi në mbarë vendin, duke mos i sjellë gjë shtetit federal, ku ai ishte guvernator. Me furinë e makinerisë multimilionëshe  të luftës elektorale prej javësh Romney iu është kundërvënë konkurrentëve të tij.
Pas fitores së tij në Karolinën e Jugut, Newt Gingrich nëpër sondazhe gjithashtu po tërhiqte elektorat në Florida, njerëzit e Romeny nisën një fushatë masive me spote negative në televizion kundër konkurrentëve. Kjo pati rezultat: Romeny fitoi në Florida me një avantazh të lartë prej rreth 14 përqind.

Duket se Mitt Romney është i varur tani nga mbështetja e një fushate masive negative. Edhe në shtetin e tij Miçigan atij iu desh të luftojë për një fitore të ngushtë. Ai jo vetëm e ka të vështirë t'u flasë personalisht zgjedhësve republikanë, por ata nuk u besojnë as pohimeve të tij për vlerat konservatore. Kjo ndër të tjera ka të bëjë me atë, që për shumë tema më parë ai ka pasur pikëpamje të tjera. Gjatë luftës elektorale kundër Ted Kennedy në Masashusetin liberal ai ka qenë pro së drejtës së abortit, ndonëse kjo është në kundërshtim me besimin mormon.

Që Romney është mormon, këtë ai pothuajse nuk e ka përmendur asnjëherë në karrierën e vet politike. Ron Scott, i cili gjithashtu i përket këtij besimi, deklaron:  "Unë besoj se këshilltari i tij i ka thënë, që besimi mormon ende vazhdon të konsiderohet si i veçantë, dhe se njerëzit mundohet t'i qëndrojnë sa më larg të jetë e mundur." Scott shpreh keqardhjen për këtë: Sepse si rjedhojë ai nuk do të flasë as për ato aspekte të besimit të tij, që e bëjnë atë një president më të mirë - p.sh. përvoja që ka pasur duke këshilluar njerëzit në vështirësi - një nga detyrat e tij kjo si peshkop i komunitetit mormon. Por baza republikane, në të cilën bëjnë pjesë shumë të krishterë evangjelistë, i sheh me skepticizëm mormonët.

Reforma shëndetësore një pengesë

Kësisoj Romney ndonëse nuk e ka ndryshuar besimin e tij, ai u është përshtatur pikëpamjeve të bazës konservatore. Tani ai shprehet kundër abortit dhe kundër reformës shtetërore të shëndetësisë të presidentit Obama. Ndërkohë që ai vet si guvernator i Masashuset ka ngritur në fuqi pikërisht një reformë të tillë. Brian Rosman, drejtor i sektorit të studimeve në shoqatën e interesit "Health Care for All" në zyrën e tij në qendër të Bostonit ende vazhdon ta ketë një biletë hyrjeje për në ceremoninë e nënshkrimit më 12 prill 2006: "Ai nënshkroi me ceremoni të madhe, në Faneuil Hall, shtëpinë historike, ku patriotët kanë debatuar për revolucionin amerikan. Ceremonia u zhvillua me bori e trumpeta, me instrumenta e kostume historike".

Rick Santorum, i cili ka qenë senator nga Pensilvania, dhe konkurrent i Romney ne luftën për kandidaturën, shfrytëzon tani pikërisht këtë si argument:  që Romney nuk ka asnjë shans kundrejt presidentit Obama, sepse ai nuk mund ta refuzojë në mënyrë bindëse reformën e tij në shëndetësi.  Në Boston asokohe Romney qëndronte në një skenë të madhe të mbushur plot e për plot me demokratë, republikanë, mjekë, përfaqësues të shoqërive të sigurimeve dhe pacientë - të gjithë bashkë festonin kompromisin, tregon Rosman. Rosman nuk e kupton, se përse tani Romney deklaron, që është kundër ligjit në nivel federate: "Kjo duket e pasinqertë, kaq pak integër, kur ai e di, që ne këtu kemi arritur diçka të mirë."

Forca e Romney është organizimi, menaxhimi, dhënia e drejtimit. Lojërat Olimpike 2002 në Salt Lake City ai i ktheu në një sukses financiar. Por ai e ka të vështirë të vendosë kontaktin me qytetarët e zakonshëm. Në sindikatën e sektorit të shërbimeve publike, SEIU, e cila përfaqëson kryesisht të punësuarit në sektorin e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale, nuk e preferojnë ish-guvernatorin. Shefi i kuadrit Cliff Cohn thotë: "Legjislativi pati vënë në dispozicion 20 apo 30 milionë dollarë për rritjen e rrogave të nëpunësve, por veprimi i fundit i Romney si guvernator ishte vendosja e vetos kundër rritjes së rrogave."

Në garën paraelektorale i spostuar më shumë djathtas?

Mitt Romney është i lidhur fort me besimin e tij. Ai vazhdmisht vjen në komunitetin e kishës në Belmont të Bostonit. Vitin e kaluar Tony Kimball bisedoi me të për Krishtlindje. Kimball është pensionist dhe ka qenë docent në universitet, ku ka dhënë lëndët e drejtë shteti dhe politikë. 72-vjeçari nuk mund ta kuptojë, se si papritur Romney përfaqëson tani vlera ekstreme konservatore. Për zgjedhësit që ndryshojnë kahun dhe liberalët, mendon Kimball, por sipas tij në një luftë elektorale kundër presidentit Obama, ky Romney vështirë se mund të zgjidhet. Edhe ndër mormonët luajaliteti ka kufij. Për Tony Kimball një gjë është e qartë, nëse Mitt Romney bëhet kandidati i republikanëve për president: "Ai me siguri që nuk e merr votën time."

Por ende nuk ka arritur puna deri atje. Këtë të martë Mitt Romney fillimisht duhet të bindë republikanët në dhjetë shtete federale, se ai si politikan mund të jetë po aq i mirë sa edhe si një besimtar mormon  dhe si menaxher i suksesshëm.

Autor: Christina Bergmann / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Angjelina Verbica

Mitt Romney
Mitt RomneyFotografi: picture alliance/landov
Mitt Romney mit Ehefrau Ann nach der Wahl in Iowa
Mitt Romney me gruan e tij Ann pas zgjedhjeve në IovaFotografi: AP Photo