1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moldavi: Rrezik për falimentim të shtetit

Calugareanu, Vitalie/Schwartz, Robert11 Qershor 2015

Kryeministri moldav paralajmëron për rrezikun e falimentimit të shtetit. Në rrezik është dhe zbatimi i marrëveshjes së asociimit me BE-në.

https://p.dw.com/p/1Ff79
Fotografi: zelb.md

Kryeministri Chiril Gaburici i akuzoi politikanët moldavë se e kanë lënë vetëm në një kohë kur vendi ndodhet para një kolapsi të mundshëm financiar. Pa një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar është e pamundur që të shmanget një falimentim i shtetit, deklaroi Gaburici. FMN-ja kërkon para nënshkrimit të një marrëveshje, shpërbërjen e tri bankave moldave ("Banca de Economii", "Banca Sociala" dhe "Unibank"), rë cilat janë të përfshira në skandalin e zhdukjes së miliarda dollarëve. "Pa marrëveshjen me FMN-në na kërcënon falimentimi i shtetit. Ne duhet të kontrollojmë numrin e përgjithshëm të nëpunësve civilë" tha Gaburici.

Asnjë mbështetje politike për Gaburicin

Chiril Gaburici
Chiril GaburiciFotografi: picture alliance/dpa/D. Doru

Një mision i FMN-së pritet në Chisnau më 15 qershor, një ditë pas zgjedhjeve lokale në Moldavi. Disa përfaqësues të partive në pushtet e kanë kundërshtuar deri tani në mënyrë strikte mbylljen e tri bankave të lartpërmendura. Kryeministri Gaburici vuri në dukje se problematike janë jo vetëm këto banka, por veçanërisht korrupsioni i përhapur dhe kriza e përgjithshme.

Moldau Banca de Economii
Fotografi: DW/ J.Semenowa

Në një letër të hapur drejtuar presidentit moldav dhe parlamentit Gaburici kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të guvernatorit të Bankës Kombëtare dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai i akuzon ata se kanë vepruar në mënyrë "të dyshimtë dhe joadekuate" në rastin e skandalit bankar. Nëse ata nuk japin dorëheqjen brenda një muaji, Gaburici tha se do të paraqesë dorëheqjen e tij.

Në përgjigje të letrës së hapur kryetari i parlamentit Andrian Kandu e akuzoi kryeministrin se i ka vënë qeverisë publikisht një ultimatum dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar komunikimin institucional. Kandu tha se është jokushtetuese kur një kryeministër u vë ultimatum presidentit dhe kryetarit të Parlamentit.

Mua nuk më mbeti zgjidhje tjetër për t'i vënë "gjërat në lëvizje" dhe për të tërhequr vëmendjen për rrezikun e dështimit të mundshëm të negociatave me FMN-në, u përgjigj Gaburici . "Së shpejti janë zgjedhjet lokale, të gjithë politikanët janë në fushatë. Unë jam vetëm, duke u përpjekur për të përgatitur takimin me FMN-në. Por deri tani nuk ka asnjë lëvizje as nga ana e prokurorisë, as në Bankën Kombëtare," tha i zemëruar Gaburici.

Tri banka të tjera në shënjestër

Ștefan Creangă, anëtar i Komitetit të Financave në Parlamentin moldav, i ka kërkuar ndërkohë Bankës Kombëtare që t'i inspektojë të gjitha bankat e vendit. Creangăs dyshon se bankat "Moldindconbank", "Moldova-Agroindbank" dhe "Victoriabank" kanë bërë veprime të parregullta.

Sipas ekspertëve financiarë nga Kishinau falimentimi i shtetit do të sjellë me vete jo vetëm pushime nga puna, por do të thotë gjithashtu edhe mospagimin e rrogave të nëpunësve civilë dhe të pensioneve. Po ashtu do të jetë në rrezik edhe zbatimi i marrëveshjes së asociimit me BE-në, që u nënshkrua vitin e kaluar.

Mendohet që në vitin 2015 borxhet e jashtme të Republikës së Moldavisë do të përbëjnë 100 % të PBB-së. Në maj, FMN-ja i korrigjoi parashikimet ekonomike për Moldavinë. Ekspertët mendojnë se rritja e parashikuar ekonomike prej 3.5 për qind në fillim, do të jetë rreth një përqindje më e ulët. Kurse borxhi i vendit pritet sipas FMN-së që të rritet me 52 për qind. Kjo do të jetë rritja më e madhe në Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe do të përbëjë 48 për qind të PBB-së. Vitin e kaluar ky borxh ishte 31.5 për qind.

FMN-ja ka ndërprerë dy vjet më parë marrëdhëniet e saj me Moldavinë për shkak se qeveria në Kishinau nuk i kishte përmbushur detyrimet e saj kontraktuale.