1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për euron dhe kundër kursimeve

Jannis Papadimitriou/ Eliana Xhani17 Qershor 2012

Garë kokë më kokë mes konservatorëve dhe partisë së majtë. Në lojë është qendrimi i vendit në eurozonë. Brenda pak javësh grekët zgjedhin sot për herë të dytë një parlament të ri.

https://p.dw.com/p/15FqC
An elderly supporter of New Democracy party waves a Greek flag in front of a smoke from flairs during an election rally at Syntagma square in Athens, Friday, June 15, 2012. Greeks cast their ballots this Sunday for the second time in six weeks, after May 6 elections left no party with enough seats in Parliament to form a government and coalition talks collapsed. (Foto:Petros Karadjias/AP/dapd)
Fotografi: AP

Në zgjedhjet e kaluara grekët u dhanë një vërejtje të fortë partive popullore. Por sot (17.06.12) në lojë është shumë më tepër se kaq: në plan të parë është pyetja nëse Greqia do të vazhdojë të jetë anëtare e eurozonës. Sipas sondazheve 75 për qind e grekëve janë për euron por kundër kursit të kursimeve në formën aktuale. Nga kjo situatë kontradiktore përpiqen të fitojnë kapital të gjitha partitë.

Konservatorët, tradicionalisht më pranë ekonomisë, e shohin veten si garantë të karakterit evropian të vendit, por flasin edhe për mundësinë e zbutjes së masave të kursimit. Partia e majtë Syriza e ka shpallur të pavlefshëm programin e kursimeve, por angazhohet për qendrimin e Greqisë në Eurozonë.

Eurodeputeti i majtë Nikos Chountis është i sigurt: ashtu si në zgjedhjet e kaluara zgjedhësit edhe këtë herë duan t'u japin një shuplakë në fytyrë partive të etabluara. "Pyetja e supozuar e së dielës 'euro apo dhrami' nuk shtrohet fare për diskutim, kjo pseudodilemë sjell vetëm çorientim të zgjedhësve", beson eksperti i ekonomisë. Marrëveshja për masat e kursimit apo shpëtimit nuk përbën një bazë ligjore për qendrimin e Greqisë në Eurozonë. Përkundrazi, zbatimi i masave të kursimit është pikërisht ajo që do ta hedhë në humnerë Greqinë duke e nxjerrë edhe jashtë Evropës, mendon Chountis.

Eurodeputeti grek, Nikos Huntis
Eurodeputeti grek, Nikos HuntisFotografi: DW/ Papadimitriou

Polemikë për "një politikë tjetër"

Partia e majtë Syriza kërkon "një politikë tjetër" kundrejt kreditorëve të Greqisë. Se si do të jetë ajo saktësisht nuk është e qartë. Në fushatën elektorale kryetari i saj karizmatik Aleksis Cipras ka premtuar vazhdimisht se si kryeministër do të prapësojë vendimin për shkurtimin e pagave dhe do të rinegociojë me kreditorët e Greqisë. Ekonomisti i majtë Janis Dragasakis, i cili diskutohet tashmë si ministër i ardhshëm i financave, shprehet në mënyrë më diplomatike dhe deklaron se bëhet fjalë për t'i dhënë fund politikisht kursit të kursimeve dhe jo nga ana formale juridike.

Akuzës se figurat kryesore të së majtës kanë vështirësi të gjejnë një linjë të përbashkët, Nikos Chountis i përgjigjet se Syriza ka adoptuar në kohë për zgjedhjet parlamentare një program politik, dhe puna e saj duhet gjykuar në bazë të tij. "Nuk është e ndershme që të vendosen në peshore citate të ndryshme të së kaluarës për të krijuar atmosferë kundër së majtës", ankohet Chountis.

Frikë për dalje nga unioni monetar

Sipas njoftimeve në medie kompanitë bija të bankave të huaja që operojnë në Athinë po marrin masa për një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona. Por instituti më i madh i kredisë në vend "Banka Kombëtare e Greqisë" paralajmëron fare qartë nga dalja e vendit prej bashkimit monetar.

Në të njëjtën linjë janë edhe partitë e mëdha greke: konservatorët e Nea Dimokratia-s, që praqitet si partia e arsyes, thonë se do të angazhohen për qendrimin e Greqisë në Eurozonë pas zgjedhjeve. Syriza e majtë premton nga ana e saj se do të shfrytëzojë situatën e favorshme politike në Evropë për të rinegociuar programin e kursimeve. Një premtim i cili mirëpritet nga grekët.

Por Kostis Haxhidakis, ish ministri i Ekonomisë nga radhët e konservatorëve, nuk sheh hapësirë për negociim në programin e përcaktuar të kursimeve për Greqinë dhe druhet gjithashtu se një dalje nga Eurozona do t'i kushtonte shtrenjtë vendit:

"Ne përpiqemi t'u bëjmë të qartë zgjedhësve se ia vlen më mirë të qendrojmë në Eurozonë dhe të arrijmë më të mirën për vendin tonë me anë të negociatave serioze", thotë eksperti konservator i ekonomisë.

Greqi- Partitë takohen me presidentin Karolos Papulias
Greqi- Partitë takohen me presidentin Karolos PapuliasFotografi: picture-alliance/dpa

Shpresa ndërpartiake për zbutje të masave

Populli grek nuk ka më thuajse asnjë besim tek partitë e mëdha popullore. Në fund të fundit ato konsiderohen përgjegjëse për mjerimin e sotëm ekonomik të vendit. Edhe Kostis Haxhidakis tregon mirëkuptim për zemërimin e grekëve: "Njerëzit kanë humbur mirëqënien dhe punën, tani duhet të paguajnë edhe çmimin për rimëkëmbjen ekonomike." Por në situatën aktuale është veçanërisht e rëndësishme të tregohet unitet dhe të mos përsëriten gabime të vjetra, thekson politikani konservator.

Sipas së drejtë elektorale në fuqi dy javë para zgjedhjeve nuk lejohet të publikohen rezultate anketimesh. Por ekspertët janë megjithatë të një mendje se do të zhvillohet një garë kokë më kokë mes konservatorëve dhe partisë së majtë. Por shanse të mira ata shohin edhe për shumë parti të vogla dhe të protestës, në radhën e të cilave bën pjesë edhe partia radikale e djathtë "Agimi i artë".