1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Momente tensionimi mes Tiranës dhe Athinës

Arben Muka22 Gusht 2013

Megjithëse nuk thuhet zyrtarisht, shkaku thelbësor është çështja e debatuar e transferimit të pronësisë së një ndertese nga kisha ortodokse te autoritetet lokale të Përmetit, rreth 230 km larg Tiranës

https://p.dw.com/p/19UII
Fotografi: Fotolia/Matthias Krüttgen

Një vendim gjykate i ditëve të fundit ka rikthyer ambientet ku qe vendosur kisha ortodokse "Shën Maria e Pazarit" në qendër të qytetit juglindor të Përmetit, në pronësi të autoriteteve lokale. Deri në fund të viteve '90 ambjenti ka qenë pallat kulture, por më pas godina iu kthye Kishës Ortodokse, që e ka pretenduar gjithmonë si pronë të hershme të saj. Mes Kishës dhe Bashkisë së Përmetit është zhvilluar një betejë e gjatë ligjore, në të gjitha shkallët e gjykatave dhe më në fund me vendim të formës së prerë, para disa ditëve ambienti iu kthye bashkisë së qytetit.

Zbatimi i vendimit të gjykatës nga Zyra Përmbarimore u shoqërua me pëplasje mes anëtarëve të policisë private dhe një grup lokal të klerikëve dhe besimtarëve. Këta të fundit të revoltuar nga transferimi i ambjenteve të tyre kanë bërë rezistencë në 48 orët e fundit, madje dhe duke rihyrë me forcë dhe duke zhvilluar një meshë në kushte të pazakonta.

Griechenland illegale Immigranten Athen
Emigrantë shqiptarë në AthinëFotografi: DW

Ndërkohë në qytetin e Përmetit, paralel me tensionin mes përmbaruesve nga njera anë dhe klerikëve dhe besimtarëve ortodoksë nga ana tjetër, ka dhe përpjekje për gjetjen e një zgjidhje për të evituar aktet e dhunës - kjo situatë ka vështirësuar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.

Masa shtrënguese për qarkullimin e ndërsjellë

Efekti është ndierë në kufizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga të dy vendet. Athina zyrtare reagoi e para, duke dënuar dhunën ndaj besimtarëve e priftërinjve si dhe heqjen e simboleve fetare, duke i përshkruar ato si akte të papranueshme. "Shpresojmë që këto veprime të jenë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare"- thuhej në një qëndrimin zyrtar të ministrisë së jashtme helene.

Ndërkohë që kryeministri në largim i Shqipërisë, Sali Berisha pasi ka vlerësyar se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit të shtetit ligjor, ka shprehur rezerva për rolin e përmbaruesve, duke dënuar aktet e shvendosjes së objekteve të shenjta. Por nëpërmjet zëdhënëses së qeverisë, kryeministri e konsideroi si "të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e autoriteteve greke".

Griechenland / Akropolis / Parthenon / Athen
Fotografi: dapd

Radhët e gjata në kufi tërheqin palët

Krijimi i radhëve të gjata dhe atmosfera e acaruar e situatës në pikat e kalimit kufitar shqiptaro - grek i ka detyruar të dyja palët të tërhqen nga vendimet e tyre, duke ju rikthyer normalitetit të lëvizjes së lirë në mënyrë të ndërsjellë. Kjo u reflektua dhe pasditen e së mërkurës, kur në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, u thirr për shpjegime ambasadori grek Leonidas Rokanas.

Sipas një komunikate zyrtare pas takimit, kryediplomati grek në Shqipëri kishte folur për një situatë që "po normalizohet dhe fluksi i qarkullimit do të rikthehet në standardet normale të sezonit. Ai siguroi angazhimin e tij për ndjekjen e kësaj çështjeje, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen".

Mbetet të shikohet ecuria e mëtejshme e raporteve mes Tiranës dhe Athinës në këto momente kur nuk ka zgjidhje përfundimtare për transferimin e ambjenteve të kishës ortodokse në Përmet, për të cilën, dukshëm pala greke po tregon shumë ndieshmëri.