1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshje serioze midis Cërvenkovskit dhe Gruevskit për emrin

Fatos Musliu / Shkup1 Tetor 2008

Presidenti Cërvenkosvki e ka akuzuar kryeministrin Gruevski se në bisedimet për zgjidhjen e kontestit për emrin po minon negociatat dhe se sillet me mungesë papërgjegjësie në këtë çështje.

https://p.dw.com/p/FSJy
Mbledhje e qeverisë, Shkup
Mbledhje e qeverisë, ShkupFotografi: MIA

Cërvenkovski ka bërë të ditur publikisht se mes tij dhe kryeministrit ka dallime të mëdha sa i përket çështjes së emrit. Presidenti Cërvenkosvksi përsëriti se Maqedonia gjendet në fazë shumë të rëndësishme të negociatave, e cila do të përcaktojë ardhmërin e vendit sa i përket eurointegrimeve.

Kryeministri Gruevski i është përgjigjur urgjentisht Presidentit. Ai thotë se akuzat e presidentit Cërvenkovski, janë të pakuptimta sepse në takimin e fundit ishin marrë vesh që qeveria të mendojë disa ditë rreth ideve të reja të tij. Gruevski i hodhi poshtë akuzat e Crvenkovskit për mungesë konstruktivizmi, përgjegjësie dhe dëshire për zgjidhjen e çështjes së emrit. Qytetarët duhet të vendosin në referendum, për arritjen e një marrëveshje për emrin, marrëveshje që do ta pranonte edhe Greqia, thotë kategorikisht kryeministri Gruevski: “Cërvenkovski mund të merret vesh për çka të dojë, mund të vazhdojë të më sulmojë publikisht, pranoj gjithçka, pranoj që ta ndajmë përgjegjësinë, pranoj dhe nëse dëshiron ja të themi se ai nuk ka asnjë përgjegjësi, por mos të harrojë se për gjithçka që do të merremi vesh, pavarësish nga qëndrimi i tij apo i imi, për këtë çështje do të vendosë populli," tha Nikolla Gruevski. Sipas tij, vendi gjendet në fazën përfundimtare të ciklit negocues për emrin, që udhëhiqen me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, andaj këto negociata janë shumë të rëndësishme për shtetin.

Një ditë pas pranimit publik se ndërmjet kryeministrit dhe presidentit ekzistojnë dallime të mëdha dhe mosmarrëveshje rreth bisedimeve për emrin, Cërvenkovski viziton Brukselin. Në takimet me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jap de Hop Shefer , komisarin për zgjerim të BE-së Oli Ren dhe përfaqësuesin e lartë për siguri dhe politikë të jashtme , Havier Solana, pritet që të dominojë çështja rreth emrit dhe mënyra si të arrihet zgjidhje sa më e shpejtë të kontestit me Greqinë.