1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë ende nuk zbatohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve

12 Janar 2012

Kosova prej kohësh është adresë e kritikave të shumë organizatave që merren me të drejtat e njeriut, pikërisht për mungesën e mbrojtjes së përshtatshme të dëshmitarëve.

https://p.dw.com/p/13i5K
Pamje simbolike - fshehja e identitetit jetike për disa dëshmitarë
Pamje simbolike - fshehja e identitetit jetike për disa dëshmitarëFotografi: picture alliance/dpa

Kuvendi i Kosovës ka kohë që e ka miratuar ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, mirëpo, ligji do të fillojë së zbatuari në fund të këtij viti, thonë përfaqësues të qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, megjithë kostot e larta financiare, ky ligj do të zbatohet, por ata pranojnë se ka nevojë për një kordinim edhe me misionin EULEX. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, i cili është edhe ministër i Drejtësisë, thotë se është i domosdoshëm koordinimi me mekanizmat ndërkombëtarë për zbatimin e ligjit.

Ligji do të fillojë së zbatuari në fund të këtij viti

Zëvëndëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi.
Zëvëndëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi.Fotografi: DW

“Ligji do të hyjë në fuqi në shtator. Arsyeja kryesore është koordinimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. E dyta është një kosto financiare që unë kam menduar ta zgjidhë në dy drejtime. E para, në partneritet me shtetet, duke bërë në momente të caktuara këmbimin e dëshmitarëve të mbrojtur. Po marr si shembull Norvegjinë, shembull hipotetik që ata mund ta sjellin dikë këtu, dhe ne atje edhe do te kemi mundësi financiare me të mira. Po ashtu kam kërkuar nga Komisioni Evropian një mbështetje të veçantë për ketë proces”, thotë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi.

Misioni EULEX vepron në mënyrë të pavarur

Misioni i BE-së për policinë dhe drejtësinë në Kosovë EULEX, ka një program për mbrojtjen e dëshmitarëve, por, deri tash ky mision dhe njësitet e tij kanë vepruar të vetëm, pa ndonjë kordinim me policinë e Kosovës. Këtë e konfirmon për Deutsche Welle-n zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi.

“Njësiti i EULEX-it për Mbrojtje të Dëshmitarëve është i përbërë nga stafi i EULEX-it dhe funksionon krejtësisht në mënyrë të pavarur”, thotë Blerim Krasniqi.

Kosova ka kohë që është adresë e kritikave të shumë organizatave që merren me të drejtat e njeriut, pikërisht për mungesën e mbrojtjes së përshtatshme të dëshmitarëve. Feride Rushiti, nga organizata për mbrojtjen e të mbijetuarve të torturës, thotë se për shkak të kërcënimeve apo frikësimeve të ndryshme, dëshmitarët potencialë, refuzojnë të tregojnë ato që dinë. Ajo thotë se moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, paraqet drejpëdrejt frikësim për të gjithë ata dëshmitarë që duan të dëshmojnë në procese gjyqësore për persona të profileve të larta.

Moszbatimi i ligjit paraqet kërcënim për dëshmitarët

“Mozbatimi apo mungesa e mekanizmave të përshtatshëm të këtij ligji paraqesin kërcënim për të gjithë ata dëshmitarë, apo persona të cilët duan të dëshmojnë apo për ta luftuar krimin e organizuar të profileve të larta dhe si pasojë e kësaj mund të vijë deri te kërcënimi me jetë për të gjithë ata që janë të përfshirë në procese të ndryshme”, thotë Feride Rushiti. Sipas saj, është tejet e domosdoshme që misioni e EULEX-it dhe policia e Kosovës të koordinojnë veprimet e tyre, sepse në të kundërten mund të ketë të papritura për dëshmitarët e mbrojtur.

Feride Rushiti, nga organizata për mbrojtjen e të mbijetuarve të torturës
Feride Rushiti, nga organizata për mbrojtjen e të mbijetuarve të torturësFotografi: Milco Jovanoski

“Moskordinimi i këtyre dy mekanizmave mund të sjellë deri pasoja fatale, siç e kemi pasur rastin e dëshimitarit X, i njohur si Agim Zogaj, cili thuhet se u vetëvra në Gjermani. Kështu thënë shkurt moskordinimi i këtyre dy mekanizmave ka ndikim drejpërdrejt në jetën e dëshmitarëve”, thotë Feride Rushiti.

Ishte publikimi i raportit të raportuesit të Këshillit Evropian, Dik Marti, i cili ngriti një varg akuzash për krime të luftës të kryera në Kosovë. Pasuan një sërë procesesh si rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj; procesi gjyqësor ndaj deputetit të kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj; procesi gjyqësor ndaj 9 ish- pjesëtarëve të UÇK-së. Të gjitha këto raste sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë një arsye më shumë që ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve të fillojë së zbatuari pavarësisht kostos së lartë fnanciare.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do të jetë drejtpërdrejt e angazhuar me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, thonë se ata do të presin ndihmë financiare për zbatimin e këtij ligji edhe nga Komisioni Evropian. Komisioni sipas tyre tashmë ka konfirmuar se do ta ndihmojë Kosovën me gjysmë milioni euro. Një ndër pikat kryesore të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, janë ndryshimi i identitetit, ndryshimi i vendbanimit, dhënia e dokumenteve të rreme dhe mbrojtja e përkohshme e identitetit të personave, që dëshmojnë në procese të ndryshme.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani