1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë u mbajt takimi i parë i ministrave të mbrojtjes së rajonit

4 Nëntor 2011

Në këtë takim nuk morrin pjesë ministrat e mbrojtjes së Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës. Këto dy vende nga pjesëmarrësit në takim u ftuan për bashkëpunim në në ardhmen.

https://p.dw.com/p/135MX
Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonit
Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonitFotografi: DW

Ministrat e mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, me ftesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, u takuan në qytetin e Pejës në perëndim të Kosovës, për të afirmuar siç thanë qëllimet e përbashkëta të bashkëpunimit regjional dhe euroatlantik, në fushën e sigurisë si dhe në fushën e përgjigjes ndaj emergjencave civile. Takimi i sotëm në Kosovë ishte i pari i këtij lloji në nivel ministrash të mbrojtjes së vendeve të rajonit, që u zhvillua në Kosovë. Ministrat e mbrojtës nënshkruan një deklaratë të përbashkët në të cilën thuhet. “Ne ministrat e mbrojtjes u pajtuam që nëse duam të maksimizojmë efikasitetin në fushën e sigurisë dhe emergjencave civile, ne duhet që në mënyrë më të mirë të mundshme të koordinojmë kapacitet e secilit vend të interesuar, sipas fokusit të qendrave të tyre regjionale të ekselencës, për të planifikuar ushtruar dhe përgjigjur ndaj emergjencave civile në çfarëdo shteti që e sheh të rrugës të bashkëpunojë në frymën e kësaj deklarate të përbashkët”.

Në Samitin e Pejës nuk morën pjesë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Në takimin e ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit që u zhvilluan në Kosovë, nuk ishin të pranishëm ministrat e mbrojtjes së Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës. Mirëpo, të gjithë ministrat e pranishëm në takim, thanë se ata ftojnë edhe Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën që nëse duan t'i bashkohen deklaratës së përbashkët, janë të mirëseardhura.

Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonit
Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonitFotografi: DW

Në vazhdimin e deklaratës së përbashkët thuhet po ashtu se: ”Duke bashkëpunuar në rajon do të arrihet një transparencë më e madhe në planifikim dhe pjesëmarrësit do tu përgjigjen në mënyrë më efektive emergjencave civile. Nëpërmjet bashkëpunimit ne do të jemi në gjendje t'i trajnojmë forcat e regjionit në një standard më të lartë dhe të operojmë në një mënyrë më efektive”.

Në fillim të punimeve të konferencës, foli edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo tha se karakteristikë e kohës moderne është kontrolli civil mbi forcat e armatosura dhe ndryshimi i karakterit agresiv të ushtrisë. Sipas saj, ushtria është vënë në pozitë të mbrojtjes dhe në funksion të parandalimit të kërcënimeve për jetën e qytetarëve dhe parandalimit të rrezikimit të pasurisë së tyre. “Bota sot është një, e ndërtuar në parimet e barazisë, lirive dhe mundësive të barabarta të cilat iu ofrohen tė gjithëve. Prandaj, sot intervenimi humanitar ndërkombëtar, siç ishte intervenimi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë dhe tash së fundi në Libi, është bërë normë e dëshirueshme, e pranueshme dhe legjitime”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila me Kushtetutën e Kosovës është edhe komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare nuk janë probleme të izoluara dhe specifike për vendet tona respektive. Sfidat me të cilat përballet rajoni janë kërcënime të natyrës transnacionale dhe globale, që nuk njohin kufij shtetëror. Qasja jonë në forcimin e institucioneve tona është në pėrputhje me këto trende. Në periudhat moderne politika e sigurisë së një vendi padyshim është e lidhur me politikat e sigurisë rajonale dhe globale. Jam e bindur, se si rajon ne duhet të ndërtojmë e transformojmë institucionet e politikat e sigurisë në mënyrë që ato të jenë në hap me këto trende dhe bashkërisht të bëhen efektive në parandalimin e kërcënimeve që na kanosen sot”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonit
Takimi i ministrave të mbrojtjes së rajonitFotografi: DW

Kosova dhe Serbia duhet të forcojnë marrëdhëniet

Në takimin e para rajonal të ministrave të mbrojtjes së vendeve të rajonit, i pranishëm ishte edhe komandanti i forcave të përbashkëta amerikane në Evropë, Admirali Mark Montgomery. Asnjë nga ministrat e mbrojtjes së vendeve të rajonit nuk pranuan të flasin për gjendjen e tensionuar që vazhdon të mbretërojë në veri të Kosovës. Mirëpo, admirali Mark Montgomery tha se: “Forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e vetme për situatën që po mbretëron në veri të Kosovës”.

Ministrat e mbrojtjes së vendeve të rajonit u pajtuan që si hap drejt realizimit të bashkëpunimit, të realizojnë një ushtrim të përbashkët regjional në reagim ndaj emergjencave civile, ushtrim ky që do të ndodhë gjatë dy vjetëve të ardhshme.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama