1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet lokale

Bekim Shehu/ Prishtinë3 Nëntor 2013

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe prania ndërkombëtare bënë thirrje për një proces të drejtë të zgjedhjeve. Për herë të parë zgjedhje zhvillohen edhe në Veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1AAop
Fotografi: DW

Në Kosovë që nga ora shtatë e mëngjesit nisi procesi i votimit për të zgjedhur kryetarë komunash dhe këshilltar për asambletë komunale. Qendrat e votimit janë hapur në të gjithë teritorin e Kosovës përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe. KQZ-të bënë të ditur se deri në orën 15:00, pjesëmarja në votime në nivel të Kosovës ishte mbi 33 %. Në veri të Kosovës ku për herë të parë oganizohen zgjedhje lokale, pjesëmarrja në votime është e ulët, bëri të ditur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Në veri të Kosovës, persona të pautorizuar po qëndrojnë jashtë qendrave të votimit në veri. Për këtë janë të njoftuar të gjitha mekanizmat ndërkombëtare. Në një farë mënyrë ata i kërcënojnë qytetarët që mos të votojnë. Pra KQZ-ja këtë e sheh si një thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Edhe disa komisionerë janë frikësuar nga grupe të caktuara në veri”, tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Zyrtarë të policisë së Kosovës, ndërkaq, thonë se procesi i votimit në të gjithë territorin e Kosovës po zhvillohet pa incidente serioze, megjithëse, ka pasur disa raste të pengimit të procesit të votimit.

“Deri më tani hetuesit policor nga të gjitha drejtoritë rajonale kanë iniciuar shtatë raste të cilat cilësohen vepër penale dhe 18 persona janë shoqëruar në polici. Këto raste kanë të bëjnë kryesisht me pengim të procesit të votimit, apo presion për të votuar për subjekte të caktuara politike”, thotë Brahim Sadriu, zëdhënës i policisë.

Zgjedhje lokale mbahen në 38 komuna të Kosovës, përfshi edhe katër komunat e banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës. Në këtë pjesë ku po mbahen zgjedhje për herë të parë, një rol lehtësues e ka edhe OSBE-ja. Zyrtarë të KQZ-së bëjnë të ditur, se në garë janë 103 subjekte politike, me 7.932 kandidatë. Të drejtë vote kanë 1 milionë e 779 mijë votues. Votime zhvillohen në 798 qendra votimi.

Qendër votimi në Kosovë
Qendër votimi në KosovëFotografi: DW

Thirrje për një proces korrekt elektoral

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, mblodhi në kabinetin e saj, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Presidentja tha se “të gjithë ata që mendojnë të manipulojnë me vullnetin e qytetarëve, ndëshkimi për këtë vepër penale do të jetë rigoroz”. “Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë. Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës, do të ndëshkohet fuqishëm”, tha presidentja në një deklarëtë për media.

Roberto Gualtieri, pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, tha se “misioni i BE-së, do të vëzhgojë nga afër gjithë procesin e zgjedhjeve dhe në përfundim të tij do të hartojë një raport për gjithë mbarëvajtjen e procesit. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kosovën dhe për proceset e saj integruese”, tha Gualtieri.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara përfshirë dhe SHBA-në, bëjnë thirrje për një proces të drejtë zgjedhor.

“Njësi matëse për suksesin e këtyre zgjedhjeve do të jetë nëse ato do të rezultojnë me zgjedhjen e liderëve legjitim në secilën komunë të Kosovës, të zgjedhur në një proces të rregullt dhe të metat që kanë ndodhur në të kaluarën të mos përsëriten”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara përfshirë dhe SHBA-së.

Flamuj te Kosoves, flamuri kombetar me shqiponje dhe flamur i SHBA para nje pankarte votimi
Zgjedhjet në Kosovë tërheqin vëmendjen ndërkombëtareFotografi: DW

Masa sigurie dhe ekipe monitoruese

Për sigurinë e procesit zgjedho, sipas zyrtarëve të policisë, janë të angazhuar mbi pesë mijë policë. Policinë e Kosovës po e ndihmojnë edhe pjestarët e misionit EULEX, të cilët do të jetë më të përqendruar në veri të Kosovës. Zyrtarët e policisë deklarojnë se në bazë të planit operacional, janë marrë të gjitha masat që gjendja e sigurisë të jetë e qetë.

Zgjedhjet lokale të monitorohen nga mijëra vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Një mision vëzhgimi në Kosovë e ka dërguar për herë të parë edhe Bashkimi Evropian, mision ky që kryesohet nga Roberto Gualtieri, deputet në Parlamentin Evropian.