1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë zhvillon punimet konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”

18 Nëntor 2011

Qëllimi i kësaj konference është është “sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit të Kosovës, duke përdorur si mjet diplomacinë publike.

https://p.dw.com/p/13DMN
Nga punimet e konferencës "Germia Hill" në Kosovë.
Nga punimet e konferencës "Germia Hill" në Kosovë.Fotografi: DW/Bekim Shehu

Në konferencën ndërkombëtare “Germia Hill”, që po zhvillohet në Prishtinë, po marrin pjesë ministra dhe ish ministra të jashtëm të vendeve të rajonit dhe personalitete të ndryshme nga jeta publike, nga shumë vende të ndryshme të botës. Ne konferencë nuk është ftuar askush nga Republika e Serbisë. Sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit të Kosovës, duke përdorur si mjet diplomacinë publike, është fokusi i debatit që po zhvillohet. Por qysh në fillim të konferencës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, u fokusuan në raportet ndërfqinjësore të Kosovës me theks të veçantë me Serbinë. Presidentja Atifete Jahjaga, tha se Kosova ndjek parimin e fqinjësisë së mirë, duke respektuar sovranitetin e fqinjëve të saj dhe ky respekt sipas presidentes duhet të jetë i ndërsjellë.

Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër

“Kosova ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet. Ajo është ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e racore kanë të drejtat e barabarta. Si shtet ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin e të gjitha shteteve tjera. E kemi të normuar në Kushtetutë që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër”, - tha presidentja Atifete Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij duke iu referuar dialogut teknik Prishtinë Beograd, që nisi në mars të këtij viti, tha se Serbia nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta në raport me Kosovën dhe Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj në konferencë për shtyp.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto dhe homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj në konferencë për shtyp.Fotografi: DW/Bekim Shehu

Serbia nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta

“Është e patolerueshme që një shtet që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian të përdorë standarde të dyfishta. Këtë e them për të tërhequr vëmendjen tuaj se Serbia në raport me Kosovën përdor të njëjtën qasje që ka përdorur në shekullin e kaluar, ndërsa, në raport me Bashkimin Evropian përdor qasje të moderuar. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkim Evropian nuk mund të cenojë sovranitetin e një shteti tjetër që po ashtu synon anëtarësim”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka filluar dialogun teknik me Serbinë që të mbyllë kapitullin e marrëdhënieve të hidhura dhe të gjejë zgjidhje praktike në interesat e qytetarëve të të dyja vendeve.

Në këtë linjë foli edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Edmond Haxhinasto, duke thënë se Serbia nuk duhet ta përdorë dialogun me Kosovën për të arritur synim tjetër.

Shqipëria dëshiron vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

“Republika e Shqipërisë dëshiron që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë, që marrëveshjet e deritanishme të konkluduara të zbatohen dhe që askush të mos e përdorë procesin e dialogut si një pasaportë për të hedhur një hap tjetër drejt Bashkimit Evropian. Ju e keni shumë të qartë se për kë jam duke folur”, tha ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Konferenca Ndërkombëtare “Germia Hill”, është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe. Sipas ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj, konferenca të tilla do të mbahen rregullisht çdo vit, në mënyrë që Kosova t'i shtojë aktivitetet e veta diplomatike, që kanë si synim sigurimin e mbështetjes nga diplomacitë e vendeve të ndryshme në botë.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani