1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Nigeri vazhdon drama e rrëmbimit

Sam Olukoya/aud9 Maj 2014

Ende 230 nxënëse nigeriane janë në duart e rrëmbyesve. Prindërit janë të traumatizuar dhe kërkojnë që qeveria të bëjë gjithçka për shpëtimin e nxënëseve.

https://p.dw.com/p/1BwgT
Demonstrate Anti Boko Haram
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nënat dhe baballarët e nxënëseve të rrëmbyera nigeriane përjetojnë aktualisht tmerrin më të madh që mund të përfytyrojnë prindërit. "Ne nuk e dimë se ku janë fëmijët tanë dhe çfarë u bëjnë atyre, " i tha një baba Deutsche Welles. Bija e tij është midis vajzave që u rrëmbyen tri javë më parë nga dhomat e fjetjes në një shkollë në Chibokm në shtetin federal verilindor Borno. Disa prindër kanë ndërprerë të ngrënët nga shqetësimi për bijat e tyre.

Arrati nëpër pyllin e errët

Disa prej vajzave arritën të çlirohen prej rrëmbyesve. Amina (emri i ndryshuar nga redaksia) është njëra prej tyre. Ajo tregon si arriti të arratiset - natën, kur kamioni me të cilin po udhëtonin rrëmbyesit me vajzat pati një defekt: "Disa prej vajzave nisën të kërcejnë nga kamioni. U thamë rrëmbyesve që për ta do të ishte më mirë të na vrisnin, se sa të na çonin në një vend të panjohur. Dhe pastaj vrapuam". Së bashku vajzat vrapuan nëpër një pyll të errët, derisa takuan një banor aty pranë. "Ai na tregoi rrugën për në fshatin tonë," thotë Amina.

Por shumica kishte më pak fat: grupi terrorist islamik bëri të ditur në fillim të javës në një mesazh me video se do t'i shesë si skllevër pengjet. Pas kësaj deklarate, prindërit kërkuan nga qeveria që të bënte më në fund gjithçka, për t'i liruar vajzat. Kërcënimi i Boko Haramit për t'i shitur si skllave vajzat minorene vlerësohet si shenjë që vajzat duan t'i martojnë me zor.

Martesa me terroristin

Edhe 14-vjeçarja Naomi ishte vitin e kaluar në një situatë të ngjashme me vajzat. Me tre nxënëse të tjera atë e rrëmbyen terroristët dhe e detyruan të martohet. Martesa e detyruar me një terrorist, për të cilin jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë ka qenë e tmerrshme, thotë Naomi. Ajo qante me ditë të tëra. Pas kësaj, xhelati i saj e kish kërcënuar se do t'i priste kokën, po të mos pushonte së qari. Pas tri javësh e burgosur, Naomi arriti të arratisej.

Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan reagoi vetëm tri javë pas rrëmbimit të vajzave publikisht për ndodhinë. Shumë nigerianë besojnë se presidenti është më i interesuar që të rizgjidhet në post, se sa të shpëtojë vajzat e rrëmbyera.