1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Qarkun e Shkodrës situatë më e stabilizuar

5 Janar 2010

Gjendja e rëndë në zonën e Shkodrës, për shkak të përmbytjeve dhe hapjes së portave të hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Drin ka vazhduar. Ndonëse situata sot paraqitet pak më stabile vazhdon gatishmëria.

https://p.dw.com/p/LLWd
Lumi Bunë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa fshatra
Lumi Bunë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa fshatraFotografi: DW

Situata në zonat e përmbytura në Qarkun e Shkodrës sot paraqitet më e stabilizuar se dy ditë më parë. Si rezultat i mungesës së reshjeve të këtyre ditëve të fundit, niveli i ujit në fshatrat e përmbytura ka rënë deri në 30 cm, megjithëse operacionet e evakuimit të banorëve nga fshatrat e prekura kanë vazhduar pa ndërprerje.

Deri në paraditen e sotme janë evakuar rreth 140 persona nga lagjet Bahçallëk dhe Ajasem në hyrje të qytetit të Shkodrës dhe mbi 60 familje nga komunat e këtij rrethi. Në fshatin Obot, të komunës Ana e Malit, i cili u përmbyt nga lumi Buna që doli nga shtrati, mbas hapjes së portave të hidrocentraleve, janë nën ujë hektarë të tërë toke dhe të gjitha shtëpitë janë të rrethuara nga uji. Ai ka pushtuar katet e para të këtyre banesave. Kryetari i Komunës, Arben Cemi thotë se i gjithë fshati Obot është i izoluar.

Ndërkohë disa banorë të këtij fshati thonë se përveç tokave bujqësore, uji ka shkaktuar dëme të shumta materiale edhe brënda banesave.

Të përmbytura janë edhe disa fshatra të tjerë në komunën e Dajçit. Edhe këtu qindra shtëpi banimi dhe mijëra hektarë tokë bujqësore janë të përmbytura. Në të gjitha fshatrat e përmbytura kanë mbërritur tashmë forcat e ushtrisë dhe të policisë për të kryer evakuimin e banorëve, por siç shprehet nënkoloneli i divizionit të Shkodrës Myzafer Mustafa, pjesa më e madhe e tyre nuk pranojnë të lënë shtëpitë, duke shpresuar në përmirësimin e situatës.

Drejtuesit e shtabit të emergjencave civile në Shkodër thonë se tashmë janë përcaktuar fshatrat më të rrezikuara nga përmbytjet, ku dhe janë dërguar mjetet dhe forcat e ushtrisë. Komandanti i Batalionit të Vau të Dejës, nënkoloneli Ali Mali ka bërë të ditur se forcat e ushtrisë po marrin pjesë jo vetëm në evakuimin e banorëve të rrezikuar, por edhe në përforcimin e argjinaturave të dëmtuara.

Që paraditen e djeshme ka nisur shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe veshmbathjeve për banorët e këtyre fshatrave. Ndërsa në dizpozicion të familjeve të evakuara, janë vënë konviktet e universitetit dhe të gjitha shkollave të mesme të Shkodrës, si dhe disa hotele të qytetit.

Autor: Leka Plani/ Shkodra

Redaktoi: Auron Dodi