1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në veri të Mitrovicës - zgjedhjet e jashtëzakonshme

Bekim Shehu23 Shkurt 2014

Katër kandidatë, dy serbë dhe dy shqiptarë po garojnë për kryetarë të komunës së veriut të Mitrovicës. Këto zgjedhje po përsëritën pas heqjes dorë nga mandati të kryetarit të zgjedhur Krstimir Pantiç.

https://p.dw.com/p/1BE3D
Kosovo Mitrovica Ibar Brücke
Fotografi: DW

Në veri të Mitrovicës po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. KQZ bëri të ditur se procesi i votimit ka filluar dhe të gjitha vendvotimet janë hapur në kohën e paraparë, në orën 07:00.

“Procesi i votimit është duke vijuar me rregull dhe pa ndonjë problem”, njofton Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Janë katër kandidatë që garojnë për kryetar komune. Dy shqiptarë dhe dy serbë. Partia Demokratike e Kosovës, PDK garon me Florent Azemin, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK me Musa Miftarin, ndërsa Lista Serbe, e mbështetur nga qeveria e Beogradit me Goran Radiçin. Nisma Qytetare SDP, serish për kandidat ka Oliver Ivanoviçin.

Ky i fundit ndodhet në paraburgim, i dyshuar të jetë i përfshirë në vrasjen e civilëve në vitin 1999-2000, në Veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviçit do t'i mundësohet të votojë nga qendra e paraburgimit në Prishtinë.

Autoritetet e larta të Kosovës dhe ato të Serbisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet për kryetar komune të veriut të Mitrovicës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq ka thënë për mediat lokale serbe se “nëse pjesëmarrja e serbëve në votime nuk do të jetë e lartë, atëherë, komuna do të udhëhiqet nga shqiptarët”.

Ai kërkoi "që zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, të mbahen të qeta dhe në zgjedhje të dalin një numër domethënës i serbëve, që të mos e kemi mbi kokë problemin e njëjtë që e kemi pasur edhe në zgjedhjet e kaluara”, është shprehur kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq.

Përfshirja e komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut po ripërsëritën pas heqjes dorë nga mandati i kryetarit të zgjedhur Krstimir Pantiç, i cili kishte fituar në balotazh me 3 nëntor të vitit të shkuar.

Autoritet e rendit thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet në një atmosferë të qetë.

Të angazhuara për sigurinë e votimeve janë, policia e Kosovës, pjestarët e misionit EULEX dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

“Policia e Kosovës, si reagues i parë, do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe në hapësirat e tjera të rëndësishme, e përkrahur në mënyrë të dukshme nga EULEX-i, si reagues i dytë. KFOR-i, reaguesi i tretë, po ashtu do të jetë i dukshëm në afërsi të qendrave të votimit, i gatshëm që të intervenojë menjëherë, nëse ka nevojë”, thuhet në një njoftim të përbashkët të këtyre tri mekanizmave të sigurisë.

Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE është e angazhuar në rolin e lehtësuesit të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.