1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nëntë vjetori i vrasjes së Gjingjiqit

12 Mars 2012

Në përvjetorin e vrasjes së Gjingjiqit shumë njerëz dolën në rrugë. Ka edhe nga ata që kanë harruar t'i thonë faleminderit. Megjithatë Serbia ndjek sot rrugën evropiane falë angazhimit të Gjingjiqit.

https://p.dw.com/p/14JW0
Zoran Gjingjiq
Zoran GjingjiqFotografi: AP

"Ai ishte një njeri shumë ambicioz dhe dëshironte ndryshime, ishte shumë i shpejtë në marrjen e vendimeve (...) ka dashur që si një lokomotivë e pandalshme të tërheqë vendin përpara… " Janë këto vetëm disa nga vlerësimet që dëgjohen sot, nëntë vjet pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, në hyrje të godinës qeveritare në Beograd. Shumëkush sot flet për luftën e pakompromis për ndryshime demokratike të ish-kryeministrit në Serbi.

Shumëkush thekson në radhë të parë idenë dhe përkushtimin i tij ndaj integrimit në Evropë. Serbia në Evropë, ishte projekti i tij kryesor. Drita jeshile për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian konsiderohet në Beograd dhe Berlin si realizim i përpjekjeve të Gjingjiqit. Ndonëse shumë ekspertë janë të mendimit se me Gjingjiqin në krye, Serbia kaherë do të arrinte qëllimin - jo vetëm të fitojë statusin e kandidatit por edhe të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Zoran Gjingjiq
Zoran GjingjiqFotografi: AP

Graf Nikolaus Lambsdorf nga Ministria e Jashtme gjermane thotë se i kujtohet shumë mirë dita e vrasjes dhe varrimit të Gjingjiqit. Sipas tij, drita jeshile për statusin e kandidatit është rezultat i politikës së fillluar nga ish-kryeministri. „Në momentin e vrasjes së Gjingjiqit kam qenë në Kosovë. Kemi shkuar në varrim në Beograd, ku u mblodhën me qindra mijëra njerëz. Ishte kjo një prej ngjarjeve më impresionuese, në të cilat kam marrë pjesë, një ditë shumë e pikëllueshme. Që në atë kohë ishte e qartë se vrasja e Gjingjiqit do t'i kushtojë shumë Serbisë, në shumë fronte. Idetë dhe mendimet e tij kanë pasur për qëllim afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Marrja e kandidaturës është në fakt trashëgimi e Gjingjiqit dhe është shumë mirë kur shikon se po realizohet kjo ëndërr e tij", pohon Lambsdorf.

Pakënaqësi me mbështetjen e Evropës

Drejtorja e Fondit për Politika të Aplikuara, Sonja Liht thotë se Gjingjiqi sot shihet si një sinonim i politikës proevropiane. Por ai jo gjithmonë ka pasur mbështetjen nga vendet evropiane për politikën e tij pragmatike dhe vendimet ndonjë herë të rrezikshme që ndërmerrte në atë kohë. „Zoran Gjingjiqi ka qenë një njeri shumë ambicioz dhe i përkushtuar ndaj ndryshimeve në vend. Ka qenë shumë i shpejtë në marrjen e vendimeve dhe ka dashur që si një lokomotivë e shpejtë të tërheqë vendin përpara. Por deri sa ka qenë gjallë, për fat të keq, nuk ka pasur gjithmonë mbështetjen e Evropës, e cila më shumë ka premtuar se sa ka dhënë. Natyrisht që për shumë gjëra mbajmë përgjegjësinë edhe ne në Serbi, por jo vetëm ne mbajmë përgjegjësi për gjërat që janë zhvilluar në 12 vitet e fundit“, nënvizon Liht.

Kjo s'është Serbia për të cilën ka luftuar Gjingjiqi

Pikërisht në përvjetorin e nëntë të vrasjes së Gjingjiqit, prokuroria në Beograd konstatoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës për sfondin politik të kësaj vrasjeje. Në të njëjtën kohë u konstatua se është vjetëurar edhe rasti i rrahjes brutale të anëtarëve të lëvizjes së dikurshme "Otpor" nga Marko Millosheviqi, i biri i ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq. Sonja Liht pohon se Partia Socialiste e Serbisë është rehabilituar ndërkohë në tërësi dhe tani është partner legjitim i forcave demokratike. Forcat e dikurshme radikale janë veshur me petka demokratike.

Vladimir Milisavljeviç, autori i dyshuar për vrasjen
Vladimir Milisavljeviç, autori i dyshuar për vrasjenFotografi: dapd

Kjo nuk është Serbia për të cilën ka luftuar Zoran Gjingjiq, pohon Sonja Liht.
„Si politikan pragmatik ai e dinte se nuk ka afrim me Bashkimin Evropian pa reformimin e skenës politike në Serbi. Nuk më pëlqen fare që është vjetëruar procesi kundër Marko Millosheviqit dhe që ka njerëz, të cilët ende mendojnë se koha e Millosheviqit ka qenë më e mirë. Mendoj se është shumë me rëndësi që tani kemi një konsensus për ardhmërinë evropiane të Serbisë, të paktën në fjalë“, pohon Liht. Në ditën e sotme, në shenjë përkujtimi të vrasjes së Gjingjiqit, rrugëve të Beogradit kanë parakaluar mijëra njerëz. Por ka dhe shumë të tillë që kanë harruar t'i thonë faleminderit për tërë kontributin e dhënë.


Autor: Natalija Miletiq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi