1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Năstase bën tentativë vetëvrasjeje

Robert Schwartz/Bahri Cani22 Qershor 2012

Ish-kryeministri rumun ka goditur veten pas bërjes publike të vendimit me të cilin ai dënohet për korrupsion. Pak orë pas vendimit të gjykatës ai u arrestua në shtëpinë e tij, por arrestimi u shndërrua në një dramë.

https://p.dw.com/p/15JKp
Adrian Nastase
Adrian NastaseFotografi: Reuters

Ky është një rast si në filmat e Holivudit: të mërkurën pasdite (20.06.2012) u shqiptua vendimi i gjykatës më të lartë në Rumani kundër ish-kryeministrit Adrian Năstase. Pak orë më vonë vijnë në shtëpinë e tij policët për t'a dërguar në burg. Năstase i lutet nëpunësve të marrë vetëm një libër nga biblioteka. Atje merr pistoletën dhe e qëllon vetveten. Një polic reagon shpejt dhe e rrëmben nga duart Năstasen e plagosur në fyt. Para shtëpisë presin shumë kamera televizive që duan të transmetojnë drejtpërsëdrejti arrestimin e ish-kryeministrit. Në vend të arrestimit, ata transmetojnë tani transferimin e tij urgjent për në spital. Năstase operohet dhe sipas të dhënave nga spitali, ai është jashtë rrezikut për jetën.

Adrian Nastase
Adrian Nastase: Dikur i plotfuqishëm.Fotografi: AP

Ky është përfundimi i përkohshëm i një afere e cila ka dalë në sipërfaqe para tetë vitesh. Më 2004 opozita liberale-konservatore ka alarmuar autoritetet për luftë kundër korrupsionit për përzierjen e kryeministrit Năstase në afera dhe biznese të dyshimta si dhe keqpërdorimin e postit. Hetimet janë mbyllur shpejt, sepse prokurori i shtetit ishte një mik i kryeministrit.

Korrupsioni në Rumani - problem edhe për BE-në

Komisioni Evropian ka vëzhguar me vëmendje të madhe këtë rast. Në filllim të negociatave për anëtarësimin e Rumanisë në vitin 2004, është kërkuar reforma radikale në sektorin juridik në këtë vend. Presionet ndaj këtij vendi nuk kanë përfunduar as pas anëtarësimit të Rumanisë në BE në vitin 2007. Nga Rumania është kërkuar vazhdimi i reformave dhe i hetimeve në proceset kundër personave të akuzuar për korrupsion. Reformat më të mëdha janë kryer tre vite pas anëtarësimit të Rumanisë në BE por asnjë prej proceseve të mëdha nën akuzat për korrupsion nuk kishte përfunduar.

Monica Macovei
Monica MacoveiFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Ky ishte edhe shkaku pse Komisioni Evropian ka vazhduar me vëzhgimin e gjendjes në këtë vend. Mungesa e zbatimit të reformave ka ndikuar dukshëm edhe në mospranimin e Rumanisë në hapsirën e Shengenit. Por duket se presioni nga Brukseli ka filluar të jap rezultatet e para. Këtë vit kanë përfunduar me sukses disa procese për korrupsion. Disa ish-ministra dhe autoritete të larta të shtetit janë dënuar me burg. Ndërsa rasti i ish-kryeministrit Nastase është më i rëndësishmi.

Rasti Nastase dhe rëndësia e tij

Qeveria e Năstases ka rënë në vitin 2004. Koalicioni liberal-konservator ka fituar në zgjedhjet e këtij viti me një program i cili në qendër kishte luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike. Ministrja e re e drejtësisë Monica Macovei kishte filluar me çpolitizimin e sektorit juridik dhe në vitin 2006 kanë rifilluar proceset e mbyllura në luftën kundër korrupsionit. Qeveritë në Rumani janë ndërruar ndërkohë disa herë. Në pushtet kanë qenë edhe socildemokratët e ish-kryeministrit, të cilët disa herë e kanë penguar përfundimin e procesit, por ai nuk u mbyll. Vendimi më në fund u shqiptua. Shumë politikanë dhe vëzhgues e kanë quajtur këtë si një shenjë të qartë të pavarësisë së organeve juridike. Ish - ministrja Macovei, e cila tani është eurodeputete në Parlamentin Evropian, foli për një vendim me vlerë simbolike, për një shenjë se në Rumani askush nuk është mbi ligjin.

Traian Basescu
Traian Basescu: Hakmarrje?Fotografi: picture alliance/dpa

Disa socialdemokratë rumunë e shohin këtë ndryshe: ata thonë se fjala është për një vendim politik dhe hakmarrje personale të presidentit konservator Traian Băsescu. Ata e shohin këtë vendim edhe si një "kolonializim nga perëndimi", pra një vendim të influencuar nga BE-ja. Por ka dhe politikanë të përmbajtur. Shumë prej tyre me prononcimet për këtë rast pozicionohen edhe në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat priten në vjeshtë. Lufta kundër korrupsionit dhe rasti i Nastases mund të luajnë tek zgjedhësit një rol shumë të rëndësishëm.