1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet dhuna - NATO, BE e qeveria gjermane për zgjedhjet lokale në Kosovë

dpa/Vilma Filaj-Ballvora4 Nëntor 2013

NATO, BE dhe qeveria gjermane dënojnë trazirat e shkaktuara prej ekstremistëve serbë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

https://p.dw.com/p/1ABCE
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i dënoi aktet e dhunshme të ekstremistëve serbë gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë. „Dhuna dhe presioni nuk mund të tolerohen“, tha Rasmussen në një konferencë shtypi në Bruksel. “Unë i dënoj ashpër sulmet ndaj qendrave të votimit në veri të Mitrovicës.” Trupa e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka angazhuar menjëherë një njësi të ndërhyrjes së shpejtë dhe ndër të tjera ka siguruar transportin e kutive të votimit. Zgjedhjet janë “një element i rëndësishëm i normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Rasmussen. “KFOR-i do të vazhdojë të veprojë i paanshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Kosovës.”

Reagimi i BE-së

Bashkimi Europian i dënoi trazirat e dhunshme të ekstremistëve serbë gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë. «Ne i dënojmë incidentet e dhunshme në Veri të Mitrovicës, që cënuan ecurinë në përgjithësi të rregullt të votimeve në pjesën tjetër të Kosovës", tha zëdhënësja e së ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton, Maja Kocijancic, të hënën (04.11.2013) në Bruksel. Vëzhguesit e BE-së të martën (05.11.2013) do të prononcohen lidhur me trazirat në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Qëndrimi i qeverisë gjermane

Qeveria e Gjermanisë u shpreh me shqetësim duke i dënuar trazirat që u shkaktuan gjatë votimeve për pushtetin lokal në Kosovë, por thekson se incidentet e së dielës "nuk do ta pengojnë kursin e nisur të arsyes dhe ekuilibrit në rajon", tha zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert të hënën (04.11.2013) në Berlin. Në përgjithësi qeveria gjermane e përshëndeti ecurinë e zgjedhjeve lokale. Zëdhënësi Seibert u shpreh se ky është "një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm në rrugën e normalizimit" mes serbëve dhe ish-republikës së tyre. Gjermania është ndër vendet e para, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.