1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: FSK-ja ushtri moderne pa pikëpamje nacionaliste

Bekim Shehu4 Mars 2009

Qeveria e Kosovës akoma nuk ka përgjigjje të prerë se si do të bëhët me fatin e qindra pjesëtarëve të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë Forcës së Sigurisë.

https://p.dw.com/p/H5Zi
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Këta ish-anëtarë që të gjithë pjesmarrës në radhët e ish-UÇK-së, ka ditë që protestojnë duke kërkuar të jenë pjesë e Forcës së re të Sigurisë së Kosovës, mirëpo, për të gjithë në këtë forcë nuk ka vend. Protestat e tyre në disa raste u shoqëruan nga dhuna. Forca e re e Sigurisë së Kosovës në radhët e saj duhet të ketë ushtarë të rinj në moshë, duhet të ketë përbërje shumëetnike dhe të jetë një forcë moderne sipas standardeve të NATO-s. Ardian Mehmeti, një është ish-pjesëtar i TMK-së i mbetur jashtë Forcës së Sigurisë, thotë se të gjithë ish-pjesëtarët e TMK-së, e kanë të vështirë ta pranojnë mosp/rfshirjen në strukturat ushtarake të Kosovës, sepse, prej vitesh janë rekrutuar për të qenë pjesë e kësaj force: “Ne kërkojmë të drejtat tona legjitime, që pas 10 vjetësh në TMK të na jepet shansi që edhe më tej të kontribuojmë në FSK-së. Në fund të fundit për këtë edhe jemi trajnuar”, thotë Mehmeti.

Ish-pjesëtarët e TMK-së dhe kërkesat e tyre mbështeten nga opinioni i gjerë. Kjo mbështetje sipas analistëve, ka të bëjë me perceptimin e përgjithshëm qytetar të një vendi të sapo dalë nga lufta, ku shoqëria akoma ushqehet me ndjenja nacionaliste. Këto ndjenja në rastin e ish -pjesëtarëve të TMK-së të mbetur jashtë Forcës së Sigurisë bien ndesh me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare, që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të ketë pikëpamje nacionaliste dhe përbërje monoetnike, por, struktura dhe vizioni i saj duhet të jetë bashkëkohor që nuk ushqehet me ndjenjat e së kaluarës. Linda Gucia, sociologe, thotë se pjesëtarët e ish-TMK-së do të duhej të trajtoheshin ndryshe“Ky ka qenë një proces shumë i ngadalshëm transformimi. Nevoja për një ushtri moderne është prezente, por pavarësisht kësaj është dashur të mendohet më herët dhe të ketë një konsideratë më të madhe për ish-pjesëtarët e TMK-së”, thotë Linda Gucia.

Sipas zonjës Gucia, institucinet e Kosovës nuk duhet t´i trajtojnë ish-pjesëtarët e TMK-së si një kategori e njerëzve të zakonsëm të papunë, por ata duhen trajtuar si një kategori e veçantë, gjithmonë duke marrë parasysh të kaluarën e tyre si ushtarë pjesmarrës në luftë për çlirimin e vendit. “Tek ish-pjesëtarët e TMK-së ka munguar trajtimi më i veçantë që u duhej bërë atyre. Në përgjithësi, ka munguar një pranim i gjithë asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe gjatë gjithë kohës është tentuar që të minimizohet roli i luftëtarëve. Shembull: gjatë gjithë kohës është folur se nuk ka qenë luftë ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë serbe, por ka qenë një konflikt ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe ushtrisë serbe. Për këtë arsye trajtimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë ndryshe krahasuar me trajtimin që u është bërë ushtarëve në vendet tjera që kanë dalë nga lufta”, thotë Linda Gucia.


Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, thonë se janë duke bërë përpjekje që ish- pjesëtarët e TMK-së, të mbetur jashtë Forcës së Sigurisë, të mund të inkuadrohen në disa sektorë në administratën publike. Komisioni parlamentar për siguri, ka rekomanduar që ish-pjesëtarët e TMK-së të punësohen në policinë e Kosovës, në dogana, në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, por edhe në ndërmarrjet e mëdha publike siç janë Posta, Korporata Energjetike dhe Aeroporti. Ky propozim i komisionit paramentar tash për tash mbetet vetëm një rekomandim në letër për qeverinë. Zyrtarët qeveritarë në këtë fazë janë duke analizuar vetëm gabimet, që kanë janë bërë gjatë procesit të përzgjedhjes së shumë konkuruesve për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gabimet sipas tyre janë të pakta.