1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO nuk ka vendosur sigurinë në Kosovë

24 Mars 2012

Prof. Dr. Enver Sopjani është studiues i shkencave politike dhe jurist pranë Universitetit Georg- August në Gëtingen. Ai ka botuar studimin "Roli politiko ushtarak i komunitetit ndërkombëtar në Kosovë mbas 1999".

https://p.dw.com/p/14Qyo
Prof. Dr. Enver Sopjani
Prof. Dr. Enver SopjaniFotografi: Sopjani

Deutsche Welle: Profesor Sopjani, si duhet të kujtohen sot bombardimet e NATO-s?

Enver Sopjani: Bombardimet kanë qenë historike. Ato jo vetëm që janë tani në mendjet e shqiptarëve, por do të mbeten edhe në të ardhmen. Ato do të mbeten edhe në mendjen e evropianëve që kanë pas ngritur pluhur lidhur me intervenimin e NATO-s, për shkak të mosrespektimit të Kartës së KB. Jo vetëm atëherë, por edhe sot ka shumë njerëz, sidomos intelektualë që mundohen ta quajnë intervenimin e NATO-s, joligjor. Intervenimet në Kosovë kanë ndodhur pas shumë rezolutave të KB, të cilat i kanë tërhequr vërejtjen Serbisë dhe kanë dhënë shumë herë shance që ajo t`i largohet një sulmi të NATO-s. Kjo ka ndodhur së fundi me marrëveshjen e Rambujesë, e cila nuk u pranua nga serbët. Shumë njerëz harrojnë se gjatë sulmeve të NATO-s, nuk janë sulmuar vetëm caqet ushtarake serbe por ka pasur edhe bombardime të herëpashershme të caqeve ushtarake të UÇK-së. Ka patur edhe një numër të vrarësh nga sulmet e NATO-s, por jo civilë. Nuk është përmendur kurrë se ka patur të vrarë nga ana e UÇK-së nga bombardimet e NATO-s.

Deutsche Welle: Sulmet e NATO-s ishin parashikuar të zgjasin vetëm pak ditë, por ato morën 78 ditë. Si mendoni ju, cilat qenë problemet që pati NATO gjatë kryerjes së misionit ushtarak?

Enver Sopjani: Problemet kryesore kanë pasur të bëjnë me faktin se shumë shtete anëtarë të NATO-s kanë pas bërë tregti me armë më ish- Jugosllavinë. Kështu që ata e kanë ditur shumë mirë çfarë armësh posedon Jugosllavia. Bombardimet kanë ndodhur nga një lartësi shumë e madhe, sepse ata nuk kanë guxuar që të fluturojnë dhe sulmojnë nga një distancë më e shkurtër. Për atë arsye jo vetëm rezultati por edhe dëmet e shkaktuara ushtrisë jugosllave kanë qenë shumë të vogla. Shumë pak teknikë ushtarake është shkatërruar nga ana e NATO-s. Por NATO ka qenë shumë e mirëpritur, sidomos nga ana e shqiptarëve. Por është fakt se NATO largoi ushtrinë serbe dhe malazeze nga Kosova, por dështoi në çarmatosjen e enklavave serbe të cilat kanë qenë mbi 99 përqind të armatosura dhe pjesëmarrëse në luftën kundër shqiptarëve. Ky është rezultati negativ që kemi tani, që në Kosovë ka bllokada të rrugëve kurse NATO nuk mund të lëvizë lirshëm në ato pjesë.

Deutsche Welle: Kur pas bombardimeve, NATO hyri në Kosovë më 12 qershor, pati shumë brohoritje dhe optimizëm në Kosovë. A ka rënë ky optimizëm sot?

Enver Sopjani: Po, ky optimizëm ka rënë për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve të NATO-s. Ajo ka qenë dhe është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë. Kjo do të thotë që ajo duhet t`i trajtojë të gjithë të barabartë. Siguri në Kosovë ka kur populli ka lëvizje të lirë, doganat punojnë dhe nuk uzurpohen nga Serbia. Kur aty lejohen struktura paralele të ndryshme të Serbisë, aty nuk është bërë çarmatimi i enklavave serbe kuptohet, se respekti që ka gëzuar NATO më herët do bjerë, sidomos kohët e fundit kur nuk kanë çbllokuar rrugët e bllokuara nga serbët.

Intervistën e zhvilloi Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani