1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO vendos të shtojë trupat në Kosovë

30 Maj 2023

Për shkak të situatës së tensionuar në veri NATO-ja vendosi që të shtojë trupat në Kosovë nga kontigjenti i Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor.

https://p.dw.com/p/4RyiO
NATO vendos të shtojë trupat e KFOR-it në Kosovë
NATO vendos të shtojë trupat e KFOR-it në KosovëFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Për shkak të trazirave të fundit që ndodhën në pjesën veriore të Kosovës, ku gjatë ditës së hënë (29.05.) në përplasje me serbët protestues u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it aleanca atlantiko-veriore, NATO, vendosi të shtojë numrin e trupave në Kosovë.

Trupat shtesë do të angazhohen nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim. Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë që KFOR-i të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.

"Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, tha admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i cili njëkohësisht ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.

Zveçan - pamje nga përplasjet me protestuesit serbë
Zveçan - pamje nga përplasjet me protestuesit serbë Fotografi: Laura Hasani/REUTERS

Pjesëtarë të KFOR-it, ushtar nga Italia dhe Hungaria u përplasen ditën e hënë (29.05) me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, ku serbët kundërshtonin hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën e kuvendit komunal, i cili nën përcjelljen e njësive speciale të policisë së Kosovës u vendos në zyrën e tij.

Borrell kërkon pezullimin e operacionet policore në veri

Për këtë situatë të krijuar dhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri. Ai tha se "ky është hapi i parë për shtensionimin e situatës në veri, dhe që protestuesit të qetësohen”.

"BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit. Dhuna ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it është e papranueshme dhe sjell një situatë të rrezikshme”, tha Josep Borrell para gazetarëve në Bruksel. Borrel tha se ka diskutuar me telefon me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për situatën në veri të Kosovës.

BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës
BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të KosovësFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

"Kam folur me kryeministrin Kurti edhe sot në mëngjes, dhe presidentin Vuçiq gjatë natës dhe kam kërkuar nga ata që urgjentisht të marrin masa për të shtensionuar situatën. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t'i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, përsëriti Borrell, duke shtuar se Bashkimi Evropian "qëndron pranë NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”.

Borrell tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe t'i hapin rrugën zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, duke konfirmuar se po punohet që të organizohet një takim i nivelit të lartë në dialog, ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq.

"Nuk mund të pranojmë një konflikt të ri dhe shpresoj që kërkesat e mia do të dëgjohen”, tha Jossep Borrel.

dw (dpa, afp)