1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Natyrisht që duam të bëhemi kampione bote!

27 Nëntor 2010

Shitje e suksesshme paraprake e biletave, interesim më i madh i sponsorëve, vetëbesim sportiv dhe shpresa për mot të mirë: pritet me gëzim kampionati botëror i futbollit për femra në Gjermani, pas shtatë muajsh.

https://p.dw.com/p/QK2h
Logo e kampionatit botëror të futbollit për femra në Gjermani, 2011.
Logo e kampionatit botëror të futbollit për femra në Gjermani, 2011.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"2006 është shumë larg dhe në të gjithë jemi gati për pak "action" në verë" - mendon Maren Meinert. Trainerja e kombëtares së futbollit për femra, pati mjaft "action" me grupin e të rejave nën 20 vjeç: në stadiumet e mbushura futbollistet e reja luajtën këtë verë në Gjermani një kampionat fantastik dhe në fund morën të merituar titullin kampion bote.

Kjo ishte një lloj prove gjenerale. "Ne jemi shumë krenarë që kemi kampionatin botëror. Ne gëzohemi dhe e dimë se mund të mbështetemi tek publiku në Gjermani", thotë Meinert. "Këtu të gjithë e adhurojnë futbollin dhe aktivitetet e mëdha janë shumë të preferuara."

Sfond rekordesh

Më shumë se 350.000 bileta janë shitur deri tani, pra më shumë se gjysma e totalit. Ndeshjet gjermane që tani tërheqin masat e sportdashësve: për ndeshjen e hapjes në Berlin, janë shitur gati gjysma e biletave.

"Një stadium olimpik me 75.000 vende me bileta të shitura plotësisht, do të ishte një rekord evropian në futbollin për femra"

, thotë sekretari i përgjithshëm i Ligës Gjermane të Futbollit (DFB) Wolfgang Niersbach.

Përgjegjësit kanë objektiva ambiciozë: "Ne duam të arrijmë që të shiten të gjitha biletat jo vetëm në ndeshjet ku luan ekipi gjerman", thotë Doris Fitschen, menaxhere e kombëtares gjermane të futbollit për femra.

Në këtë mes një rol të rëndësishëm luan moti në muajt kur zhvillohet kampionati, qershor dhe korrik, por edhe reklama për kampionatin në Gjermani. Në pllakate, spote publicitare, në televizion dhe në revista sportive, DFB bën reklamë për kampionatin në Gjermani.

Futboll femrash në nivel të lartë

Sigurisht ekipi gjerman është kandidat për titull, pasi është mbajtës i titujve kampion bote dhe Evrope, por konkurrenca është bërë e fortë. "Do të jetë një kampionat plot emocione", thotë Fitschen. "Ka disa ekipe të cilat janë vërtet të mira. SHBA është gjithnjë ndër favoritët kryesorë. Brazili, por edhe ekipe si Koreja e Veriut dhe Nigeria, nuk duhen nënvlerësuar. Dhe sigurisht nuk duhen harruar ekipet evropiane si Norvegjia dhe Suedia."

Futbolli i femrave vitet e fundit është bërë gjithnjë e më cilësor, jo vetëm në Gjermani.

"Natyrisht ne duam të bëhemi kampione bote. Por e dimë gjithashtu se nuk do të jetë e lehtë. Kemi trysni të madhe nga publiku, ekipet e tjera kanë përmirësuar cilësinë e lojës, dhe ndeshjet do të jenë të vështira"

, thotë menaxherja e kombëtares Doris Fitschen.

Një Barbie futbolliste për kampionatin

Sa më shumë afrohet kampionati, aq më i madh bëhet edhe interesi nga ekonomia. Buxheti është mbuluar përgjysmë nga gjashtë sponsorë kombëtarë, por për menaxheren Fitschen dhe përgjegjësit e tjerë për financat, ka ende shumë për të bërë. Krahas posterave, gotave dhe tekstileve do të ketë edhe foto për koleksion. Menaxherja Doris Fitschen është veçanërisht krenare për një produkt të ri për tifozet: "Nga muaji mars do të hidhet në treg një kukull Barbie me fanellën origjinale të kombëtares. Unë personalisht jam shumë e gëzuar për këtë."

Autor: Olivia Fritz / Eliana Xhani

Redaktoi: Sonila Harasani