1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Libyen

14 Mars 2011

Vendet e Bashkimit Evropian kanë shtuar presionin ndaj pushtetmbajtësit në Libi. Nuk përjashtohet as mundësia e ndërhyrjes ushtarake. Por në rastet e ndërhyrjeve ushtarake duhet pasur shumë kujdes.

https://p.dw.com/p/10YlS

Evropa nuk do të shikojë duarkryq se çfarë po bën Muhammar al-Gaddafi kundër popullit në vendin e tij. Gjithnjë e më shumë po shtohen kërkesat, që NATO të paktën të vendosë regjimin e ndalim-fluturimit mbi Libi. Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy nuk përjashton madje as mundësinë e sulmeve ajrore ndaj disa objektivave të përzgjedhura.

Zemërimi për shkak të dhunës në Libi është i madh, por me ndërhyrjen ushtarake duhet pasur shumë kujdes.

Së pari, për shkak të anës ushtarake. Ekspertët ushtarakë theksojnë, se një luftë mund të fitohen vetëm me ndërhyrje tokësore. NATO për të arritur diçka më shumë, shumë shpejt pra mund të përfshihej në një luftë tokësore. Sa do të zgjaste dhe a do të kishte sukses një ndërhyrje e tillë nuk mund të saktësojë askush. Nga Afganistani duhet të nxirren mësime, sepse ai ka treguar se cilët janë kufinjtë e një ndërhyrje ushtarake. Shtohet pyetja, në sa konflikte paralele mund të përfshihet Perëndimi?

Edhe sikur për këtë ndërhyrje të kishte një mandat të qartë të OKB-së, të Ligës Arabe dhe vendeve fqinje të Libisë, që momentalisht nuk është fare e sigurt, ndërhyjra mbetet e rrezikshme edhe politikisht. A thua trupat e NATO-s në Libi do të trajtoheshin si çlirimtare, apo pushtuese? Gjendja mund të përshkallëzonte shumë shpejt.

Shtrohet edhe pyetja tjetër: me çfarë forcash duhet të bashkëpunojnë BE-ja dhe NATO-ja? Për opozitën në Libi edhe më tej dihet shumë pak. Franca i ka pranuar forcat e reja në Bengazi, por edhe ky vendim mund të jetë i përshpejtuar. Franca më parë është kritikuar për një raport tepër të ngushtë me pushtetmbajtësit në veri të Afrikës, ndërsa tani merr një qëndrim tepër të ashpër ndaj tyre. Kjo nuk është e rastit, sepse Franca po përpiqet të përmirësojë imazhin e saj.

Pas kërkesave për një ndërhyrje ushtarake fshihet ndërgjegja e papastër. Për evropianët për vite të tëra gjendja e brendshme në këto vende të Afrikës ishte e parëndësishme, përsa kohë biznesi shkonte mirë. Evropa me siguri që do bënte mirë sikur bashkëpunimin ta kushtëzonte me zhvillimin demokratik. Në përgjithësi politika evropiane ndaj këtyre vendeve duhet të ndryshojë. Sa i përket gjendjes akute në Libi aktualisht nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, por ende ka hapësirë për sanksione të tjera. Sidoqoftë, ndërgjegja e papastër nuk mund të jetë një shkak i mjaftueshëm për t'u futur në ndonjë ndërhyrje ushtarake.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Bahri Cani