1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërkombëtarët në Maqedoni në shënjestër të kritikave

11 Mars 2011

BE emëroi ambasadorin e ri në Shkup. Piter Sorensen zhvillon takimet e para me autoritetet e vendit për t'u informuar për situatën aktuale politike.

https://p.dw.com/p/10XaD
Fotografi: AP

Diplomati danez Piter Sorensen në 4 vitet e ardhshme do të përfaqësojë BE-në në Maqedoni. Përkrahja e gjerë e qytetarëve të Maqedonisë për integrimin e vendit në BE është një përparësi e madhe në procesin eurointegrues, ka thënë Sorensen gjatë dorëzimit të letrave kredenciale.

Sorensen për mbështetjen e Maqedonisë në rrugën drejt BE

“Do të angazhohem me tërë kapacitetin tim që t'i ndihmoj vendit tuaj, që ta realizojë perspektivën europiane dhe të ndërtojë marrëdhënie efikase me institucionet e BE-së”, është shprehur Sorensen.

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në BE është prioritet më i lartë i politikbërjes vendase, por kontesti me emrin ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt BE-së.

Mazedonischer Präsident Gorge Ivanov und US Vize-Außemninister James Steinberg
Presidenti i Maqedonisë Gjorgji IvanovFotografi: Macedonian Information Agency

“Ne jemi të gatshëm për një zgjidhje sa më të shpejtë, ne na duhet zhbllokim i proceseve eurointegruese, një orë e më parë”, është shprehur Ivanov.

Ambasadori Sorensen merr postin e tij në Maqedoni në një periudhë, kur ndaj ndërkombëtarëve po zhvillohet një fushatë kritikash për mosangazhimin cilësor të tyre për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Analistët politikë vlerësojnë se kritikat ndaj ndërkombëtarëve dëmtojnë imazhin e Maqedonisë përballë faktorit ndërkombëtar. Profesori Stevo Pendarovski thotë se qeveria në vazhdimësi akuzon ndërkombëtarët për mosarritjen e qëllimeve të veta: “Bashkësia ndërkombëtare tanimë pesë vite po margjinalizohet në Maqedoni. Struktura aktuale politike në pushtet do të vazhdojë edhe më tej politikën e tillë, duke injoruar kërkesat dhe mesazhet e ndërkombëtarëve për ngecjen e reformave dhe gabimet, që bën qeveria “, thotë Pendarovski.

Acarimi i raporteve me ndërkombëtarët dëmton imazhin e vendit

Ilinka Mitreva, ish ministre e Jashtme, thotë se përfaqësuesit e huaj në Maqedoni janë gjithnjë në shënjestër të kritikave: “Mossuksesi në arritjen e qëllimeve tona strategjike, anëtarësimi në NATO dhe BE, substituohet me skandale diplomatike, pasojat e të cilave janë serioze, sepse Maqedonia po i humb miqtë në momentin, kur ata i janë më të nevojshëm”, thotë Mitreva.

Prof.Dr. Mersel Bilalli FON Universität
Profesori universitar Mersel BilalliFotografi: Fatos Musliu

Ambasadori i BE-s në Maqedoni, Piter Sorensen, para ardhjes në Shkup ka qenë i ngarkuar me punë në Beograd dhe Prishtinë. Ai është njohës i mirë i rrethanave në rajon, thotë analisti Nazmi Maliqi: “Përfaqësuesi i tanishëm ndoshta do të jetë më konkret, më qortues dhe nuk do të pranojë ato lojëra, herë të refuzimit e herë të pranimit të personaliteteve, që kanë ndikim shumë të madh në ndërtimin e politikave të BE-së në Ballkan dhe në Maqedoni”, vlerëson Maliqi.

Për profesorin universitar Mersel Bilalli acarimi i raporteve me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni ndikon në ngecjet e përgjithshme drejt anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike. “Unë mendoj se është në pyetje kodi mental i strukturave vendosëse këtu, të cilat veprojnë si në aspektin e politikës së brendshme, ashtu edhe në aspektin e politikës së jashtme, duke prodhuar armiq, duke prodhuar fajtorë. Dhe ky është fatkeqësisht elementi serioz i nacional socializmit”, thotë Bilalli.

Analistët vlerësojnë se Maqedonia duhet të tregojë një kooperim më të mirë me ndërkombëtarët sidomos tani, kur vendi ndodhet në krizë politike dhe në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica