1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndalimi i partisë socialdemokrate para 75 vjetësh në Gjermani

23 Qershor 2008

Nacionalsocialistët gjermanë para 75 vjetësh vendosën ndalimin e Partisë Socialdemokrate, që u detyruan të veprojnë në ilegalitet. Ndalimi i kësaj partie largoi çdo dyshim ndaj karakterit të regjimit nacionalsocialist.

https://p.dw.com/p/EObz
Fotografi: AP

Ishte data 22 qershor e vitit 1933, kur ministri i brendshëm i rajhut gjerman vendosi të japë urdhërin për ndalimin e Partisë Socialdemokrate. Shpjegimi ishte tipik për ato kohëra: aktivitete tradhëtare ndaj vendit. Partia u ndalua, ndërkohë që deputetët e saj u ndaluan të kryejnë detyrën, përkundër votave të fituara në zgjedhje. Socialdemokratëve u ndalua të mbajnë çdo lloj tubimi, ndërkohë që e dënueshme ishte edhe çdo lloj propagande. Nëpunësit e kishin të ndaluar të anëtarësohen në Partinë Socialdemokrate. Ndryshe largoheshin nga puna. Pasuria e partisë u konfiskua nga organet e shtetit.


Fajtor për këtë vendim u shpall kreu u partisë për shkak të qëndrimeve të shprehura në Pragë të Çekisë. Në fakt qëllimi ishte që nacionalsocialistët e Adolf Hitlerit të mbeteshin partia e vetme dhe t'u hapej rruga për diktaturën nacionalsocialiste. Më vonë të gjitha partive iu pamundësuan aktivitetet e rëndësishme. Komunistët u përndoqën shumë më ashpër se socialdemokratët. Që më parë ata ishin tërhequr në ilegalitet. Socialdemokratët, komunistët por edhe përfaqësuesit e partive qytetare ishin të kërcënuar dhe që nga fillimi i vitit 1933 u nënshtroheshin reprezalieve të vazhdueshme të regjimit të Hilterit. Kështu për shembull më 31 janar u sulmua gjatë natës dhe u lëndua keq deputeti socialdemokrat, Julius Leber. Menjëherë pas 21 qershorit po të këtij viti u kidnapuan dhe keqtrajtuan në Berlin më shumë se 500 anëtarë të Partisë Socialdemokrate dhe Komuniste. Ndërsa deri në fund të muajit u futën në burg dhe u keqtrajtuan më shumë se 3000 aktivistë të këtyre partive. Më vonë ata u dërguan në kampe përqendrimi. Në këtë mënyrë u zgjodh edhe dilema brendapartiake e Partisë Socialdemokrate ndaj nacionalsocialistëve. U dëshmuan të pavërteta të gjitha shpresat se fashistët dhe Hitleri do t'u përmbahen aktiviteteve legale politike. Këtë e kuptuan pas ndalimit të partisë.