1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndarja e Kosovës - "lëvizje tektonike"

Bekim Shehu26 Shtator 2012

Deklarata e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se “ndarja e Kosovës është zgjidhja më reale”, ka shkaktuar reagime në Prishtinë. Kosova e ka hedhur poshtë këtë propozim.

https://p.dw.com/p/16DKD
Hajredin Kuçi
Hajredin KuçiFotografi: DW/Bekim Shehu

Qeveria e Kosovës i tërheq vërejtjen qeverisë së Serbisë, se ndarja e Kosovës mund të shkaktojë “levizje tektonike”, në rajon. Këtë deklaratë, e bëri të hënën zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas deklaratës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se ndarja e Kosovës është zgjidhja më reale.

“Kjo është ide që është kundërshtuar nga bota demokratike dhe nga Kosova. Pavarësia e Kosovës është kompromisi që kanë bërë shqiptarët në rajon. S'ka qenë optimumi që kanë dashur shqiptarët. Serbia është ajo që tash po tenton të krijojë telashe: njëherë me gjenocid, pastaj me përpjekjet për ndaljen e pavarësisë e tash me përpjekjet për ndarjen e Kosovës. Ne kemi menduar që ka ndryshuar Daçiqi, kemi menduar jo ai si individ, por Serbia is mentalitet. Por mendoj se këtu përgjigjen më të mirë duhet t'a japë bota demokratike. Çdo kërkesë ose lëvizje në këtë drejtim ka lëvizje tektonike”, thotë zëvëndëskryeministri Kuçi.

Pozicionime para dialogut

Ivica Daçiq
Ivica Daçiq preferon ndarjen e Kosovës.Fotografi: DW

Këto deklarime nga Beogradi dhe Prishtina, po bëhen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po kërkon rifillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mediat lokale serbe shkruajnë që presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili ndodhet në Nju Jork, do të prezantojë të martën pjesë të planit të Serbisë për dialogun me Kosovën. Udhëheqësit kryesor kosovar, ka disa ditë që po qëndrojnë në Nju Jork, për të marrë pjesë në punimet e asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Por ende nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndonjë plan të formësuar për bisedimet me Serbinë. Ditë më parë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, deklaroi se qeveria e Kosovës tashmë ka një plan inicial për bisedime me Serbinë. Mirëpo, sipas tij, plani duhet të harmonizohet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

“Kosova e koordinon aktivitetin e vet në plotni me SHBA-në dhe me BE-në. Qëllimi ynë është që të zbatohen ato që janë arritur deri më tash, e pastaj të shohim se çka do ndodhë më tutje”, thotë Kuçi.

Situata qartësohet në Nju Jork

Chaterine Ashton duhet të ndërmjetësojë.
Chaterine Ashton duhet të ndërmjetësojë.Fotografi: dapd

Shef i ri i ekipit negociator në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Dejan Paviqeviq, ka thënë për mediat lokale serbe se pas bisedimeve në Nju Jork, ndërmjet presidentit serb Tomisllav Nikoliq dhe baroneshës Ashton, situata rreth dialogut me Kosovën do të jetë më e qartë. ”Shumë çështje do të konkretizohen, siç është ajo se a do të vazhdohet dialogu në nivel më të lartë dhe a do të ekzistojnë dy binarë – politik dhe teknik, apo e gjitha do të jetë si më parë. Ne në Nju Jork do të paraqesim pjesë të planit tonë për vazhdimin e dialogut. Planin e vet do ta paraqesë edhe Bashkimi Evropian, me siguri edhe pala kosovare”, ka thënë Dejan Paviqeviq.

Serbia është në pritje të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por zyrtarë të lartë të BE-së, tashmë hapur kanë kërkuar nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Mediat në Kosovë shkruajnë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, siç ishte kjo e fundit e kryeministrit për ndarje të Kosovës, janë një lloj parakushti, që Serbia po tenton të vendosë para fillimit të dialogut të ri me Kosovën.