1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ndarja nuk mund të jetë zgjidhje për Kosovën"

23 Shkurt 2012

Nikolaus Graf Lambsdorff është përfaqësuesi special i Ministrisë së Jashtme për Evropën Jug-Lindore. Në intervistë me DW ai flet për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, prirjet për vendosjen e kufijve të rinj në Ballkan

https://p.dw.com/p/147p6
Nikolaus Graf Lambsdorff
Nikolaus Graf LambsdorffFotografi: picture-alliance/dpa

Deustche Welle: Disa politikanë në Serbi janë shprehur ndërkohë qartë për një ndarje të Kosovës. Parë nga këndvështrimi i Gjermanisë, a vjen ndopak në konsideratë opsioni i ndarjes, si një zgjidhje për problematikën e Kosovës?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Përgjigja për këtë është fare thjesht, jo. Ministri Westerwelle ka thënë gjithashtu disa herë gjatë vizitave të tij në rajon se kufijtë në Ballkan për ne janë të fiksuar, kjo vlen edhe për veriun e Kosovës. Kosova veriore nuk është pjesë e Republikës së Serbisë dhe ne për më tepër nuk besojmë se një ndarje mund të jetë zgjidhje për problemin e Kosovës veriore.

Deutsche Welle: Por ka politikanë, jo vetëm në Serbi, por edhe vetë në Kosovë, si për shembull "Vetëvendosja"', lëvizja nacionaliste e shqiptarëve, që flasin për një bashkim të të gjitha territoreve të banuara me shqiptarët në rajon. Ju keni pritur para pak kohe kryetarin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurtin, në Berlin. Çfarë mendoni në lidhje me këtë vizion?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Atë, që propozohet atje, e konsiderojmë krejtësisht të gabuar. Kjo nuk do të çojë në zgjidhje, por në probleme të reja në Ballkan. Kjo parti e re përfaqëson, si në parlament, ashtu edhe si opozitë jashtëparlamentare idetë nacionaliste shqiptare në Kosovë. Kjo është e lejuar në një demokraci, por në Kosovë, dhe unë jam i sigurt se edhe tjetërkund, kjo nuk ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.

Deustche Welle: Instituti i Berlinit për Shkencë dhe Politikë ka botuar kohët e fundit një analizë me vlerësimin se bashkimi i të gjitha  zonave të banuara me shqiptarë në rajon nuk do të kishte kurrfarë efekti domino. Në të vlerësohet se në Maqedoni do ta lëshonin Maqedoninë perëndimore, sepse atje gjithsesi ka shumë probleme me pakicën shqiptare. Dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të kishte pse të frikësohej nga rreziqe të mëdha, në qoftë se do të këtë ndryshime të tilla territoriale dhe kufitare. Jeni edhe ju i këtij mendimi?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Unë e shoh këtë krejt ndryshe. Së pari, prapa kësaj është pyetja, nëse dëshirojmë dhe e pranojmë krijimin e shteteve të reja, apo të një lloji të ri shtetesh monoetnike. Ne besojmë se modeli evropian janë shtetet multietnike. Pas saj qëndron në fund çështja e Shqipërisë së madhe, që shfaqet herë pas here, por për çudi shumë më rrallë, se sa ç'mendohet. Unë jam i bindur se Shqipëria nuk ka asnjë interes për idetë shqiptaromëdha. Përveç kësaj, për këto çështje popullsia e prekur është pyetur shumë rrallë dhe zhvendosjet e kufijve do të sillnin me vete edhe zhvendosje të popullsisë. Kjo e gjitha, për ta shprehur me shumë kujdes, është joevropiane dhe jo në përputhet me vlerat dhe normat dhe idetë e Bashkimit Evropian. Dhe përsa i përket efektit domino, askush nuk e di paraprakisht se çfarë vjen më pas. Kush dëshiron, ju lutem shumë, që ta provojë këtë? Ne me siguri të plotë nuk do ta mbështesim, përkundrazi insistojmë që kufijtë e Ballkanit janë vendosur dhe tani është puna, që brenda këtyre kufijve, të ndërtojmë dhe të zhvillojmë shtetet moderne demokratike multietnike.

Deustche Welle: Si e vlerësoni ju gjendjen e sigurisë në Kosovë në këtë kohë? A do të ketë qetësi? A jeni i shqetësuar se në sfondin e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës mund të ketë përsëri trazira?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Ne jemi të sigurtë se situata e sigurisë, në fakt në të gjithë Ballkanin Perëndimor, është e mirë. Kjo vlen të thuhet për shembull edhe për Bosnjën, ku ka ende prani ushtarake ndërkombëtare, edhe pse të vogël. Në Kosovë ka ende gati 6.000 ushtarë të NATO-s në kuadër të misionit ushtarak shumëkombësh të Kosovo Force (KFOR). Ata qëndrojnë atje me pëlqimin e plotë të qeverisë kosovare. Unë nuk besoj se në Republikën e Kosovës ka problem sigurie. Nga ana tjetër ne sigurisht duam edhe të parandalojmë, që të krijohen probleme të sigurisë. Prandaj ne i kundërshtojmë veprimet e njëanshme, si ato të qeverisë së Prishtinës në veri të Kosovës. Edhe problemi i veriut të Kosovës duhet të zgjidhet me anë të negociatave. Natyrisht ne synojmë që numri i ushtarëve të KFOR-it të reduktohet. Në këtë moment kjo gjë është penguar për shkak të Veriut të Kosovës, por tendenca është e qartë: që kjo do të vazhdohet.

Deustche Welle: Cili është vlerësimi për misionin EULEX? Shumë thonë se ai ishte mision shumë i shtrenjtë dhe nga ana tjetër nuk mund të bëjë shumë gjëra. Ku i shihni ju kufijtë, por edhe mundësitë e këtij misioni?

Nikolaus Graf Lambsdorff: EULEX-i është një mision i madh evropian, i cili tani ndoshta do të tkurret ngadalë gradualisht. Problemi është se EULEX-i nuk mund ta përmbushë mandatin, detyrën e tij në pjesën veriore të Kosovës, jo për fajin e tij. Ai pengohet që të jetë aktiv në veri të Kosovës. Ne shpresojmë shumë se një zgjidhje në bisedimet për problemin e Veriut të Kosovës do të jetë, duhet të jetë, që EULEX-i të mund të kryejë detyrën e tij. Në të njëjtën kohë EULEX-i edhe mund të zvogëlohet. Për këtë diskutohet momentalisht në Bruksel, sepse atje tani po shqyrtohet për herë të parë tërësisht misioni i EULEX-it që nga fillimi i tij në vitin 2008.

Deustche Welle: Si i shihni ju shanset për Serbinë për të marrë rekomandimin për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE (Shënim i red. Për këtë do të konsultohen fillimisht ministrat e jashtëm të BE më 28 shkurt, vendimin do ta marrin në samitin e BE-së me 1 mars ), në sfondin e bisedimeve, që kanë rifilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Nikolaus Graf Lambsdorff: Kjo është një pyetje pas rezultateve të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për Këshillin, i cili do të vendosë javën e ardhshme, konkretisht të martën e ardhshme, me 28.02., nëse Serbia mund të bëhet kandidat për pranimin në BE.  Ende është shumë herët për të thënë se si do të ndodhë, sepse ka ende dy probleme konkrete, që nuk janë zgjidhur kënaqshëm në dialog. Kjo duhet të ndodhë me të vërtetë në këto pak ditë, që vijnë. Është e mundur që atje të gjendet një kompromis, sepse si gjithmonë në negociata, fjala edhe këtu është për kompromise. Këtë duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë të dyja palët. Sigurisht që pastaj arritjet edhe duhen zbatuar. Kjo do të jetë pastaj temë në muajt e ardhshëm.

Intervistën e zhvilloi Verica Spasovska 

Redaktoi: Angjelina Verbica