1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180110 Haiti EU-Konferenz

19 Janar 2010

Evropianët do ta ndihmojnë Haitin me 400 milionë euro. 90 milionë do të vihen në dispozicion nga vendet anëtare të BE-së si ndihmë humanitare afatshkurtër, të cilës Komisioni i BE-së do t`i shtojë japë edhe 30 milionë.

https://p.dw.com/p/LZzn
Në një takim krize të ministrave të BE-së për politikën e jashtme dhe zhvillimin, të hënën (18.01.) në Bruksel u zhvilluan konsultime për ndihmë shtesë për Haitin.
Në një takim krize të ministrave të BE-së për politikën e jashtme dhe zhvillimin, të hënën (18.01.) në Bruksel u zhvilluan konsultime për ndihmë shtesë për Haitin.Fotografi: AP

Shtetet e BE-së dhe Komisioni së bashku duan t'i japin Haitit një ndihmë emergjente prej 120 milionë eurosh. Por sado e mirëpritur të jetë gatishmëria për ndihmë ajo është pak e dobishme nëse ndihmat dërgohen pa asnjë plan në Haiti. Ky është një nga rezultatet më të rëndësishme të takimit të krizës në Bruksel.

Ministri holandez për Zhvillimin, Bert Koenders, kërkoi të nxirren mësime nga katastrofa të mëparshme: "Situata aktualisht është tejet e vështirë: 'koordinimi' është edhe mësimi i nxjerrë nga katastrofa e cunamit. Pra na duhet të bashkëpunojmë shumë ngushtë. Situata atje nuk duhet të bëhet kaotike. Ne e dimë se mundësitë atje janë shumë të kufizuara p.sh. sa i takon kapacitetit për ulje avionësh. Amerikanët janë pranë, Kombet e bashkuara janë pranë dhe përsa kohë Evropa mund të ndihmojë kjo është pozitive."

Krahas ndihmës emergjente edhe siguria është aktualisht një kërkesë imperative, tha Catherine Ashton, përfaqësuesja e re e BE-së për politikën e jashtme: "Nëse flisni me programin botëror për ushqimin apo me organizata që shpërndajnë vazhdimisht ndihma ushqimore ju thonë: 'Duhet që të veproni me rregull. Ndihmat nuk mund të shkarkohen thjesht në një fshat apo të hidhen nga ajri, kjo duhet të bëhet me rregull. Çka do të thotë që kemi nevojë për një sistem mbështetës në vend."

Për rindërtimin afatgjatë të vendit është e mundur një ndihmë deri në 300 milionë euro nga BE.
Për rindërtimin afatgjatë të vendit është e mundur një ndihmë deri në 300 milionë euro nga BE.Fotografi: AP

Për këtë arsye shumë vende anëtare të BE-së kanë sinjalizuar se mund të venë në dispozicion një lloj trupe policore prej ndoshta 150 personash, e cila do të kujdesej për rregull gjatë shpërndarjes së ndihmave dhe jo vetëm të atyre nga BE-ja. Kështu BE-ja i përgjigjet edhe një lutjeje përkatëse të OKB-së. Por hollësitë janë ende për t'u sqaruar.

Werner Hoyer, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane, e hedh vështrimin edhe më larg në të ardhmen. Emergjenca është kaq e madhe në Haiti pasi vendi ka edhe probleme themelore, dhe ky ishte mendimi i përbashkët në takimin e ministrave në Bruksel: "Natyrisht ne duhet të kujdesemi edhe që ndihma afatmesme dhe afatgjatë për rindërtim të vihet në lëvizje dhe mundësisht të jetë e koordinuar. Ne këtu nuk mund të bashkërendisim veprimet vetëm në kuadër të BE-së por edhe përtej kësaj kornize. Po shohim se me çfarë mundësish të mëdha po veprojnë miqtë tanë amerikanë, për të cilën edhe i falenderojmë. Por të gjitha këto duhet të harmonizohen dhe koordinohen."

Për ndihmën afatmesme dhe afatgjatë Komisioni do të ofrojë edhe 300 milionë euro. Megjithatë me parë duhen zgjidhur jo vetëm problemet e brendshme të buxhetit të BE-së, por duhet analizuar saktë edhe situata në Haiti në mënyrë që paratë të mos zhduken pa asnjë efekt pozitiv në një vrimë të zezë.

Autor : Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama