1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshim kushtetute për heqjen e imunitetit në Shqipëri?

25 Tetor 2011

A duhet ndryshuar Kushtetuta e Shqipërisë për të kufizuar apo hequr imunitetin e deputetëve, ministrave që dyshohen për korrupsion? Ekspertët europianë dhe opozita thonë po, kurse maxhoranca dhe qeveria është kundër.

https://p.dw.com/p/12yIU
Parlamenti, Tiranë
Parlamenti, TiranëFotografi: AP Photo

Ideja e reformimit të sistemit të imuniteteve në Shqipëri përmes ndryshimeve në Kushtetutë vjen nga nga misioni Euralius i BE-së, që asiston Shqipërinë për reformat në drejtësi dhe Projekti i Këshillit të Europës për luftën kundër Korrupsionit, i njohur me inicialet PACA. Ekspertë nga Euralius dhe PACA i kanë dorëzuar Parlamentit të Shqipërisë një projektligj, të përgatitur prej tyre, ku rekomandojnë ndryshime kushtetuese që ulin numrin e atyre që mund të gëzojnë imunitet, që kufizojnë apo heqin imunitetin të atyre qeëu takon për t'i hapur rrugë hetimeve dhe ndjekjes penale kur ata dyshohen për korrupsion.

Që imuniteti jo rrallë në Shqipëri shërben për t'iu shmangur drejtësisë e pranon edhe Presidenti Topi, njëherazi kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Zyrtarët e lartë e kanë përdorur shpesh imunitetin si një mburojë ndaj hetimeve dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera dhe përfshirjen në korrupsion”, deklaroi kohët e fundit presidenti Bamir Topi.

Një situatë e tillë i ka lënë të pandëshkuar zyrtarët e lartë dhe ka bërë që barazia para ligjit të mbetet në Shqipëri një parim kushtetues në letër. Në Progress- Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, të publikuar në fillim të këtij muaji Shqipërisë i sugjerohet të bëje ndryshimet përkatëse në Kushtetutë pasi imuniteti ështe bërë pengesë në luftën kundër korrupsionit. Por në këtë pikë maxhoranca dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme: opozita është pro ndryshimeve në Kushtetutë kurse maxhoranca është kundër. Por të dyja palët pranojnë domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të imuniteteve për të luftuar korrupsionin në rradhët e zyrtarëve të lartë

Dispozitat për imunitetin në Kushtetutën e Shqipërisë – pasoja të krizës së besimit politik

Konstitucionalistja Aurela Anastasi e vlerëson Kushtetutën aktruale të Shqipërisë mjaft të fortë lidhur me dispozitat për imunitetin. “Kemi një Kushtetutë mjaft të fortë që thotë se imuniteti e mbron deputetin, ministrin, zyrtarin e lartë jo vetëm në rastet kur ai mund të arrestohet por gjatë gjithë ndjekjes penale. Madje Prokuroria nuk mund të zhvillojë as hetime ndaj një deputeti. Kushtetuta sanksionon që për heqjen e imunitetit të një deputeti Parlamenti vendos me votim të fshehtë. Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 1998 kur u miratua Kushtetuta, atëhere kuptojmë që ka qënë i qëllimshëm neni që forcon imunitetin për shkak të krizës së besimit politik mes maxhorancës dhe opozitës dhe polarizimit të madh në klasën politike të Shqipërisë në vitet 1997- 1998, kur u miratua Kushtetuta aktuale,” thotë Znj. Anastasi.

Demostratë kundër korrupsionit në Shqipëri
Demostratë kundër korrupsionit në ShqipëriFotografi: AP Photo

Çfarë rekomandon projektligji i ekspertëve ligjorë europianë?

Por tani ky nen bëhet pengesë për të çuar deputetë, ministra dhe zyrtarë të lartë që dyshohen për korrupsion para drejtësisë. Sesa i rëndësishëm është reformimi i sistemit të imuniteteve flet fakti, që për ta kryer atë ekspertët europianë nuk japin asistencë teknike dhe as ekspertizë por hartojnë vetë një projektligj dhe ia vënë përpara për diskutim Parlamentit. Thelbi i projektligjit të përbashkët të misionit Euralius dhe Projektit të Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri është shfuqizimi i nenit të Kushtetutës, sipas të cilit një deputet arrestohet kur kapet në flagrancë për krime të rënda. Në vend të këtij neni projektligji i ekspertëve ligjorë europianë propozon që një deputet mund të arrestohet për çdo krim në kushtet e flagrancës qoftë edhe kur nget një automjet i dehur. Me fjalë të tjera kërkohet zgjerimi i gamës së krimeve që konsiderohen të rënda. Projektligji kërkon gjithashtu, që ndryshimet në Kushtetutë lidhur me heqjen apo kufizimin e imunitetit të miratohen jo me 3/5 e deputetëve si parashikon Kushtetuta por me 2/3 e tyre ose 93 vota. Propozohet që ndryshimet në Kushtetutë lidhur me imunitetin të përfshijnë edhe kalimin nga votim i fshehtë në votim të hapur. Projekti i BE dhe i Këshillit të Europës propozon uljen e numrit të zyrtarëve që kanë nevojë për imunitet. Kështu projektligji propozon që imunitetin të mos e kenë ministrat, anëtarët e KQZ, avokati i Populit dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Pro dhe kundër ndryshimeve në Kushtetutë

Konstitucionalistja Aurela Anasasi është pro ndryshimeve në Kushtetutë dhe arritjes së një konsensusi pa kushte mes maxhorancës dhe opozitë për të miratuar projektligjin e BE dhe Këshillit të Europës. “Janë të nevojshme ndryshimet në Kushtetutë. Nëse të dyja palët janë dakort ta kufizojnë ose sidomos për ta hequr imunitetin për ato kategori që propozon projektligji i ekspertëve europianë, atëhere duhet patjeter të arrijnë në konsensus dhe të bëjnë ndryshimet në Kushtetutë,” thotë znj. Anastasi.

Por mazhoranca është kundër prekjes së kushtetutës. Ajo i referohet Komisionit të Venecias, që mbështet rregullime ligjore për të realizuar reformimin e sistemit të imuniteteve dhe jo ndryshimin e neneve përkatëse. Një rregullim i tillë është ai në fillim të këtij viti sipas të cilit deputetët hiqnin dorë vullnetarisht nga imuniteti, nëse për ta kishte dyshime për korrupsion. Por kjo shtojcë në rregulloren e Parlmentit të Shqipërisë nuk ka gjetur zbatim. Klima e mosbesimit politik mes palëve e bën të vështirë kalimin e kësaj shtojce nga letra në praktikë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama