1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070611 Strauss-Kahn Frankreich

7 Qershor 2011

Interesimi për rastin "DSK" në Francë vazhdon të jetë i madh, siç tregoi edhe prania mediatike franceze dje (e hënë 6.6.) në Manhattan kur ish-drejtorit të FMN-së iu desh të paraqitej për të parën herë para gjyqit.

https://p.dw.com/p/11Vc3
Rasti DSK dhe francezët
Rasti DSK dhe francezëtFotografi: picture-alliance/dpa

Jo një, por disa stacione televizive franceze ishin të pranishme me transmetime të drejtpërdrejta kur Dominique Strauß-Kahn u paraqit për seancën dëgjimore në gjyq. Afera rreth ish-drejtorit të FMN-së dhe politikanit francez është edhe tri javë pas arrestimit, tema mbizotëruese në Francë. Por, opinioni publik ka ndryshuar. Pak pas arrestimit të 62 vjeçarit në Nju-Jork shumica e francezëve dyshonte ende se bëhej fjalë për një përbetim kundër tij. Në fund të fundit kjo peshë e rëndë politike në Francë konsiderohej si kandidat për postin e presidentit.

Por, ndërkohë fronti pro-DSK po thërrmohet. Jérôme Sainte-Marie, zëvendësdrejtor i institutit CSA për studime të opinionit, shpjegon: "Simpatia për Dominique Strauß-Kahnin ka rënë mjaft. Kjo mund të shpjegohet me atë, që ndërkohë janë më shumë njerëz që mendojnë se ai është fajtor. Të tjerë kanë mësuar aq shumë javët e fundit për personalitetin e tij, saqë edhe sikur ai të jetë i pafajshëm, ata do të jenë të zhgënjyer prej sjelljes së tij."

Prej kohësh nuk bëhet fjalë më për mëkat zotërinjsh. Ndryshe nga skema e zakonshme në Francë në raste aferash intime të politikanëve, pas arrestimit të celebruar publikisht skandali DSK nuk mund të fshihet më nën rrogoz. Në vend të kësaj, ka nisur një debat i ndezur mbi sjelljen e mirë dhe moralin në politikë. Nëpërmjet kësaj kanë dalë në dritë raste të reja të ngacmimeve seksuale. Sekretari i shtetit Georges Tron, u akuzua nga dy ish-bashkëpunëtore dhe u detyrua të jepte dorëheqjen.

Rasti DSK dhe francezët
Rasti DSK dhe francezëtFotografi: picture alliance/dpa

Skandali rreth socialistit Dominique Strauß-Kahn nuk e ka kthyer ende përmbys atmosferën politike para zgjedhjeve presidenciale në Francë. Arsyeja për këtë është edhe se presidenti i shtetit Sarkozy, nuk është veçanërisht i pëlqyer te francezët. Socialistët kanë ende pozicion të mirë në garë. Megjithatë, rasti DSK do të ketë ndikim në zgjedhjet e 2012-ës.

Një problem tjetër për socialistët është se Dominque Strauß-Kahn po jep miliona për mbrojtjen e vet dhe që ai jeton në një shtëpi luksoze në Nju-Jork. Këtë socialistët mund t'ua shesin me shumë vështirësi zgjedhësve të tyre. Konservatorët rreth presidentit Sarkozy po shfrytëzojnë rastin dhe flasin me shpoti për "të majtë havjari".

Autor: Anne Christine Heckmann/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama