1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshime në qeveri?

14 Prill 2011

Përfaqësues të partive politike, pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë, thonë se deri në fund të javës do të përmbyllet procesi i ndryshimeve brenda qeverisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/10tfz
Parlamenti i KosovësFotografi: dapd

E gjithë kjo bëhet në funksion të krijimit të një barazpeshe ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, që rezultoi me një marrëveshje për zgjedhjen e presidentes koncensuale, Atifete Jahjaga.

Atifete Jahjaga Kosovo Präsidentin Wahl 07.04.2011
Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.Fotografi: AP

Marrëveshja e një jave më parë e udhëheqësve kryesorë politikë, që i dha fund krizës rreth zgjedhjes së presidentit, do të sjellë edhe ndryshime në qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaci. Emërimi i Behgjet Pacollit, si zëvëndëskryeministër i parë, sipas përfaqësuesve të partive politike, pjesë e koalicionit qeverisës, do të pasohet edhe me emërimet e disa ministrave të rinj në qeveri nga radhët e Aleancës për Kosovën e Re, pjesë kjo e marrëveshjes së rinegociuar të koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AKR. Ibrahim Makolli, ushtrues detyre i kryetarit të AKR-së, konfirmon se partia e tij do t'i ketë edhe dy ministri. “Jemi dakorduar me përfaqësuesit e PDK-së që të ketë një riorganizim të brendshëm të qeverisë, me të cilën nënkuptohet që të ketë disa dikastere shtesë për AKR-në. Jemi pajtuar në parim që AKR-së t'i takojnë edhe dy dikastere, sikurse dhe dy pozita të zëvëndësministrave”, thotë Ibrahim Makolli.

Ende nuk ka emra të ministrave të rinj

Ibrahim-Makolli-AKR
Ibrahim Makolli, ushtrues detyre i kryetarit të AKR-së.Fotografi: DW

Mirëpo burime brenda kësaj partie thonë se ajo synon dy ministri, që lidhen me ekonominë. Ndërkohë edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, konfirmon se do të ketë ndryshime në qeveri, mirëpo sipas tij akoma nuk ka një finalizim të marëveshjes me partnerin e koalicionit, AKR. “Ajo çka mund të them është se qeveria është stabile dhe po funksionon në kuptimin më të mirë të fjalës dhe tash kërkohet që të jemi të përgjegjëshëm për pritjet që kanë qytetarët, ndërsa lëvizjet e vogla do të jenë të vazhdueshme dhe ajo çka mund të them është se shumë shpejt do të bëhet një kompletim i tërësishëm i qeverisë, mirëpo pa garanca për askënd, që mund të mbetet aty deri në fund të mandatit. Puna do të jetë ajo që do ta mbajë dikend në qeveri, apo jo”, thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuci.

Hajredin Kuci
Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuci.Fotografi: DW

Marrëveshja fillestare e koalicionit qeverisës parashihte që PDK të udhëheqë me 10 ministri, ndërsa AKR-ja me 3 ministri. Mirëpo rishikimi i marrëveshjes së koalicionit mund të bëjë që PDK-ja të mbetet me 8, kurse AKR-së t'i shtohet numri në 5 ministri. Katër ministri të tjera, tash për tash udhëhiqen nga pakicat dhe një ministri nga Lista Ibrahim Rugova.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se koalicioni qeverisës megjithë rishikimin e marrëveshjes do të respektojë me përpikmëri edhe proceset e ndryshimit të kushtetutës dhe reformën e sistemit zgjedhor, që ishin pjesë e marrëveshjes, me të cilën u tejkalua kriza politike ne vend me zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga. Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila u ndërmjetësua nga ambasadori amerikan, Christopher Dell, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas një viti, ndërsa ato parlamentare pas dy vjet e gjysmë. Çdo ndryshim i Kushtetutës kërkon votat e dy të tretave të deputetëve të parlamentit.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angjelina Verbica