1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshimet në kabinetin qeveritar në Shqipëri

14 Shtator 2010

Analistët: Lëvizjet e fundit në qeveri reflektojnë më shumë probleme në lidershipin e LSI-së dhe forcimin e rolit të Ilir Metës si brenda forcës që ai përfaqëson, ashtu dhe në marrëdhëniet me kryeministrin

https://p.dw.com/p/PC5b
Pamje nga një mbledhje e kabinetit qeveritar në Tiranë
Pamje nga një mbledhje e kabinetit qeveritar në TiranëFotografi: Mimoza Dhima
Në foto presidenti Bamir Topi
Në foto presidenti Bamir TopiFotografi: Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft e. V.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dekretoi sot pasdite (14.09.2010) ndryshimet në qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Lëvizjet ishin vetëm në përfaqësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeverisje, duke larguar nga posti ministrin e Ekonomisë dhe të Energjetikës Dritan Prifti dhe në vend të tij u emërua kryetari i LSI-së Ilir Meta. Postin e ministrit të Jashtëm, që mbahej nga Meta e ka zënë Edmond Haxhinasto, një ish-diplomat dhe funksionar në këtë ministri.

Vetëm pak orë ju desh kryeministrit Sali Berisha që të miratonte propozimet që i erdhën nga aleati kryesor në qeverisje, Lëvizja Socilaiste për Integrim. Po kështu ishte vetëm çështje orësh që Presidenti i Republikës të dekretonte largimin e Dritan Priftit, lëvizjen e Ilir Metës nga Ministria e Jashtme tek ajo e Ekonomisë dhe Energjetikës, si dhe ardhjen e Edmond Haxhinastos në postin e shefit të diplomacisë shqiptare.

Në foto Robert Rakipllari
Në foto Robert RakipllariFotografi: DW

Robert Rakipllari, kryeredaktori i së përditshmes më të madhe në Shqipëri, "Panorama", i vlerëson lëvizjet më të fundit në rradhët e LSI-së si rezultat i një lufte të ftohtë prej kohësh në lidershipin e saj. Gjithashtu ajo ishte pasojë edhe e marrëdhënieve të vështira mes Ilir Metës dhe Sali Berishës të krijuara nga ish-ministri Dritan Prifti", thotë Rakipllari për DW.

Tashmë pozita e Ilir Metës në qeveri është forcuar dhe të tre ministrat që përfaqësojnë LSI-në në kabinetin qeveritar janë totalisht të kësaj force politike dhe nën kontrollin e zotit Meta. Nga ana tjetër kreu i LSI-së ka parë gjatë këtij viti se ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës është një ministri që përmbledh shumë interesa politike e financiare dhe të biznesit në përgjithësi, që janë më të rëndësishme për një kryetar partie për të pasur më shumë rezultate për partinë e tij.

Në foto Arban Hasani
Në foto Arban HasaniFotografi: DW

Analisti politik Arban Hasani, shikon në këto lëvizjet e fundit të LSI-së mënjanimin e një figure kyç të saj që është Dritan Prifti. Hasani e përshkruan Priftin si "kumbarën" e koalicionit PD - LSI, ai që "ngjizi" për herë të parë në Shqipëri aleancën mes një force të djathtë dhe një të majtë. Nga ato që janë thënë deri më tani, si nga Meta, ashtu dhe nga Berisha, por dhe vetë Dritan Prifti mbeten një sërë pikëpyetjesh për mënjanimin e tij, arësyet e vërteta të këtij aksioni politik të koalicionit qeveritar, thotë Arban Hasani për DW.

"Nëse kjo është një lëvizje e sinqertë e zotit Meta, tashmë të gjithë akuzat për korrupsion kalojnë në krahun e Partisë Demokratike dhe zotit Berisha. Kjo do të thotë që duke bërë ‘kokë turku' Priftin, topin Meta e ka kaluar në fushën e PD-së dhe zotit Berisha. I mbetet PD-së të sqarojë se cilat janë pozicionet e saj në raport me koalicionin, se cilat do të jenë reagimet e strukturave të PD-së për këto lëvizje të faktit të kryer që ka bërë LSI-ja. Kjo mund të sjellë probleme brenda PD-së, e cila nuk ka mbyllur ende procesin e zgjedhjeve brenda strukturave të saj që kanë nisur prej një viti."

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora