1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ne duhet t´i jemi mirënjohës përgjithmonë momentit historik të 9 nëntorit

9 Nëntor 2009

Edhe të përditshmet e sotme gjermane përqëndrohen tek ngjarja historike e 9 nëntorit 1989. Me rënien e Murit të Berlinit përfundoi ndarja e dhimbshme 41 vjeçare e gjermanëve nga njëri-tjetri.

https://p.dw.com/p/KRII
Fotografi: AP

Gazeta Stuttgarter Nachrichten thekson:

"Eshtë pak e çuditshme se si sillen gjermanët në ditën më të lumtur të historisë së re të tyre. Përpara 20 vitesh veprimi i njerëzve të thjeshtë solli ndryshimin e një sistemi të tërë. Por sot, në ceremoninë festive në Berlin, mendohet vetëm në sferë shtetërore: Kancelarja Merkel ka ftuar Gorbaçovin dhe Valesën, ndërsa presidenti i vendit mban një fjalim përpara shefave dhe kryetarëve të shteteve. Padyshim që është arritje e madhe kur një hungarez dhe një polak rrëzojnë në mënyrë simbolike gurë dominoje. Por nuk duhet harruar se Les Valesa dhe Miklos Nemeth askohe luajtën rol të dorës së dytë. Ishte populli ai që nuk ishte më i kënaqur me Perden e Hekurt dhe e mposhti kështu komunizmin."

Nërkohë gazeta Westdeutsche Zeitung konstaton me krenari:

"Sot Berlini është në qendër të një kontinenti që po rritet i bashkuar. Së bashku me Francën, Gjermania ka luajur një rol kyç në Bashkimin Evropian. Por Gjermania ndodhet gjithashtu në mes të Moskës dhe Uashingtonit. Dhe pikërisht sepse ky vend ndodhet në Perëndim, Berlini mund të flasë hapur me Moskën. Kur presidenti rus Medvedjev kërkon me të drejtë "një vend të barabartë në Evropë", ai flet së pari me Berlinin. Qeveria gjermane është si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin vendi i parë për bisedime, të gjithë kanë besim tek gjermanët. Kështu kemi çdo arsye të festojmë."

Edhe gazeta Rhein-Zeitung komenton me hare:

"Ne duhet t´i jemi mirënjohës përgjithmonë momentit historik të 9 nëntorit, sepse Gjermania pati në këtë fazë të historisë së saj një fat të madh. Dritarja e kohës që çeli Gorbaçovi për rënien e Murit dhe bashkimin e popullit, qëndori vetëm pak kohë hapur. Por politikani gjithë instinkte, Helmut Kohl, e njohu situatën në momentin e duhur dhe veproi në vend që të priste. Por kjo dinamikë politike mund të kishte dështuar lehtë: Një urdhër për vërshimin e tanksave, madje një krismë e një ushtari të pasigurtë në kufi mund ta kishte shkatërruar atë moment aq historik."

Autor : Sonila Harasani / dpa

Redaktoi : Aida Cama