1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociata të vështira për klimën - Sot Bashkimi Evropian merr vendimet

Kristof Haselbah12 Dhjetor 2008

Pjesët më të vështira janë klima dhe rritja ekonomike, tek dëshirat e Irlandës në lidhje me marrëveshjen për reformën po ravijëzohet një zgjidhje.

https://p.dw.com/p/GE2N
Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Pëtering dhe presidenti francez Nikola Sarkozi duke biseduar para seancës plenare të samitit të BE-së në Bruksel.Fotografi: AP

Është një samit, të cilin presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barrozo, e ka cilësuar si më të rëndësishmin prej vitesh. Krerët e shteteve dhe të qeverive duan të arrijnë tri gjëra të rëndësishme: të miratojnë paketën për mbrojtjen e klimës, të mbështesin koniunkturën evropiane me një program të përbashkët dhe të krijojnë parakushtet që marrëveshja për reformimin e BE-së të vijë megjithatë.

Kryeminstri britanik Gordon Brown, dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008
Kryeminstri britanik Gordon Brown, dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008Fotografi: AP

Irlandezët e refuzuan marrëveshjen në një referendum në qershor duke e ndalur fillimisht procesin. Tani qeveria irlandeze do që të votohet për herë të dytë. Por ajo ka kërkuar lëshime: Irlanda do që të konfirmohet asnjëanësia e saj, të ruhet e drejta e saj e rreptë e abortit dhe, çka është më e diskutueshmja, të ketë një komisioner të vetin, megjithëse marrëveshja për reformën do ta zvogëlonte mjaft komisionin. Me sa duket qeveria në Dublin ka shanse të mira që t'i plotësohen këto kërkesa, siç la të kuptohej presidenti i Parlamentin Evropian, Hans-Gert Pëtering: "Në rast se mospasja e një komisioneri irlandez përbën pengesë dhe ne mund ta largojmë këtë pengesë duke i dhënë Irlandës një komisioner, atëherë besoj që ia vlen bëjmë një lëshim të tillë për hir të synimit."


Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, me kryeministrin danez Jan Peter Balkenende në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008
Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, me kryeministrin danez Jan Peter Balkenende në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008Fotografi: AP

Më shpërthyese është tema e programit koniunkturor. Këtu ditët e fundit ka pasur grindje midis Gjermanisë nga njëra anë dhe komisionit, Britanisë së Madhe dhe Francës nga ana tjetër. Programi i Gjermanisë është shumë më i vogël se ç'do të donin të tjerët. Por Merkeli nuk donte t'ia dinte për kundërthënie brendaevropiane: "Në parim ne i mbështesim këtu veprimet e komisionit, i cili thotë se çdo vend anëtar duhet të kontribuojë me rreth 1,5 për qind të prodhimit të tij të brendshëm bruto. Gjermania ka miratuar një paketë të parë koniunkturore. Gjermania do të shohë vazhdimisht se ç'duhet të bëjmë eventualisht akoma, veçanërisht duke mbajtur parasysh masat amerikane që do të vijnë në janar me presidentin e sapozgjedhur."


Të paktën me këtë Merkeli la të kuptohet se ajo mund ta shtojë programin e deritanishëm gjerman të investimeve. Kjo do t'i gëzojë të tjerët.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008
Presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, në Samitin e Bashkimit Evropian, 11 dhjetor 2008Fotografi: AP


Tema më e madhe dhe më e vështirë e samitit është paketa e klimës, një projekt prestigji edhe për kryetarin e radhës në BE, presidentin francez Nikola Sarkozi: "Kemi nevojë për marrëveshje. Nuk kemi rrugë tjetër. Po bëj gjithçka mundem në mënyrë që qëndrimet e ndryshme të afrohen. Evropa nuk duhet të ofrojë pamjen e mospajtimit."


Uniteti kërkohet edhe për faktin që në negociatat aktuale të OKB-së për klimën në Poznan Evropa do të mbrojë një qëndrim të përbashkët dhe ambicioz. Synimet janë përmbledhur nën slloganin "Tre herë 20", kjo do të thotë 20 për qind më pak konsum energjie, 20 për qind reduktim i gazrave serë, 20 për qind energji të ripërtëritshme, pra erë, diell e kështu me radhë. Praktikisht synimet nuk vihen në diskutim, por Merkeli do që të merren në kosideratë interesat e veçanta të një vendi me industri përpunuese veçanërisht të madhe. "Natyrisht që duhet të bëjmë kujdes që të lidhim vërtet mbrojtjen e klimës me vendet e punës në ndërmarrjet ekologjike, dhe Gjermania do të ketë këtu kujdes, por para së gjithash ne duhet të bëjmë kujdes që t'i arrijme me çdo kusht synimet e klimës."