1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliçi thotë se është arritur marrëveshje me Kosovën

Eliana Xhani (dpa)12 Mars 2013

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç deklaroi se Serbia dhe Kosova do të nënshkruajnë një marrëveshje për veriun e Kosovës këtë muaj. Por Catherine Ashton nuk e konfirmoi caktimin e ndonjë date.

https://p.dw.com/p/17vJz
Fotografi: EUROPEAN-UNION

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç deklaroi se Serbia dhe Kosova do të nënshkruajnë një marrëveshje për veriun e Kosovës këtë muaj, pas arritjes së një marrëveshje në negociatat e së hënës. 

Kryediplomatja e BE-së Catherinë Ashton nuk konfirmoi arritjen e një marrëveshje të tillë pas bisedimeve të së hënës, të cilat ajo i përshkroi vetëm si "diskutim i hapur dhe substancial".

Pas takimit në Bruksel me Ashton, Nikoliç, i cili shoqërohej nga kryeministri serb  Ivica Daçiç dhe zv/kryeministri Aleksandar Vuçiç, deklaroi se "Prishtina ka lëshuar pe". Televizioni publik serb RTS informoi se sipas Nikoliçit marrëveshja do të nënshkruhet në 20 ose 28 mars.

Ashton tha se në takimin e së hënës me liderët serbë "është rishikuar progresi i deritanishëm në dialog". "Folëm në veçanti për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për nevojën e finalizimit të diskutimeve për çështjet e hapura, pikërisht për veriun e Kosovës, në takimin e ardhshëm në 20 mars në Bruksel", deklaroi kryediplomatja e BE-së Catherine Ashton.

Beogradi ka kërkuar autonomi me autoritet legjislativ dhe ekzekutiv për asociacionin e komunave me shumicë serbe, veçanërisht për ato në veri të Kosovës. Prishtina i ka refuzuar kërkesat për autonomi dhe për përgjegjësi ekzekutive.

Mungesa e përparimit në negociatat për autonominë rrezikon procesin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Chaterine Ashton do të vizitojë Kosovën me 14 mars. Ndërsa Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë bisedimet në 20 mars dhe në 6 prill. Pas kësaj në 16 prill Ashtoni pritet t'i rekomandojë Këshillit të BE-së hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim me Serbinë.