1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikoliqi premton paqe dhe stabilitet

Bahri Cani14 Qershor 2012

Vizita e presidentit të Serbisë Nikoliq në Bruksel u prit me vëmendje të madhe, në veçanti pas deklaratave të tija për Kosovën, Vukovarin dhe Srebrenicën. Ai tha se Serbia i mbetet besnike rrugës së saj për në BE.

https://p.dw.com/p/15EmL
Tomisllav Nikoliq
Tomisllav NikoliqFotografi: picture-alliance/dpa

Normalizimi i raporteve me Prishtinën mbetet kushti kryesor për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq. Barroso tha se BE-ja është e interesuar për anëtarësimin e Serbisë, por ajo duhet të plotësojë kushtet e parapara.

Jose Manuel Barroso
Jose Manuel Barroso: së pari Kosova!Fotografi: dapd

Presidenti i Serbisë në vizitën e tij të parë në Bruksel pas marrjes së këtij posti, deklaroi se e ardhmja e vendit të tij është në Bashkimin Evropian dhe jo diku tjetër. Pas takimit me të ngarkuarën e BE-së për Politikën e Jashtme Chaterine Ashton ai u shpreh shumë qartë: "Unë mendoj se nuk ka ndonjë mundësi tjetër më të mirë për të ardhmen e Serbisë, veç anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne do të bëjmë ç'është e mundur që deri në fund të vitit të marrim lejen për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE."

Catherine Ashton
Catherine Ashton: a t'i besoj apo jo?!Fotografi: AP

Nikoliqi tha se edhe autoritetet e BE-së kanë shprehur dëshirën që Serbia një ditë të bëhet anëtare e BE-së. Por në këtë rrugë Serbia duhet të plotësojë edhe shumë kushte. Ndër detyrat e para, siç u shpreh presidenti i ri serb, ëshë krijimi i koalicionit qeveritar dhe i qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në maj.

Kosova dhe dialogu

Një prej kushteve të kërkuara nga Brukseli, përveç reformave të domosdoshme politike dhe ekonomike, është edhe përmirësimi i mëtejshëm i raporteve me vendet fqinje, normalizimi i raporteve me Kosovën dhe zgjidhja e problemeve atje. Në këtë rrugë një vëmendje e posaçme duhet t'i kushtohet dialogut me Prishtinën.

Presidenti Nikoliq edhe një herë përsëriti qëndrimin e Beogradit se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë që edhe anëtarësimi i saj në BE mbetet detyrë me prioritet.

"Jam i bindur se Serbia mund ta arrijë fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Qeveria e re e Serbisë duhet të sigurojë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe në veçanti për qytetarët në Kosovë, të cilët duhet të gëzojnë statusin e deritanishëm. Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës e Metohisë - në qoftë se kjo çështje varet nga unë", theksoi Nikoliq.

Negociatat duhet t'i udhëheqë kryeministri

Borisllav Stefanoviq
Nikoliqi nuk i beson Stefanoviqit.Fotografi: picture alliance/dpa

Presidenti i ri serb tha se negociatat e ardhshme me Prishtinën duhet t'i udhëheqë kryeministri i ri i Serbisë, sepse pas "negociatave dhe marrëveshjeve të deritanishme kanë mbetur edhe pak çështje të rëndësishme që duhen zgjidhur".

Nikoliq tha se negociatat e deritanishme kanë dëshmuar qartë se kjo çështje nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e autoriteteve më të ulëta të shtetit. Sepse ato më pas "ato nuk nuk marrin kurfarë përgjegjësie për marrëveshjet e arritura dhe i intepretojnë ato ndryshe nga bashkëbiseduesit e tyre".

Presidenti i Serbisë është informuar prej Barrosos dhe Ashton me përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Prishtinën. Ai tha se me këto marrëveshje nuk cënohet sovraniteti i Serbisë dhe se të gjitha ato mund të zbatohen. Por u shpreh i befasuar me shpjegimet jo të drejta të palës serbe lidhur me marrëveshjet e arritura me Prishtinën.

Takimet "e suksesshme"

Vlladimir Putin dhe Tomisllav Nikoliq
Putin dhe Nikoliq: për rapotet me Rusinë asnjë fjalë.Fotografi: REUTERS

Takimin dhe bisedimet me zonjën Ashton dhe Barroso ai i quajti si "shumë të rëndësishme dhe të suksesshme". Ata kanë rënë dakord për një bashkëpunim intensiv për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, me qëllim që të sigurohen paqa dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët, dhe në veçanti për ata në veri të Kosovës ku, siç tha Nikoliq, duhen evituar aksionet e njëanshme që mund të cënojnë sigurinë.

"Serbia pret nga BE-ja një angazhim më të madh edhe për përmirësimin e standardit të qytetarëve të Serbisë, zbutjen e papunësisë dhe zgjidhjen e problemeve sociale. Serbia ka nevojë për ndihma për t'u përballuar këto probleme", theksoi Nikoliq duke shtuar se pa ndihma nga jashtë vendi i tij kurrë nuk mund t'i arrijë standardet që kërkohen nga Bruskeli. Sipas tij, Ashton ka përsëritur disa herë se Brukseli dëshiron anëtërësimin e Serbisë dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit në BE. Nikoliq bëri të ditur se ai dhe Ashton kanë biseduar edhe për të kaluarën, por më shumë vëmendje i është kushtuar bashkëpunimit të ardhshëm dhe përpjekjeve për krijimin e qeverisë - me qëllim që sa më parë të fillohet me zgjidhjen e problemeve.