1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një betejë e fituar nga të gjithë

29 Qershor 2009

Aleksander Çipa, analist i pavarur: Mund të kemi një rezultat të ngushtë mes PD dhe PS dhe koalicioneve përkatëse, çka do ta bënte të domosdoshëm një dialog mes të gjitha palëve për formimin e kabinetit të ri qeveritar.

https://p.dw.com/p/IdSb
Qytetarë duke shprehur vullnetin
Kësaj here qytetarët shprehën vullnetin e tyre të lirë në një mjedis të qetë, larg kërcënimeveFotografi: AP

DW: Zoti Çipa, si do ta karakterizonit ju procesin elektoral? Ai u zhvillua në kushtet e reja, kur Shqipëria është vend anëtar i NATOs dhe aplikant për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE?


Aleksandër Çipa: Procesi i djeshëm elektoral është një betejë e fituar nga të gjithë, një betejë, e cila vërtet nga rezultati i saj, do të përcaktojë palën fituese, por për vlerat që dëshmoi i jep vendit, shoqërisë së Shqipërisë, një normë të re vlerësimi, në raport me të gjithë përvojën e grumbulluar gjatë tranzicionit të 19 viteve të fundit. Procesi i djeshëm elektoral dëshmoi pjekurinë e klasës politike, e cila në këtë rast fitoi betejën e kalimit të saj drejt real politikës dhe shmangies nga betejat ideologjike apo dogmatike të shfaqura në disa momente kyç të konfliktualitetit që karakterizoi tranzicionin e Shqipërisë


DW: Cilët janë treguesit kryesorë që ju bëjnë ta vlerësoni kështu procesin e djeshëm elektoral: një betejë të fituar nga të gjitha palët, një kalim nga politika emocionale ne atë reale?


Aleksandër Çipa: Treguesi i parë është mungesa e frikës, e tensionit, që në zgjedhjet e mëparshme ka qenë e dukshme dhe e pranishme. Kësaj here qytetarët shprehën vullnetin e tyre të lirë në një mjedis të qetë, larg kërcënimeve. Tregues tjetër që më bën ta vlerësoj pozititivisht gjithë procesin e djeshëm elektoral, është ndërgjegja institucionale që e zotëroi atë. Të gjitha palët respektuan zhvillimin normal, institucional të zgjedhjeve, procedimin e administratës zgjedhore, nuk u përplasën dhe nuk cënuan integritetin e procesit. Nga ana tjetër nuk krijuan një klimë tensioni, që do të çvlerësonte besueshmërinë e procesit gjatë zhvillimit të tij. Edhe procesi i transferimit të kutive të votimit, nga qendrat e votimit në qendrat e numërimit si edhe procesi i numërimit që ka filluar sot, më 29 qershor, nuk janë kontestuar nga palët . Edhe ky përbën një tregues domethënës, thelbësor, që më jep të drejtën të shprehem pozitivisht për procesin e djeshëm elektoral.


DW: Le ta përkthejmë këtë vlerësim në një drejtim tjetër: a mendoni se argumentat që sapo sollët për vlerësimin pozitiv të procesit të djeshëm elektoral, tregojnë se Shqipëria e kaloi me sukses testin e këtyre zgjedhjeve, të cilat BE-ja dhe në përgjithësi faktori ndërkombëtar i ka parë si testin vendimtar që tregon ecurinë demokratike të Shqipërisëe. Më thjesht që tregojnë nëse Shqipëria e meriton anëtarësimn në BE apo shqiptarëve do t´ju thuhet si deri tani: O.K. keni bërë progres por ende nuk mjafton, duhet bërë më shumë.


Aleksandër Çipa: Përvoja jonë e hidhur ka treguar që palët e ruajnë nxehtësinë e tyre deri në çastin e fundit kur shprehen për kontestimin e reztultatit por edhe me reagime që prekin dhe cënon integritetin e standardeve. Shpresoj që kjo të mos ndodhë këtë herë, shpresoj që palët të respektojnë rezultatin, i cili do të jetë përcaktues për mospasjen më të dilemave për trafik të brendshëm të votave apo vlerës numerike të personave që do të jenë në parlament për të formuar kabinetin e ri qeveritar. Atëherë po, mund të thuash me plot gojën që u shmang përfundimisht rreziku i cënimit dhe rrënimit të standardeve të kërkuara.


DW: Si e parashikoni se do të vazhdojë procesi politik pas zgjedhjeve, edhe pse është e qartë se me saktësi kësaj pyetjeje mund t'i jepet përgjigje pas shifrave zyrtare të KQZ?


Aleksandër Çipa: Mund të kemi një rezultat të ngushtë mes dy palëve, PD dhe PS, dhe koalicioneve përkatëse. Kjo do ta bënte të domosdoshëm një dialog mes të gjitha palëve për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Me siguri do të kemi një strukturë të re të parlamentit dhe zhvillime pozitive të parlamentarizmit. Kjo është e dukshme.

Intervistoi: Ani Ruci
Redaktoi: Pandeli Pani