1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një festival filmi që provokon debatin për tema sociale

Arben Muka24 Shtator 2015

Festivali Ndërkombëtar i Filmit tëtë Drejtave të Njeriut që po zhvillohet në Tiranë ka krijuar një hapësirë për trajtimin e temave të aktualitetit nga të ftuarit, mes tyre dhe për fenomenin e largimit nga vendi për azil.

https://p.dw.com/p/1GcSY
Alabnien Tirana Internationale Veranstaltung für Menschenrechte
Fotografi: DW/A. Muka

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si njëri prej institucioneve jopublike më të njohura në Shqipëri, ja ka dalë që për një dekadë rresht të jetë mikëpritëse e autorëve dhe producentëve nga vende të ndryshme që janë investuar tek filmi për të drejtat e njeriut. Orientimi për të përsëritur çdo vit një event të tillë kinematografik në një vend si Shqipëria ku ende problemet e (mos)respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut janë evidente, u jep dorë organizatorëve dhe mbështetësve të këtij projekti ndërkombëtar që të ngjallin interesim jo vetëm në qarqet e kinemasë, por dhe te publiku i gjerë. Një zgjidhje profesionale është ndjekja e një agjende paralele: në një anë prezantohen punimet e autorëve dhe në anën tjetër problematika që ato trajtojnë bëhet objekt diskutimi mes shikuesve dhe të ftuarve.

Këtë vit Festivali i Tiranës, bazuar në tematikën e filmave konkurentë por dhe nga problematika aktuale sociale dhe politike përfshinte seanca debati mbi reagimin qytetar në Shqipëri, ndërgjegjësimi dhe empatia për t'i dhënë fund apatisë shoqërore; karakteristikat shqiptare të luftës kundër korrupsionit, nëse përballemi me shtim të korrupsionit apo shtim të raportimit të tij, sa dhe si të rinjtë sillen si agjentë të rëndësishëm për një shoqëri pa korrupsion etj. Nuk mund të anashkalohej dhe problemi aktual i largimit të qytetarëve për azil në Gjermani dhe në shtete të tjera të BE-së.

Mendimi dhe reflektimi i të rinjve

Kineasti Kujtim Çashku, drejtor ekzekutiv i Festivalit, por njëkohësisht dhe rektor i Akademisë “Marubi” tregon për Deutsche Welle-n lënda e këtij aktiviteti bazohet në dokumentarë jetësorë dhe kjo e bën të afërt publikun që ndjek kalendarin e shfaqjeve. “Ne i kushtojmë po aq rëndësi tryezave të debatit, sa dhe procesit të ftesës së konkurentëve dhe përzgjedhjes së filmave më të mirë. Nga rreth 450 filma që u afruan ne kemi selektuar vetëm rreth 10 përqind të tyre, në favor të garancisë cilësore.”

Psikologia Silva Loka, gjatë diskutimit me një grup gjimnazistësh mbi sfidat e familjes shqiptare si pasojë e emigrimit thotë se në fillim të këtij viti shkollor të rinjtë në gjimnaze dhe universitete kanë ndjerë mungesën e shokëve të tyre, si pasojë e vendimit të tyre personal a familjar për të emigruar. “Ky është një fenomen i ditës me të cilin duhet të përballet familja dhe shoqëria. Largimi i trurit është një dukuri globale, që në vende të ndryshme ka tipare të ndryshme dhe që nxitet nga shumë rrethana sociale, ekonomike dhe politike. Por kjo nuk duhet të jetë një temë tabu, por duhet vënë në qendër të debateve mes të rinjve, mes tyre dhe mësuesve, prindërve, politikbërsve etj.”

Njëra prej maturanteve, Eri, mendon se perspektiva e shkollimit brenda vendit nuk është e qartë. “Mjafton të ndjekësh formulat e pranimit në shkollën e lartë dhe dallon ndryshimet që bëhen here pas here. Sa vjen një qeveri vendos ca rregulla, vjen tjetra dhe vendos të tjera. Procese që lihen përgjysmë dhe dëmtojnë shkollën dhe nxënësit”, thotë ajo për Deutsche Welle-n.

Kurse Aldo e ka vendosur që studimet e larta do t‘i kryejë jashtë vendit. “Nuk ka nivel këtu. Shkolla shqiptare është mbrapa në programe dhe në kushtet për nxënësit. Me prindërit apo pa prindërit unë do të shkoj të studjoj jashtë.”

Një tjetër maturante ka perceptim të ndryshëm: “Varet se çfarë niveli dijesh kërkon, sa ambicje ke për të mësuar. Ndonjëherë kërkesa për studim jashtë shtetit është justifikimi për dembelizmin dhe mosmotivimin sesa lidhet me kushtet e gjimnazit”.

Alabnien Tirana Internationale Veranstaltung für Menschenrechte
Fotografi: DW/A. Muka

Sfidat që duhet të trajtohen për të mbrojtur dinjitenin njerëzor

Por emigrimi nuk gjykohet vetëm me shkollimin e të rinjve, por dhe nga perspektiva e tyre sociale dhe ekonomike, papunësia, strehimi, nga situata politike, prezenca e korrupsionit dhe krimit, gjendja e sistemit të drejtësisë etj. Këto u panë të lidhura dhe me zgjimin e shoqërisë civile, për më shumë zë dhe energji në përballjen me sfidat shoqërore, ku të rinjtë kanë vendin dhe rolin parësor. E drejta për informim, pjesmarrja në vendimarrje dhe në ndjekje të problematikës së komunitetit, i zhvendosin ata në pozicionin e favorshëm për të qenë më kërkues për jetë më të mirë dhe të gatshëm për detyrimet e së nesërmes.

Theodore S. Orlin, president nderi i Festivalit thotë se synimi i këtij eventi ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet që t'u bëhet sa më shumë e njohur të rinjve kauza e të drejtave të njeriut. “Si ta rifuqizojmë të gjithë shoqërinë për të trajtuar problemet e shumta me të cilat përballet tashmë bota dhe Shqipëria. Një zgjidhje mbetet paraqitja përmes artit të filmit të kushteve me të cilat aq shumë njerëz përballen në botë. Filmi prek intelektin dhe zemrën dhe na lejon të vlerësojmë më mirë gjendjen e njeriut dhe sfidat që duhet të trajtohen për të mbrojtur dinjitenin njerëzor dhe të drejtat e të gjithëve”.

Festivali 10 Ndërkombëtar i Filmit të të Drejtave të Njeriut që po zhvillohet në Tiranë mbështetet nga shumë institucione e organizata brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mes tyre dhe nga Ambasada Gjermane, Fondacioni Friedrich Ebert, Qendra e Gjermanishtes-Deutschezentrum etj. Prej vitesh Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ka pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe me partnerë nga Gjermania.