1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AA NS Verdrängung

2 Nëntor 2010

Periudha naziste ishte e veshur edhe me mitin se MPJ ishte "kopshti i rezistencës pasive ndaj nazistëve". Historia e MPJ e botuar së fundi tregon se ajo ka qenë aktive në shfarosjen e çifutëve.

https://p.dw.com/p/PsB9
Fotografi: picture alliance/dpa

Po është tronditëse që diplomatët gjermanë kanë qenë bashkëorganizatorë të Holokaustit dhe kanë marrë pjesë në zbatimin e tij. Është e pabesueshme se sa shumë prej personelit të dikurshëm të MPJ vazhdoi të punonte në këtë ministri pas vitit 1945: persona, që kishin marrë pjesë në shfarosjen e çifutëve, bënë në këtë ministri karrierë duke mbrojtur njëri-tjetrin, që të mos zbuloheshin.

Ramón García-Ziemsen
Ramón García-Ziemsen

Por po kaq e pakuptueshme është që zgjati 65 vjet, deri sa këto fakte të depërtonin në ndërgjegjen e opinionit të gjërë gjerman. Edhe pse studime të tilla ka pasur edhe më parë. 1979 u botua libri i një historiani britanik për bashkëveprimin e MPJ për të ashtuajturën "zgjidhjen përfundimtare", shfarosjen e çifutëve në Evropë. Në të përshkruhet pjesëmarrja konkrete e MPJ, nënshkrimi i urdhërave për deportimin e çifutëve dhe se si MPJ u bë pjesë sistematike e makinerisë naziste të shfarosjes. Po ashtu që në vitet 1950-të ka pasur dëshmi të qarta, që MPJ nuk ishte "kopsht i rezistencës pasive ndaj Hitlerit", sikurse e paraqiste veten pas luftës.

Shumë gjëra të njohura, por të gjitha të harruara

Thënë shkurt, ka pasur shumë gjëra, që diheshin. Dhe thuajse të gjitha u harruan. Përballja gjermane me të kaluarën naziste dhe Rajhun e Tretë nuk ka qenë aq shembullore sa mendohet në botë. Edhe ajo është një histori e harresës dhe e anashkalimit. Elitat e kanë penguar shpesh me ndërgjegje konfrontimin me të kaluarën e tyre. Dhe opinioni publik e lejoi një gjë të tillë. Si mund të ndodhte një gjë e tillë?

Pas vitit 1945 shoqëria gjermane ishte gjithë kohës në kërkim të "Gjermanisë tjetër", asaj "të mirës" - "Gjermanisë tjetër", e cila kishte mbetur e pafajshme, e cila ndoshta nuk kishte bërë rezistencë të hapur, por që nuk e kishte përqafuar ideologjinë naziste; e cila kishte mbetur rezistente; që e kishte refuzuar marrëzinë naziste dhe për të cilën ndoshta mund të ishe krenare. Meqenëse donte një fillim të ri, Gjermania e re besonte se nuk mund të jetonte me peshën e një faji tepër të madh.

Mitet dhe faji kolektiv

Dhe kështu filluan të thuren mite: fillimisht miti se se shumë gjermanë morën vesh për Holokaustin prej aleatëve, pra në vitin 1945. Vetëm një grup i vogël përreth Hitlerit kishte dijeni se ç'ndodhte në kampet e përqendrimit, si në Auschwitz, apo Dachau. Gjermanët, një popull që e kishin marrë në qafë. Ky pozicion ishte natyrisht edhe një lloj reagimi ndaj tezës po aq të padiferencuar të aleatëve për fajin kolektiv të gjermanëve.

Më pas miti i ushtrisë gjermane, i Vermahtit (Wehrmacht): Ushtarët gjermanë nuk kishin marrë thuajse fare pjesë në krimet e Hitlerit dhe veç kësaj gjithçka ishte bërë se kështu ishte dhënë urdhëri.

Të dy këto mite janë hedhur disa dekada më vonë poshtë prej studiuesve. Në vitet 1970-të janë botuar shumë studime, libra dhe janë organizuar ekspozita. Pjesë të tëra të popullsisë jo vetëm që e dinin, se përse miqtë, apo fqinjët e tyre çiftutë zhdukeshin papritur, por madje ndihmonin për këtë gjë. Ushtarët kanë marrë pjesë vullnetarisht në pushkatimet e çiftutëve dhe me urdhër. Megjithatë zgjati deri në vitet 1990-të, që këto gjëra të bëheshin pjesë e diskutimeve publike dhe të çmitilogjizoheshin.

Një ndër vendet e fundit, ku miti i "Gjermanisë tjetër" vazhdonte të ekzistonte ishte MPJ. Lidhjet e diplomatëve ishin ndoshta shumë të mira, ndoshta ishte respekti i madh për ish-presidentin gjerman Richard von Weizsäcker, babai i të cilit, një nga diplomatët kryesorë në MPJ, ishte një nga shtyllat e idelogjisë naziste në MPJ. Por shumë e madhe ishte edhe dëshira e gjermanëve për atë "Gjermaninë tjetër", prej së cilës ka pasur shumë më pak nga sa besonin shumica e gjermanëve.

Autor: Ramón García-Ziemsen

Redaktoi: Angjelina Verbica