1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një luftëtar i heshtur në Bundestag

Efim Schumann/Lindita Arapi27 Janar 2014

Daniil Granin është njëri nga personalitetet më të spikatura të letërsisë ruse sot, një korife i lëvizjes demokratike. Në ditën përkujtimore të viktimave të Holokaustit, më 27 Janar ai flet në Bundestag.

https://p.dw.com/p/1AxdF
Daniil GraninFotografi: picture-alliance/dpa

Një njeri unikal. Për të rinjtë rusë, që e dinë ç'do të thotë liria, dhe ata që vlerësojnë stilin perëndimor të jetës, Daniil Granin është një instancë morale e padiskutueshme. Por edhe komunistët e dikurshëm, ata që vajtojnë kohën e Bashkimit Sovjetik, dhe janë të bindur se perëndimi do të skllavërojë vendin e tyre, kanë respekt për Daniil Graninin. Opozita ruse e vlerëson si njeriun që i hapi rrugën Perestrojkës, dhe një luftëtar të palodhur për demokracinë. Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, që e lufton lirinë e shtypit dhe forma të tjera të lirisë në demokraci e viziton Graninin në shtëpinë e tij.

Ndërgjegja subversive

Por kështu ka qenë gjithmonë Daniil Granin. Shkrimtar dhe mendimtar, humanist dhe përkrahës i kulturës. Ai është një ndër personalitetet më të njohura të letërsisë bashkëkohore ruse dhe shoqërisë civile në vend. Ai ka shkrur shumë libra, ku trajton temën e moralit, sipas një kritiku rus: "zgjedhja morale është kontradikta në të cilën autori i vë heronjtë e tij." Në qendër të veprave studiues që duhet të përballen me burokracinë. Më vonë ai drejtoi Lidhjen e Shkrimtarëve, por besnikët e regjimit e vëzhgonin Granin gjithnjë me sy kritik. Njëri prej tyre e akuzoi për "karakter borgjez".

Librat e Daniil Granin kanë qenë shumë të huaj për rojet ideologjike të Bashkimit Sovjetik, shumë subersivë. Në këtë kuptim rojet e ideologjisë kishin të drejtë, sepse librat e tij trajtonin temën e humanizmit, pendesës, tolerancës dhe ndërgjegjes - tema të rrezikshme për ideologjinë e kohës. Më vonë Granin e formuloi qëndrimin e tij për socializmin: "Ideologjia komuniste që në fillimin e saj vendosi për një lloj amnistie të përgjithshme. Kjo ishte e rëndësishme në emër të kauzës socialiste. Njeriu sovjetik do të duhej të besonte në mençurinë e partisë, që nuk gabon kurrë. Me këtë individi u zhvesh nga përgjegjësia."

Heroi i luftës urren luftën

Shumë nga librat e tij janë gati të shfytyruar nga censura. Edhe libri i njohur si "Libri i bllokadës", që flet për bllokadën 900 ditore të Leningradit, Shën Petersburgun e sotëm. Gati një milion vetë u bënë viktimë e këtij "operacioni ushtarak". Shumica vdiqën urie. Në Bashkimin Sovjetik bllokada e Leningradit u kthye në mit. Granini dhe kolegu i tij Ales Adamowitsh kanë treguar në bazë të dokumentave, ditarëve dhe dëshmitarëve okularë vuajtjet e njerëzve dhe shtrojnë pyetjen se kush kishte përgjegjësi nga pala ruse. Vetëm pas Perestrojkës mund të botohej i plotë "Libri i bllokadës". Ai luan një rol të rëndësishëm në thellimin e dialogut ruso-gjerman.

Daniil Granin, 22 vjeçar ishte një ushtar i thjeshtë në kohën e Luftës së II Botërore, ku kishte dalë vetë vullnetar për të mbrojtur Leningradin. Ai u bë anëtar i Partisë Komuniste, më vonë oficer tankesh dhe e nderua me shumë urdhra nderi. Në kohën e Brezhnjevit, kur koha e Luftës së II Botërore mitizohej "si lufta e madhe e atdheut", Granin në një intervistë shkaktoi mjaft reagime kur tha hapur: "Në kohën e luftës unë kam mësuar të urrej, të vras, të jem brutal dhe hakmarrës - gjithçka për të cilat një njeri nuk ka nevojë."

Luftëtar i heshtur

Daniil Graninin e neverit dhuna. Ai nuk ka qenë kurrë një disident luftarak, nuk ka folur kurrë me zë të lartë, ndoshta mund të mendohej se ai nuk është një luftëtar i madh. Por ky vlerësim do të ishte i gabuar. Ai është një luftëtar i heshtur. Në librin e tij "Mëshira e humbur - një përvojë ruse" ai polemizon me thënien se e mira duhet të vendoset edhe me dhunë. "E mira që vendoset me dhunë, nuk sjell asgjë të mirë. E mira vetë është fuqi, së paku sepse ajo krijon vetëdijën e drejtësisë", shkruan Granin.

Një idealist? Ndoshta. Por sidomos një njeri i mençur që ka përjetuar shumë dhe e njeh botën. Një bashkëthemelues i Qendrës PEN. Nuk mund të përfytyrohej një figurë më e përshtatshme për të mbajtur fjalimin në ditën e përkujtimit të viktimave të Holokaustit, më 27 Janar.