1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një shqiptar vritet në Mitrovicë

8 Prill 2012

Bomba shpërtheu sot në mëngjes. Gruaja dhe katër fëmijët e të vrarit u plagosën gjithashtu, por lehtë. Autorët dhe motivet e sulmit ende nuk njihen.

https://p.dw.com/p/14ZTw
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një bombë vrau një shqiptar të Kosovës dhe plagosi të shoqen sot (08.04.) në Mitrovicë, e cila njihet si qendër tensionesh etnike midis shqiptarëve dhe serbëve.

38 vjeçarin e vranë në orët e para të ditës së sotme me një bombë të vendosur jashtë apartamentit tek Tri Rrokaqejt, një zonë në Mitrovicën e veriut të kontrolluar nga serbët, ku jetojnë pak familje shqiptare. Anëtarët e familjes së tij, gruaja dhe katër fëmijët po mjekohen në spital për plagë të vogla.

"Një lëndë eksplozive u vendos dhe u aktivizua në dritaren e katit përdhes të familjes Haradinaj" tha policia në një deklaratë për medie. Deri tani nuk është arrestuar askush dhe nuk dihen motivet e aktit.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë shtuar javët e fundit, pas planeve të Beogradit për ta përfshirë Kosovën në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale muajin e ardhshëm.

Autor:rtr/aud

Redaktoi: Esat Ahmeti