1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një zgjidhje e mirë" - Jerzy Buzek në krye të Parlamentit të BE-së

15 Korrik 2009

Zgjedhja e politikanit konservator polak Buzek si president i Parlamentit të BE-së është një ndër temat qëndrore të shtypit gjerman.

https://p.dw.com/p/IpW9
Presidenti i ri i Parlamentit Evropian Jerzy BuzekFotografi: AP

Nga gazeta e Këlnit, EXPRESS shkëpusim:

"Zgjedhja e polakut Jerzy Buzek si president të Parlamentit të BE-së është një zgjedhje e mirë, të cilën padyshim mund ta karakterizosh si historike. Sepse ai është politikani i parë nga shtetet e ish-bllokut lindor, që merr një post qendror në BE. Zgjedhja e tij nënvizon se sa fort po rritet në simbiozë politikisht kjo Evropë, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë- megjithë parashikimet orgurzeza. Për shkak të prejardhjes së tij, Buzeku sjell me vete edhe aftësinë, për të qenë një ambasador i angazhuar i idesë evropiane. Si ish-aktivist i lëvizjes sindikale Solidarnosc ai e ka përjetuar prej fare afër shndërrimin në Bllokun Lindor dhe e ka bashkëorganizuar atë- duke shtruar rrugën për Bashkimin e sotëm Evropian."

Ja edhe mendimi i FLENSBURGER TAGESBLATT:

"Nuk duhet folur patjetër për një vendim historik. Por zgjedhja e Jerzy Buzekut si president i Parlamentit Evropian ka efektin e dhënies së sinjalit. Për herë të parë, një politikan nga shtetet lindore të BE-së zgjidhet në krye të 736 parlamentarëve."

Ja së fundi edhe NORDSEE-ZEITUNG që del në Bremerhaven:

"Me vendimet e tyre për politikën e personelit, deputetët e BE-së tregojnë se nuk janë në asnjë mënyrë një grumbull pulash pa tru, sic i shohin ata me sa duket shumë zgjedhës. Kujtojmë fillimisht kundërshtimin e presidentit të deritashëm të Komisionit Evropian, Baroso nga parlamentarët. Ndërsa tani kemi zgjedhjen e ish-kryeministrit të Polonisë, Jerzy Buzek në krye të Parlamentit Evropian. Vota e dhënë pa rezerva tregon më tej edhe sa i vajisur mirë funksionon koalicioni i dy partive të mëdha në Strasburg."

Autor: dpa/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani