1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njeriu mbi gjithshka : Ndihmat e huaja në Shkodër

16 Janar 2010

Kombet e Bashkuara dhe BE po ndihmojnë familjet e prekura nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Këto organizata ndërkombëtare po mbështesin koordinimin e ndihmave dhe në përpjekjet për kthimin sa më parë të normalitetit.

https://p.dw.com/p/LWkT
Përmbytje në Shkodër
Përmbytje në ShkodërFotografi: DW

Për Koordinatoren e Përhershme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Torkuz Cosslett, ndihma e menjëhershme prej 270 mijë dollarësh, për familjet e prekura nga përmbytjet, buron nga filozofia bazë e kësaj organizate: Njeriu mbi gjithshka. “Kombet e Bashkuara kanë një mandat global për t' iu përgjigjur emergjencave humane. Për Kombet e Bashkuara në rradhë të parë janë njerëzit. Kudo në botë kur godet një fatkeqësi natyrore, roli ynë është të mbështesim njerëzit dhe të ndihmojmë qeveritë për të kordinuar ndihmën ndërkombëtare. Reagimi i agjensive të OKB-së në Shqipëri është një mbështetje fantastike, shumë i shpejtë. Ajo tregon se OKB veproi si një e tërë, në mënyrë shumë të kordiunuar për t'i ardhur në ndihmë njerëzve. Për fat të mirë në Shqipëri nuk ka patur asnjë rast të humbjes së jetës së njeriut. Gjithsesi kur më se 4000 vetë detyrohen të lënë shtëpitë e tyre, mes tyre fëmijë, pleq, të sëmurë kjo është një vuajtje, një katastrofë njerëzore. Por lavdi Zotit, në Shqipëri nuk ka humbje të jetëve njerëzore dhe kjo është për ne një plus,” thotë Gulden Torkuz Cosslett.

Koordinatorja e Përhershme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Torkuz Cosslett.
Koordinatorja e Përhershme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Torkuz Cosslett.Fotografi: DW

Ajo tregon se nga 270 mijë dollarët ndihmë, 240 mijë do t' u jepen në cash menjëherë, si një ndihmë emergjence, familjeve të prekura, të identifikuara nga autoritetet lokale. Kurse shuma që mbetet prej 30 mijë dollarësh do t`i jepet qeverisë për ta mbështetur në kordinimin e ndihmës ndërkombëtare dhe të çdo ndihme tjetër që ofrohet. Në këtë fond në vëmendje të posaçme do të jenë shtresat e margjinalizuara të shoqërisë. “Ne, (Kombet e Bashkura) kërkojmë t'u japim ndihmë të menjëhershme komuniteteve vulnerabël, fëmijëve, familjeve rome që janë shpërngulur nga përmbytjet,” thotë Kordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Turkoz Cosslett.

Solidaritet edhe përtej fazës së emergjencës

Ndihmë e menjëhershme do të thotë ushqim, ujë, çizme, helikopterë për të evakuar njerëzit, gjeneratorë, pompa për të thithur ujin, varka për të kaluar në rrugët e përmbytura, medikamente mjekësore. Të gjitha këto kanë mbritur nga 5 vendet e BE: Austria, Italia, Franca, Sllovenia dhe Greqia. Truri kordinues i gjithë këtyre ndihmave është Komisioni Europian në Tiranë, përmes ekipit prek 7 ekspertësh nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Komisinit Europian, në Bruksel. Kreu i delegacionit të këtij Komisioni në Tiranë, Ambasadori Lohan, në vizitën që bëri në zonat e përmbytura më 14 janar, premtoi se “Ndihma e Bashkimit Evropian nuk do të mbarojë sot, por do të shtrihet përtej fazës së emergjencës”. Të njëjtin qëndrim po projektojnë të mbajnë edhe Kombet e Bashkuara. “Tani ne iu përgjigjëm menjëhere nevojave emergjengte. Kur banorët të kthehen në shtëpitë e tyre, do të kenë nevoja afatmesme dhe afatgjata. Do të të shihen dëmet në tokën bujqësore, në infrastrukturë, në gjithë mjedisin. Por pas disa ditësh njerëzit do të kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Bashkë me partnerët tanë, komunitetin ndërkombëtar, BE dhe qeverinë e Tiranës, do të shohim se çfarë mund të bëjnë Kombet e Bashkuara përtej situates emergjente, gjithmonë në kordinim me BE,” thotë Gulden Turkoz Cosslett.

Kreu i Komandës së NATO-s në Tiranë, gjenerali bullgar Dincho Karamunchev.
Kreu i Komandës së NATO-s në Tiranë, gjenerali bullgar Dincho Karamunchev.Fotografi: DW

NATO – ndihmë vetëm në nivel marrëdhëniesh bilaterale

Në parashikimin se çfarë mund të bëhet për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet nuk rri mënjanë as NATO. Kreu i Komandës së NATO-s në Tiranë, gjenerali bullgar Dincho Karamunchev, thotë se deri tani ndihma e NATO ka qenë në nivel të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë, si vend anëtar dhe vendeve të tjera, po anëtare të Aleancës Atlantike. “Disa vende si Gjermania, Sllovenia, Italia, Franca, Greqia,Sllovakia kanë sjellë ndihma por pa një vendim të marrë nga selia e NATO-s në Bruksel dhe pa një kërkesë drejtuar qëndrës prandaj ne nuk kemi marrë pjesë deri tani në operacionin humanitar që po zhvillohet në Rrethin e Shkodrës, ” thotë ai.

Përfshirja e ekipit të NATO-s që ka komandën në Tiranë mund të ndodhë me një kusht. “Nëse merret një vendim i centralizuar nga Brukseli, jemi gati të kordinojmë ndihmat ndërkombëtare,” thotë komandanti, gjenerali Dincho Karamunchev.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama