1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kultura e kujtesës në Shqipëri

Ani Ruci / Tiranë24 Korrik 2013

Fondacioni gjerman Konrad Adenauer në Tiranë financon dokumentimin e persekutimit gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Një projekt i madh, shumë i dobishëm për të rinjtë e të rejat vlerëson, drejtori i fondacionit.

https://p.dw.com/p/19DdJ
Fotografi: DW/A.Ruci

Në zyrën e Dr. Thomas Schrapel, drejtorit të Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë mund të marrësh në dorë dhe të shfletosh vëllimin e parë të “Fjalor Enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”nga shkronja A-Ç . Ai është produkti konkret, i prekshëm nga fillimi i realizimit të një projekti të madh për dokumentimin e persekutimit të individit gjatë regjimit komunist në Shqipëri, në sajë të bashkëpunimit mes fondacionit gjerman dhe Institutit te Studimeve të Krimeve të Komunizmit, me seli në Tiranë.

Fjalori ndjek rendin alfabetik dhe nxjerr në dritë për publikun dhe sidomos për brezin e ri fotot, emrat, të dhënat e gjithë atyre që u persekutuan, u burgosën dhe u pushkatuan nga regjimi i kaluar. Dr. Schrapel, drejtor i Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë thotë për DW se projekte të tilla ky fondacion nuk i mbështet vetëm në Shqipëri: "Ky projekt është pjesë e aktiviteteve të Fondacinit KA që prej më shumë se 20 vitesh në disa vende të Europës, kryesisht në ish vendet komuniste. Në Shqipëri ky projekt përparoi sidomos vitin e kaluar pas bashkëpunimit me Institutin e Studimit për Krimet e Komunizmit. Bashkë me Drejtorin e tij, Agron Tufën, vendosëm të bashkëpunojmë ngushtë…kështu erdhi ideja e përgatitjes së kësaj enciklopedie. Lexuesi gjen në rend alfabetik të gjithë personat që u persekutuan gjatë kohës së regjimit komunist. Është një projekt i madh, shumë i dobishëm sidomos për të rinjtë e të rejat e Shqipërisë, që të kuptojnë se sa shumë njerëz u persekutuan në kohën e atij regjimi”, thekson Dr. Thomas Schrapel.

Albanien Erinnerungskultur 2013
Fotografi: DW/A.Ruci

Ad memorandum- hapja e diskutimit në shoqëri për të shkuarën komuniste

Një pjesë e të persekutuarve, të internuarve dhe të pushkatuarve janë në stendat që mbushin muret e hollit të Institutit të Studimit për Krimet e Komunizmit. Stendat të tërheqin sapo hyn vemendjen dhe nuk mund të mos ndalesh, të shikosh fotografitë, të lexosh emrat e atyre burrave dhe grave, intelektualë dhe figura të shquara që studiuan në Perëndim dhe që regjimi komunist ua mori jetën. Në ndërmarjen e madhe dhe të vështirë të dokumentimit të tyre, Agron Tufa, drejtori i këtij Instituti, thotë për DW se mbështetja e fondacionit gjerman nuk është vetëm financiare.

Dr. Thomas Schrapel.
Dr. Thomas Schrapel.Fotografi: DW/A.Ruci

Fondacioni "Konrad Adenauer” ka njohuritë adekuate. Veç mbështetjes financiare për të botuar vëllimet e fjalorëve enciklopedikë, kemi një mbështetjetë madhe morale dhe përfitim nga përvoja gjermane në dokumentimin dhe zbardhjen e persekutimit gjatë regjimit komunist. Ne kemi vajtur ne Gjermani dhe vizituar institucionet analoge si edhe ekspertë gjermanë kanë ardhur neë Shqipëri", thotë z. Tufa.

Ai thekson se dokumentimi nuk është i lehtë: mungojne të dhena, shpesh ka një errësirë totale dokumentash zyrtare për arrestimet, internimet apo pushkatimet, ka staf të kufizuar në institut, fondeve të limituara nga buxheti i shtetit. Megjithë këto vështirësi në tre vitet e ekzistencës së tij Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit ka botuar një kolanë prej 10 librash me titull “ Ad memorandum”, që sjell në vëmendjen e brezit të ri periudhën e egër të komunizmit. Ato janë me dokumente arkivorë, intervista, dëshmi e kujtime të cilat shërbejnë si bazë për zbardhjen e kësaj periudhe të panjohur për brezat e rinj. Po përgatitet edhe korpusi në audio dhe video ”Vox of Memory” me intervista të të mbijetuarve nga persekutimi gjatë regjimit komunist, tregon per DW Agron Tufa.

A po i kushtohet vëmendja e duhur dokumentimit të së shkuarës komuniste në Shqipëri?

“Ndjesia ime është që në Shqipëri regjimi komunist ka qënë ndër më të egrit në Europë e lidhur me persekutimin e njerezve. Por vemendja ndaj së shkuarës në Shqipëri është shumë e pakët. Kjo shfaqet në mungesën e deritanishme të dokumentimit të së shkuarës, në mungesën e lëndëve përkatëse në kurrikulat mësimore. Mendoj se kjo mungesë vëmendjeje ndaj të shkuarës komuniste nuk është vetëm për shkak të politikanëve por edhe të mungesës së diskutimit në shoqëri. Fondacioni ynë e konsideron të rëndësishëm fillimin e diskutimit në shoqëri dhe përmes aktiviteteve të tij synon ta nxisë atë.”

Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit për Krimet e Komunizmit.
Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit për Krimet e Komunizmit.Fotografi: DW/A.Muka

Dr. Schrapel thotë se në vitin e ardhshëm fondacioni do të shikojë mundësinë të mbështesë ngritjen në Shqipëri të një muzeumi ku të përkujtohen të persekutuarit nga regjimi komunist, “jo domosdoshmërisht në Tiranë por edhe në vendet origjinale ku u burgosën apo u internuan” kundërshtarët e regjimit, sqaron ai.

Hapja e dosjeve – mision i mundur?

Në mendimin progresiv politik dhe intelektual të shoqërisë post-komuniste të Shqipërisë zbardhja e të shkuarës komuniste eshte lidhur ne rradhe te pare me hapjen e dosjeve të policisë sekrete të asaj kohe, famëkeqit "Sigurim i shtetit”. Deri tani politika dhe shoqëria civile kanë dështuar ta realizojnë hapjen e tyre. "Në Europën Jug- Lindore ka ish vende komuniste që nuk i kanë hapur dosjet e ish bashkëpunëtorëve të policive sekrete të kohës së regjimit komunist, ka vende që i kanë hapur pak apo aspak. E kaluara komuniste deri më tani është shndërruarr në pjesë të luftës politike. Ndërkohë, Shqipëria nuk ka një ligj për hapjen e dosjeve” thotë Dr. Schrapel.

Por një nismë e kohëve të fundi e shoqërisë civile për ta patur këtë ligj, e përkrahur edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, sjell shpresa të reja se hapja e dosjeve në Shqipëri mund të mos jetë një “ mision i pamundur”. Pas nje vizite në fillim të këtij muaji Gjermani, Avokati i Popullit, Igli Totozani, deklaroi se “shoqëria shqiptare ka nevojë imediate të mbyllë një herë e mirë llogaritë me të kaluarën e saj komuniste. Përvoja gjermane e hapjes së dosjeve të ish-Shërbimit Sekret të Gjermanisë Lindore (STASI) përbën një ndihmë e çmuar në tentativën e radhës që shoqëria civile në Shqipëri do të bëjë për të hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit”.