1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NPD është vetëm një simptomë

Marcel Fürstenau5 Dhjetor 2013

Në Gjermani ka ksenofobi dhe racizëm pavarësisht nga NPD-ja e cila me retorikën e saj nxit urrejtjen.

https://p.dw.com/p/1ATAt

Partia ekstremiste e djathtë gjermane NPD (Die Nationaldemokratische Partei Deutschlands) është një parti antikushtetuese. Kush dyshon për këtë duhet të hedhë një vështrim në Kushtetutën Gjermane e sidomos në nenin 21, paragrafi 2: " Partitë që me synimet e tyre ose sjelljen e pasuesve të tyre kërkojnë të dëmtojnë ose të eliminojnë rendin themelor demokratik liberal ose të rrezikojnë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë janë antikushtetuese . "

Sigurisht NPD-ja përpiqet pak a shumë me mjeshtëri për të mos krijuar përshtypjen se ajo dëshiron të eliminojë demokracinë apo të rrezikojë madje ekzistencën e RFGJ-së. Dhe indikacione serioze se kjo partie e djathtë planifikon të përmbysë rendin në të vërtetë nuk ka. Pra si kriter i dallueshėm antikushtetues mbeten vetëm objektivat e agresive dhe ushtarake të kësaj partie. Dhe nga kjo anë NPD-ja vërtet mund të sulmohet, në qoftë se me rend bazë demokratik liberal do të kuptohej më shumë se një koncept teorik i politikës.

Një vështrim në Kushtetutë është gjithmonë me vlerë

Në realitetin e jetës nuk mund dhe nuk duhet të ketë kompromise. Është fjala për një bashkëjetesë paqësore dhe tolerante të të gjithë njerëzve. Këtu përsëri ia vlen të hedhësh një vështrim në Kushtetutë, neni 3, paragrafi 3: "Askush nuk duhet të paragjykohet ose të favorizohet për shkak të gjinisë, origjinës, racës, gjuhës, vendlindjes dhe origjinës, besimit apo opinioneve të tij fetare apo politike."

Marcel Fürstenau
Fotografi: DW

NPD është në thelb kundër këtij qëndrimi dhe në programin e saj shkruhet e kundërta. "Imigrimi masiv" dhe "ndryshimi i shumicave etnike" konsiderohet si "sulm ndaj integritetit dhe identitetit të popullit tonë" dhe refuzohen me konsekuencë. Melodia bazë është e qartë ksenofobe dhe raciste: "të huajt kriminelë" duhen dëbuar patjetër dhe nuk duhen lejuar të vijnë më "për gjithë jetën në Gjermani", të huajt e papunë dhe ata "që nuk kanë kulturorën" tonë duhen kthyer në vendet e origjinës, "për të mbrojtur me efektivitet shtetin tonë social dhe identitetit tonë kombëtar."

Mes fjalëve dhe nxitjes së urrejtjes

Ky qëndrim është i dënueshëm, gjuha pështirë. Por a është vetëm kjo e mjaftueshme për ndalimin e partisë? Përgjigje e qartë: Jo! Ligjërisht, një retorikë e tillë mund të konsiderohet madje si një shprehje e lejueshme mendimi. Në rastin më të mirë, zyrtarët dhe simpatizantët e kësaj partie të neveritshme mund të paditen në raste të caktuara për shpifje ose nxitje të urrjetjes. Nga NPD nuk buron në asnjë mënyrë ndonjë potencial rreziku për sistemin. Kushdo që pretendon të kundërtën, e mbivlerëson atë pa dashur.

Qeveria Federale Gjermane dhe Bundestagu nuk kanë frikë nga asgjë më shumë, sesa nga një humbje e dytë para ligjit si në vitin 2003. Prandaj, ata i lanë këtë herë vetëm landet me kërkesën e tyre për ndalimin e kësaj partie. Pra për një sinjal uniteti si para dhjetë vjetësh nuk mund të flitet. NPD-ja e sheh këtë si një pikë fitoreje. Por sado i vogël të jetë triumfi, ai është i bezdisshëm dhe mund të ishte shmangur. Këmbëngulja për një përpjekje të dytë ka arsye më të thella. Ajo tregon shumë për politikën shoqërore gjermane dhe dështimin e gjerë të autoriteteve në lidhje me organizatën vrasëse NSU.

Vrasja e ndërgjegjjes e demokratëve të vërtetë

Në landet Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni, NPD-ja është në parlament. Ajo e përdor këtë skenë gjerësisht për propagandën e saj. Partitë e vetëvetëdijshme demokratike duhet të dinë si të sillen me këtë gjë. Por ndonjëherë ato i vret ndërgjegja. Radikalet e djathtë shfaqen kryesisht në rajonet rurale me papunësi të lartë dhe probleme të tjera sociale si partnerë kontakti që kujdesen edhe për të lënët vërtetë pas dore. Fakti se ky përkushtim gjoja vetëmohues i NPD-së lidhet me slogane ksenofobe, tolerohet apo edhe më keq, bie në tokë pjellore.

Tek grupimi NSU, i cili thuhet se ka kryer dhjetë vrasje për motive raciste, puna është shumë më komplekse dhe më e paqartë. NSU ka lidhje personale me NPD, sikurse po del në procesin para Gjykatës së Lartë në Mynih, ku po shqyrtohet rasti i Ralf Wohlleben që akuzohet për ndihmë për vrasje. Ky ka qenë zyrtar i lartë i NPD-së në Thuringji, prej nga janë të dyshuarit si vrasës të NSU-së. Por si provë e fuqishme për përfshirjen e partisë NSU kjo gjë nuk do të mund të vlejë edhe nëse Wohlleben dënohet. Tek e fundit rreth 6000 anëtarët e NPD-së nuk mund të përndiqen meqë si të ishin anëtarë të një familjeje.

Dëshmi të pakëta

Pra dëshmitë me të të cilat landet po përpiqen për të ndaluar NPD-në janë të pakta. Sipas njoftimeve zyrtare dëshmitë që ofrojnë landet bazohen në dokumente zyrtare dhe burime që janë në dispozicion të publikut. Këto janë programe, deklarata për shtyp, konventat e partisë, demonstrata. INformacionet e spiunëve të paguar prej organeve të Mbrojtjes Kushtetuese thuhet se nuk kanë luajtur asnjë rol. Roli i errët i agjentëve të fshehtë ishte arsyeja, se pse Gjykatën Kushtetuese Gjermani nuk pranoi ta shqyrtojë kërkesën për ndalimin e kësaj partie në vitin 2003.

Me kërkesën për ndalimi e kësaj partie të dorëzuar tani gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merren nën kuadrin e përshtypjeve që lidhen me serinë e vrasjeve nga NSU dhe fuqizimin e partive të populiste të djathta në të gjithë Evropën. Gjyqtarët duhet që në këtë përzierje ngjarjesh të ruajnë sensin e tyre të matur dhe të rreptë për t'i parë gjërat sipas kushtetutës. Në rast se do të zhvillohet një proces gjyqësor, vendim pritet vitin e ardhshëm.

Racizmëm ka pavarësisht nga NPD-ja

Pavarësisht kërkesës për ndalimin e NPD-së studime të shumta dhe komisione hetimore kanë konstatuar dhe dokumentuar qartë se në Gjermani janë mjaft të përhapura qëndrimet armiqësore ndaj të tjerëve. Dhe se në rastin e grupimit terrorist NSU Enti i Mbrojtjes Kushtetutese ka dështuar në shkallë të gjerë. Më e rëndësishme se ndalimi i NPD, është për këtë arsye çështja e përgjegjësisë politike dhe sociale në lidhje me ksenofobinë dhe racizmit - dhe si mund të luftohen me sukses këto dukuri.

Marcel Fürstenau

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17270590,00.html