1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk dihet saktë se edhe sa kohë do të qëndrojë UNMIK-u në Kosovë

Bekim Shehu / Prishtinë18 Qershor 2008

Zyrtarë të UNMIK-ut në Prishtinë, nuk e dinë se kur do të largohen së bashku me misionin nga Kosova. Ata thonë se janë në pritje të udhëzimeve nga Nju Jorku.

https://p.dw.com/p/EMIQ
Selia e UNMIK- ut në Kosovë
Selia e UNMIK- ut në KosovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Administrata e Kombeve të Bashkuara, do të qëndojë në Kosovë edhe për disa kohë. Me këtë fakt, janë pajtuar udhëheqësit politik kosovarë. Nuk dihet saktë se edhe për sa kohë UNMIK-u do të qëndrojë në Kosovë. Zyrtarë të UNMIK-ut, thonë se, ata presin udhëzime nga Nju Jorku, dhe kjo sipas tyre mund të sqarohet pasi raporti i zotit Ban Ki Mun, të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit. Aleksander Ivanko, është zëdhënës i UNMIK-ut.

"Ajo çfarë kemi ne nuk janë udhëzime, por është një raport i Sekretarit të Përgjithshëm dhe anekset që i janë dërguar presidentit Tadiq dhe presidentit Sejdiu. Ne presim që të marrim udhëzime tjera konkrete sesi kjo do të zbatohet në teren, cilat departamente do të zvogëlohen, cilat do të zhduken tërësisht, presim pra që këto udhëzime t'i marrim gjatë kësaj jave", thotë zëdhënësi Ivanko.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thonë se edhe ata janë në pritje që KS-it, ta miratojë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun dhe të caktojë një datë kur misioni i UNMIK-ut duhet të largohet përfundimisht nga Kosova. Sidoqoftë, analistët në Kosovë, thonë se shqetësuese për qëndirmin e UNMIK-ut në Kosovë, është fakti që Sekretari i Përthshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, lejon bashkëpunimin e UNMIK-ut me serbët në vendbanimet serbe në fushën e policisë, doganave gjyqësorit dhe në trashigimi kulturore e fetare. Kjo sipas tyre i përgjigjet një plani të mëhershëm të qeverisë së Serbisë për ndarje funksionale të pushtetit në Kosovë, me cka sipas analistëve, do të shënohej një ndarje faktike e rajoneve në Kosovë mbi baza entike. Këtë rrezik të mundshëm e ndjejnë edhe zyrtarët e misionit të ri të BE-së, EULEX, mirëpo ata shprehen të bindur se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë ndarje apo kantonizim të Kosovës.